Duke mos përsëritur anët e mira të mësimit të një gjuhe të dytë në moshë të hershme, sot dua të bëj të ditur dy faktorë që për të mësuar anglishten në klasën e parë as nuk ishte bërë gati infrastruktura; tekstet sipas realitetit tonë si dhe ana pedagogjike.
• Sot 25 shkolla mbyllen çdo vit sipas Instat-it
• Sipas kërkimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” kemi 260 vende bosh për mësues të gjuhës angleze
• Librat e anglishtes që nxënësit e klasës së parë kanë marrë janë shumë të mirë, por jo në realitetin e shkollave publike në Shqipëri, sepse ata janë bashkangjitur me CD për dëgjimin e zërit ndërkohë që nxënësi ka figurën në dorë.
• Shqipëria është rreth 57% zonë rurale dhe 17% zonë e ndërmjetme që i bie rreth 74% janë në zona rurale, ku duhen mjete si laptopë, kompjutera, tabela elektronike, video projektorë.
• Sot që flasim më shumë se gjysma e Shqiperise nuk ka filluar mësimin në klasën e parë të gjuhës në fjalë.
Po për anën pedagogjike?
• Nxënësi do të shkruajë shkronjat e anglishtes, por ata janë të njëjta me të shqipes përveç ë
• Mësuesi duhet të shpjegojë që figura MOLLË ka për shkronjë A pra, Apple
• Në gjuhën shqipe, orën e parë figura MOLLA kishte shkronjën M
• Sot që flasim sipas mësuesve të anglishtes së klasës së tretë, mësimi kuptohet dhe asimilohet për jo më shumë se 20% e nxënësve.
• Anglishtja në klasë të parë, në shumë raste do të ngarkojë shumë nxënësin dhe do të ngatërrojë gjuhën amtare e cila duhet të jetë kryesore.
Një fjalë e mësuesve të anglishtes sot në sistemin arsimor thotë: “Të mësosh anglishten në klasën e parë sot është njëlloj sikur të ushqesh një bebe të sapo lindur me çokollatë.”
Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe zonat urbane, sigurisht që fëmijët në këtë moshë mësojnë më mirë se në çdo moshë tjetër, që ka nxënës që janë shumë të mirë që në parashkollor, por ky nuk është faktor për të marrë iniciativa të pastudiuara, të papilotuara dhe jashtë realitetit shqiptar.
Sot në të gjithë botën, debati është që në çfarë moshe ta vendosim gjuhën e dytë, por në bazë të studimeve kombëtare pasi çdo shtet ka veçorinë e tij si në infrastrukturë dhe në format pedagogjike, pastaj nëse duhet të fillojë mes moshës 7 dhe 9 siç e ka Europa apo 12 dhe 14 ShBA është për t’u parë, por sipas realitetit tonë.