Aktualitet

Shansi i Albinit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:15 - 01/05/21 |
Imer Mushkolaj

Për një dekadë Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë kritikuar thuajse gjithçka që ka pasur të bëjë me dialogun me Serbinë. Dhjetë vjet me radhë bartësve të procesit të dialogut zyrtarë të Vetëvendosjes dhe vetë Kurti iu kanë dhënë epitete të ndryshme, shpesh denigruese dhe nuk kanë kursyer asgjë për t’i nxjerrë para opinionit publik të paaftë, të dëmshëm e të rrezikshëm për vendin.





Tash, Kurti është në krye të shtetit me një fuqi politike të paparë deri tash në Kosovë dhe, po ashtu është përgjegjësi kryesor për dialog. Ndonëse kishte thënë se bisedimet me Serbinë nuk ishin ndër prioritetet kryesore të qeverisë së tij, kështu nuk mendojnë Brukseli e


Washingtoni, andaj ai nuk do të ketë rrugë tjetër përveç që të vazhdojë dialogun. Si e qysh – mbetet të shihet.
Gjatë vizitës në Bruksel këtë javë dhe takimeve me zyrtarë të Bashkimit Europian, Kurtit iu bë e qartë se “nuk mund të hidhet nga dritarja” ajo çfarë është arritur deri tash në dialog. