Aktualitet

Dritan Shano: Fatura e tërmetit duhet të jetë prioritet i buxhetit 2020





               Publikuar në : 09:37 - 07/12/19 |
mapo.al

Eksperti i Ekonomisë Dritan Shano thotë për MAPO se qeveria duhet ta konsiderojë si prioritare në buxhetin e vitit të ardhshëm faturën e dëmeve nga tërmeti.


Tërmeti i 26 nëntorit pati pasoja katastrofike me 51 viktima, rreth 1 mijë të plagosur dhe mijëra të pastrehë. Si e vlerësoni reagimin e menjëhershëm të emergjencës dhe situatën e tanishme post-tërmet nga qeveria?
Mendoj se ka nevojë për një reagim serioz nga ana e qeverisë për sa i përket ngritjes së kapaciteteve njerëzore, teknike, teknologjike të emergjencave civile. Ka nevojë për buxhetim, trajnime, teknologji. Qeveria dhe njerëzit pranë saj ende sot flasin për solidaritet dhe empati. Shohin me inat këdo që u del nga kjo skemë të foluri apo nga standardet e imagjinuara prej tyre të solidaritetit dhe empatisë. Por solidariteti dhe empatia u përkasin njerëzve, ndërsa qeverisja është impersonale, është procedurë, përpikëri, eficiencë. Të gjithë e pamë me çfarë shpejtësie erdhën ekipet e specializuara nga Kosova në Durrës dhe sesa eficiente u treguan ato në zbulimin dhe shpëtimin e njerëzve të mbetur nën rrënoja. Këtyre ekipeve iu bashkëngjiten të tjerë nga vendet fqinje dhe Europa. Diferenca me emergjencën tonë civile ishte e dukshme dhe e prekshme. Ende sot, përditë dëgjojmë për vende, banesa të dëmtuara ku nuk ka shkelur qeveria me njerëzit dhe kamerën e saj. Dua të shtoj se nuk mjafton të bësh heroin duke gërmuar me dorë nën beton, dhe njëherësh të pretendosh se je gati të bëhesh vend anëtar i Bashkimit Europian. Shpresoj të kemi reflektuar si shoqëri dhe të vendosim me shpejtësi rregulla të rinj për ndërtimin dhe sigurinë e banesave, ndërsa i ftoj organet përkatëse të zbatojnë ligjin mbi përgjegjësit e kësaj situate.



A mund të kemi një përllogaritje se cila është fatura reale e kësaj katastrofe? Cilat janë pasojat më afatgjata të këtij tërmeti në ekonomi, sa mund të shkojë fatura e rimëkëmbjes së vendit?
Përllogaritja e faturës është punë e qeverisë. I takon asaj të inventarizojë çdo ndërtesë të prishur, të dëmtuar. T’i indeksojë në ndërtesa që duhen prishur, në ndërtesa që duhen riparuar, të banueshme, të pabanueshme etj. Të përcaktojë numrin e ndërtesave që duhen ndërtuar. I gjithë ky proces duhet të kryhet me përgjegjësi, me transparencë dhe duhet të jetë sa më shpejt final. Do isha i papërgjegjshëm të thosha një shifër tani. Mund të them se fatura do jetë e rëndësishme, dhe se përballimi i saj do rrisë konsumin, importet dhe presionet inflacionare në afatshkurtër dhe afatmesëm.


Qeveria ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh. BE dhe vende të ndryshime kanë ofruar mbështetje dhe nga ana tjetër, po mblidhen fonde dhe nga shoqata e individë. Por ka disa propozime nga opozita dhe faktorë të shoqërisë që kërkojnë anulimin e disa koncesioneve si një përgjigje direkte e qeverisë për mbulimin e faturës së tërmetit. Si e shikoni këtë propozim?
Mendoj se anulimi i PPP-ve nuk ka nevojë që të bien tërmete që të ndodhë. Në gjykimin tim, të gjitha PPP-të që kanë arritur shifrën 2.2 miliardë euro, janë jotransparente dhe përfitimi publik prej tyre krejtësisht i paarsyetuar. Përfitimi privat është i dukshëm. Buxheti është i shqiptarëve, krijohet me paratë që u merren atyre nga xhepi në formë taksash dhe borxhesh. Kështu që është gjëja më e natyrshme që buxheti të përdoret në favor të shqiptarëve më në nevojë. Nuk kam asnjë hezitim të them se timoni i buxhetit të 2020 duhet kthyer në drejtim të tyre. Kjo do të thotë që qeveria të rishikojë se ku janë prioritetet e saj, te PPP apo te shqiptarët e prekur nga fatkeqësia. Kjo do të thotë që buxheti i 2020 duhet rishikuar në funksion të përballjes me këtë prioritet absolut kombëtar për vitin 2020, që është zgjidhja e strehimit dhe kthimit në jetën normale të njerëzve që u dëmtuan në 21 shtator dhe 26 nëntor 2019.


Etiketa: ,

Pas