Parlamenti i Shqipërisë, i kthyer nga institucioni më i rëndësishëm në vend, në zgjatim të “varësisë” së qeverisë. Si u kthye institucioni që përfaqëson qytetarët në “fole” që mblodhi të akuzuar për krime të rënda dhe individë oportunistë, apo me nivel të cunguar kulturor dhe intelektual. Flet analisti Dritan Shano.
Parlamenti i Shqipërisë në “hierarkinë” shtetërore konsiderohet si institucioni më i rëndësishëm. Praktikisht a mund të konsiderohet një institucion që e ka humbur rolin e tij dhe a po kontrollohet nga ekzekutivi?
Kuvendi është sot i kontrolluar nga ekzekutivi. Ky institucion thjesht shërben si noter i çdo nisme të qeverisë, pa bërë aspak filtrin e iniciativave të qeverisë për të ruajtur dhe avancuar interesat e qytetarëve shqiptarë. Ligji i posaçëm për Teatrin Kombëtar është një shembull për këtë. Komisionet ndëshkimore ndaj kritikëve të qeverisë si ky i fundit ndaj Z. Arben Malaj është një shembull tjetër. Vonesat e krijuara në Reformën në Drejtësi duke bërë e zhbërë sipas qejfit të qeverisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi është një tjetër shembull që meriton vëmendje.
Me djegien e mandateve të deputeteve të opozitës në Parlament kanë marrë mandatet një pjesë e listave të PD dhe LSI-së. A po e kryejnë rolin e “opozitarëve” sikurse janë shprehur kur kanë marrë mandatet? Nisur nga mënyra e diskutimeve, artikulimit apo qëndrimeve, si do ta konsideroni sot nivelin intelektual, kulturor, moral dhe institucional të parlamentarëve?
Nuk besoj se opozita e emëruar ka kryer rolin e opozitës në Kuvend. Kjo është e dokumentueshme kollaj. Opozita e emëruar nuk ka as kapacitetet apo cilësitë e duhura që ju përmendni për të kryer rolin e parlamentarit. Prezenca e tyre aty në atë sallë kërkon një reflektim të thellë.
Legjislativi në seancën e fundit për këtë sesion miratoi disa ligje si koncesionet e rrugëve, apo edhe ndryshimet në Kodin Penal. Përse ligjet më të rëndësishme, me impakt në ekonomi apo edhe në shoqëri, kalojnë para pushimeve verore?
Sepse janë ligje të menduara në favor të pak përfituesve të paracaktuar. Kjo ka qenë “kënga” e qeverisë. Parlamenti mban iso…
Si mund të kthehet Parlamenti i Shqipërisë në institucion të rëndësishëm, ku të përfaqësohen interesat e zgjedhësve? Çfarë duhet të ndryshojë nga roli i liderëve politikë në përzgjedhjen e tyre. Po listat e hapura a janë mundësi për të pasur një përfaqësim më dinjitoz?
Parlamenti i Shqipërisë mund të kthehet si institucion i rëndësishëm vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Roli i liderëve politikë duhet kufizuar për t’i bërë ata më të përgjegjshëm se deri tani. Duhet të marrë fund favorizimi i servilëve në kurriz të njerëzve të zot, profesionistë, me integritet, të pakonsumuar e të padiskretituar. Nuk jam dakord me listat e hapura, pasi ato nxisin luftën brenda llojit shumë më fort sesa atë kundër oponentit politik. Preferoj sistemin mazhoritar.