Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim deklaroi sot se, “reforma në drejtësi nuk është një mrekulli, reforma në drejtësi ndodh hap pas hapi dhe për këtë arsye duhet të zhvillohet dhe ne duhet të jemi ata që ta ndihmojmë dhe ta ngremë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara”.
Në një prononcim për mediet nga Durrësi, ambasadorja Kim theksoi se, “reforma në drejtësi është e rëndësishme, nuk është një çështje morale, por një çështje biznesi. Për të gjithë ata skeptikët që kanë thënë që asgjë nuk ka për të ndodhur, që reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur, që SPAK nuk ka për të funksionuar asnjëherë. Kam një lajm për ju e keni gabim. Do të doja të shikonit të gjithë hapat që ka ndërmarrë SPAK, të gjitha çështjet që është duke ndjekur duke përfshirë dhe çështjen e sotme në Krujë”.
Reagimi i plotë
“Për këtë arsye reforma në drejtësi është e rëndësishme. Nuk është një çështje morale, është një çështje biznesi. Dhe për të gjithë ata skeptikë që kanë thënë se asgjë nuk ka për të ndodhur, që reforma në drejtësi nuk do të ndodhë, që SPAK nuk ka për të funksionuar asnjëherë, kam një lajm për ju: e keni gabim. Do doja të shikonit të gjitha hapat që ka ndërmarrë SPAK, çështjet që ka hapur, përfshi sot në Krujë.
Reforma në drejtësi nuk është një mrekulli; është punë e vështirë, hap pas hapi, do të ketë dështime rrugës, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin rrugës dhe të ecim përpara. Është edhe diçka që e kam theksuar edhe më herët, se është e rëndësishme që ta shtyni veten, ta detyroni veten që të keni më shumë shpresë se sa skepticizëm. Prandaj, përqendrohuni tek faktet, shihni se çfarë është duke bërë SPAK, çfarë është duke bërë policia dhe mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda”