Aktualitet

Reportazhi/ Sfidat e punonjësve të hekurudhës shqiptare














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 21/09/21 |
Arjana Çejku

Rrëfimi i ish-inspektorit nga aksidenti në Shkodër te shpëtimi i të plagosurit






Të punosh në industrinë hekurudhore shqiptare është sa zbavitëse aq edhe sfiduese. Ngjarja me personazh Jak Perlalën na kthen në mesnatën e 11 viteve pas, në qytetin e Shkodrës, teksa udhëtonte drejt Bajzës.


Ky ishte stacioni i vetëm që lidhte vendin tonë me Europën. Ish-inspektori i infrastrukturës hekurudhore i cili para pak javësh kishte kremtuar mbylljen me sukses të 36 viteve punë, është i mbajtur, me një shtat të mesëm dhe me flokë të zbardhura nga gjurmët e kohës.







Jeton vetëm me bashkëshorten e tij në qytetin e Tiranës, pasi 2 fëmijët e tyre ndodhen jashtë shtetit. Në 36 vite punë ai e kujton si sot aksidentin që mund t’i rrezikonte jetën.



“Ishte mesi i tetorit të vitit 2010. Po udhëtonim në orët e vona për në Bajzë, ku nëpërmjet Malit të Zi kalonim në vendet europiane.
Atë natë diçka ma ndjeu zemra se nuk ishte një udhëtim i zakontë”, -thotë Jaku.



Në kabinën e lokomotivës në atë mesnatë të freskët vjeshte përveç tij ndodhej makinisti dhe ndihmësmakinisti.

Siç tregon ai, me një kujtesë të kthjellët, nga pas tërhiqnin 13 vagonë polakë.

Jaku flet drejt e saktë, dhe mban mend çdo detaj të aksidentit me të cilin ishin përballur.

“Ritmika e bazhdave të hekurta mbi shina të trenit, si dhe lodhja e një dite 24-orëshe në punë na i mbyllte qepallat… Por, jo! Detyra, përgjegjësia ishin të parat! Vagonët polakë ishin vagona minerali boshe, por një vagon i rëndë bosh është më i rëndë se një vagon i lehtë plot. Ishte një rrezik potencial, që siç thoshte Honore De Balzak mund të bënim katastrofë”, -vijon të flasë me rrjedhshmërinë që e karakterizonte.

Sapo kishin kaluar varrezat katolike, si gjithmonë brenda parametrave konform udhëtimit sipas urdhrit të veçantë të Inspektoratit, në kryqëzimin e një rruge makine afër një lotoje, kishte ndodhur e papritura.

“Unë rrija në këmbë, pashë një dritë të shpejtë drejt nesh, në kënd të drejtë. Nga përvoja e dija se kompensoheshin shpejtësitë dhe kishte rastësi të frikshme. Vura në dijeni drejtuesin e lokomotivës. Por nuk kishte kohë më…” kujton ai, me një përshkrim sikur ta kishte para syve imazhin.

Para se të gjendej në mjedisin hekurudhor, Jaku ka punuar 10 vite si gjeolog pas përfundimit të arsimit të mesëm profesional në Rubik, por e ndërpreu bashkë me rënien e kësaj industrie.

Për profesionin e dytë i cili do të ishte dhe ‘profesioni i jetës’ ka kryer specializime në fushën hekurudhore, për disa vite në Durrës, të gjitha me arritje të shkëlqyera.

Teksa vijon të flasë për aksidentin e përjetuar në qytetin verior kuptova se të tilla histori kishte kaluar me dhjetëra, por kjo i kishte mbetur gjatë në mendje.

“Mbylla sytë një çast dhe dëgjova krismën ‘Tubbb’! Makina 6-vendëshe Volsvagen u përplas me parakolpin e majtë të lokomotivës. Manovruam në frenim po e mori 25-35 minuta para. Fati deshi që e slitoi paralel në shina. Makinisti u zbeh, ndihmësi një djalë energjik shkodran u afrua të ndihmonte. Airbegët e makinës ishin hapur”, -thotë ish-inspektori ndërkohë që linte vend për dyshim se dhe errësira ishte një faktor disavantazhues.

