Sport

Shahu botëror ka një “mbret” të ri, që vjen nga politika





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:05 - 03/10/18 |
mapo.al
Federata Botërore e Shahut (Fide) ka një “mbret” të ri. Ai është Arkady Dvorkovich, ish-zv.kryeministër i Rusisë.

Dvorkovich la pas kundërshtarët e tij në një votim të trefishtë të kësaj të mërkure, në një palë zgjedhje të kontestuara ashpër. Ai merr kështu frerët e FIDE-s, pas rrëzimit në korrik të ish-drejtuesit rus Kirsan Ilyumzhinov.


Dvorkovich u kurorëzua në krye të Federatës, pasi mjeshtri i madh i shahut britanik, Nigel Short i dha fund ngërçit prej një kohe të gjatë duke tërhequr kandidaturën e tij.


Kandidati rus mposhti më pas rivalin e vetëm të mbetur, zv.presidentin aktual Georgios Makropoulos, në një votim që pa 103 vota në favor të ish-politikanit rus dhe 78 kundër. Ai bëhet kështu i pari president i ri i Federatës Botërore të Shahut që prej vitit 1995.


Paraardhësi i tij, Ilyumzhinov u detyrua të largohej gjatë verës, mes akuzave se kishte ndihmuar transaksionet me qeverinë siriane, gjë që e bëri atë prè të sanksioneve amerikane e për pasojë edhe ngrirjen e menjëhershme të llogarive bankare të FIDE-s.


Ai mohon të ketë shkelur ligjin, por çështja në fjalë hodhi një hije të rëndë mbi zgjedhjet, që u dëmtuan nga akuzat për korrupsion dhe ndërhyrje politike.

Arkady Dvorkovich vjen me një historik të pasur si politikan dhe shahist. Deri në maj të këtij viti, ai shërbeu si zv.kryeministër i Rusisë, ndërsa është gjithashtu anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Federatës Ruse të Shahut. Kohët e fundit, ai ishte edhe një prej krerëve kryesorë të organizimit të Kupës së Botës “Rusi 2018”.

Kundërshtari i tij kryesor ishte konsideruar Georgios Makropoulos, zv.presidenti aktual grek i FIDE-s. Makropoulos nuk arriti ta distanconte mjaftueshëm veten nga ish-presidenti Ilyuzhinov, për pasojë edhe u mposht. Anglezi Nigel Short njihet më së shumti për sfidën e pasuksesshme ndaj kampionit botëror të shahut, rusit Garry Kasparov, në vitin 1993.

Ai u zotua të zhdukte korrupsionin dhe ishte një kritik i ashpër i udhëheqjes së FIDE-s, por në vitin 2015, ai irritoi shahistet femra kur sugjeroi se pikërisht ato nuk ishin të përshtatshme për këtë lojë.

 


Etiketa: , , ,

Pas