Zgjedhjet sapo kanë mbaruar dhe nëse beteja politike po zhvillohet në frontin ligjor të ligjshmërisë së tyre, jeta e përditshme rrjedh normale e bashkë me të edhe larjet e hesapeve të bandave kriminale. Rrallë ka ndodhur që në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë, bandat të kenë parë vetëm hesapin e tyre. Gjithmonë ato kanë bërë, si dhe këtë radhë, një armëpushim ndërmjet tyre në pritje se nga do të marrë peshorja politike. Kur kjo peshore i buzëqesh opozitës, lidhjet ndërmjet bandave kriminale dhe strukturave të kalbura të policisë apo dhe shtetit fillojnë të zbehen deri në shkëputje dhe në kontekste të tilla postzgjedhjet shoqërohen me një qetësi të dukshme në pritje të kapjes së aleancave të reja.
Kjo është edhe koha e vrullit policor në goditjen e bandave kriminale. Por këtë radhë ndodhi ndryshe. Lidhjet kriminale ndërmjet bandave dhe pjesëve të shtetit, tashmë të salduara që prej tetë vitesh, nuk pësuan shkëputje dhe natyrshëm koha pas zgjedhjeve po shoqërohet me vrasje ndërmjet bandave dhe larje të hesapeve për konflikte të mbarsura kohë pas kohe, jashtë dhe brenda vendit.
Në plan të parë duket si i tepruar fakti i arsyetimit të mësipërm i cili i afron kaq shumë dhe i bën thuajse automatike raportet e krimit të organizuar dhe strukturave të devijuara shtetërore. Por kjo është e vërtetë. Në këtë rast, unanimisht politologët e gjithë vendeve demokratike e quajnë si shumë jetësore lidhjen e krimit të organizuar me shtetin, apo struktura të tij të veçanta. Sipërmarrja kriminale, njëlloj si ajo ligjore, në thelb ka po ashtu fitimin dhe kjo dihet. Fitimet e grupeve kriminale gjithmonë drejtohen drejt pastrimit të parave dhe ky proces nuk mund të kryhet dot pa ndërmjetësinë e strukturave shtetërore. Gjithmonë nëpërmjet korrupsionit ose më keq nëpërmjet ortakërisë në biznes midis anëtarëve të grupeve kriminale dhe pushtetmbajtësve. Këta të fundit kthehen në garantues dhe ortakë të parave të pista duke i futur ato në qarkullim normal.
Thënë me fjalë të tjera, grupet e krimit të organizuar nuk jetojnë dot pa oksigjenin që u jep direkt apo indirekt një pjesë e shtetit. Vrasja në Vlorë të paktën dëshmon një fakt, ku viktima u ekzekutua në kohën që ishte nën shoqërinë e një agjenti të policisë.
Pyetja që bëhet është mjaft e thjeshtë: Do të jetë në gjendje qeveria e dalë nga një parti e cila prej tetë vitesh qeveris vendin, të shkëpusë këto lidhje? Nëse jo, situata do të jetë kritike sepse vendi rrezikon të ndërtohet mbi bazën e parave të pastruara dhe nën diktatin direkt ose indirekt të grupeve kriminale. Nëse po, pra do të kërkohet rinovimi rrënjësor i policisë dhe i administratës në përgjithësi, situata mund të rregullohet, por me mjaft dëme që do t’i ngjasonin akteve të Koza Nostrës në përplasje me shtetin.
Ndërsa vrasja e ndodhur në Elbasan dëshmon disa dimensione që karakterizojnë grupet e krimit të organizuar. Fakti që viktimës i ishte vrarë më parë një vëlla diku në Spanjë dhe një i afërm i afërt në Belgjikë, dëshmon më së miri gjeografinë e gjerë të veprimit të grupeve kriminale me stampë shqiptare. Dhe kur një grup kriminal ushtron aktivitetin e tij në një shtrirje të gjerë gjeografike do të thotë se ka shkallë të lartë organizmi, aktivitet të gjerë si dhe fuqi të madhe financiare. Por specifika në këtë rast mbetet edhe fakti tjetër, po aq në dem të sigurisë së vendit tonë.
Aktiviteti kriminal i grupeve shqiptare në Europë e gjetkë, larg syve dhe vëmendjes qoftë të opinionit tonë publik, qoftë të organeve të drejtësisë, bën që autoritetet tona të ndodhen të papërgatitura kur territori i Shqipërisë kthehet në një far west të rivaliteteve të bandave shqiptare me aktivitet jashtë kufijve të vendit. Dhe një problem i tillë urgjent, emergjent nuk zgjidhet vetëm me këto instrumenta bashkëpunimi ndërkombëtar që kanë në dorë organet tona të ligjit në rastin më të mirë apo me plogështinë e tyre në rastin më të keq. Duhet një strategji e qartë, konkrete e ndjekjes së veprimtarisë kriminale të shtetasve tanë edhe jashtë kufijve e finalizuar me ligjin antimafie.
Të dyja atentatet dëshmuan edhe nivelin e tyre të organizimit e të prepotencës. Viktimat u asgjësuan në qendra urbane me frekuentim të lartë të banorëve duke shtuar maksimalisht pasigurinë e tyre, duke sfiduar hapur forcat e policisë si dhe duke vërtetuar direkt dështimin e plotë së nismave të para disa kohe të lidershipit politik të qeverisjes aktuale “për qytete më të sigurta”, duke krijuar të ashtuquajturat “Forumet qytetare të sigurisë” të cilat filluan pikërisht në Elbasan.
Së fundmi nuk mund të rrihet pa cituar edhe fakti se nëse kjo qeveri ka probleme dhe nuk arrin të integrojë vendin në Bashkimin Europian duke vazhduar t’ua hedhë fajin vendeve të caktuara të Europës, nuk do të jetë kurrë në gjendje të garantojë sigurinë maksimale të vendit dhe të popullit të saj sidomos nga aktiviteti i krimit të organizuar. Kjo sepse nëse shihet dinamika e problemeve kriminale në vendin tonë, do të ishte e thjeshtë të konstatohej sesa rrezik përbën për vendin tonë aktiviteti kriminal i shtetasve tanë jashtë kufijve të vendit.
Nëse në momente të ndryshme, disa vende të Europës ngrenë zërin dhe ankohen për rrezikun që paraqesin grupet kriminale shqiptare për vendin e tyre, autoritetet tona kompetente vrapojnë të relativizojnë, por pa pasur asnjëherë vizonin e kundërt. Sa shumë në alarm duhet të jetë vendi ynë nga krimi i bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Pa folur këtu për debolesën e kësaj qeverisjeje për “të fortët” e krimit. Integrimi i vendit tonë në BE do të thotë përveç të tjerave, njehsim i gjuhës së forcës dhe ligjit në gjithë hapësirën e saj për të bërë zap grupet kriminale shqiptare.