Dhe në ato momente atij i duhej të monitoronte situatën.

Ashtu siç kishte bërë për më shumë se 2 dekada, duke mbikëqyrur trenat dhe jo rrallëherë në trysninë e rrezikut, për të shmangur fatkeqësitë të shkaktuara nga arsye objektive apo gabime njerëzore.

“Në mjet ishte një djalë i ri që po i shmangej policisë. Ishte pa ndjenja, i gjakosur. S’e humba toruan! Duhej shpëtuar një jetë ! E tunda dhe te hunda i afrova një raki të fortë, të cilën dhe sot e mbaj me vete gjithmonë. U përmend dhe mbylli kasetofonin e makinës që për çudi ishte një muzikë e rëndë klasike europiane”– rrëfen ai.

Në ndihmë të tyre kishin arritur dhe banorët e zonës, të fshatit Shtoj.

Pasi situata ishte normalizuar, kishte rezultuar që bordi i trenit ka qenë brenda rregullave të mundshëm.

Përpos ndodhive të hidhura si kjo, 65-vjeçari ndër të tjera shpreh se dikur gjatë punës ndiheshin më të motivuar, me një disiplinë dhe siguri ushtarake pa e ndjerë dhe diktatin e monizmit.

Edhe sipas punonjësve të tjerë gjendja e hekurudhës ka ardhur duke u përkeqësuar duke mos i dhënë vëmendjen e duhur qeveritë ndër vite dhe një tjetër arsye është se një pjesë e stafit qendror nuk janë të aftë për ta drejtuar.

Aftësitë në zanate të ndryshme dhe si një njeri punëtor që dukej ai ka ushtruar dhe profesione si: ndërtues, hidrogjeolog, në një farë mënyre dhe i detyruar nga paga diskriminuese që marrin punonjësit besnik të rrugës së hekurt.

Në vazhdën e aksidentit që i kishte lënë një shije të vrazhdë e të hidhur: “Një dru i shtrembër, prish gjithë barrën”, – thotë Jaku me dialektin gegë të Mirditës, qytetit të tij të origjinës.

Më e rëndësishmja ishte që nuk kishte pasur humbje jete.

Drejtësia kishte bërë punën e saj dhe ishte marrë me shkaktarin.

“Po shqetësimin dhe traumën tonë kush e kompensonte! Prandaj është shprehja: ‘Makinistët i lënë vitet në shqetësimin e rrugëve mbi shina dhe hanë kokrra tensioni grushte’”– flet me një keqardhje dhe ton zemërak 65-vjeçari.

Veprimtarinë e tij në këtë sektor e ka ushtruar me kënaqësi e përkushtim, por ashtu si edhe shumë profesione të tjera nuk vlerësohen siç duhet.

“Rrogat e punonjësve në hekurudhë merren me 40% të subvencioneve të BE, madje dhe kjo është bërë së fundmi nga ministria e transportit, pasi te ne hekurudha punon me humbje”.

Siç shton më tej “Një ditë pune në Francë, e pashë vetë, është e barabartë me një muaj këtu në Shqipëri”.

Në bisedën me të binte në sy komunikimi me fjali të argumentuara herë-herë dhe me doza letrare. Sa alegorik po aq edhe i çiltër në bashkëbisedim.

Kishte të bënte me faktin se ishte një burrë i lexuar dhe i pëlqente të shkruante.

Si ‘pensionist i ri’ nuk pajtohet me faktin që kontributi i tij të vlerësohet minimalisht, por të bëhej sipas legjislacionit duke llogaritur energjitë mendore dhe eksperiencën e specialistëve.

Realiteti i profesionit tonë , por jo vetëm, barazohet me shprehjen ‘Rrugë evidenciale dhe paga asistenciale’’’ – mbyll fjalinë ish-inspektori vigjilent dhe mirditori fisnik Jak Perlala.

3


Etiketa: , ,

Pas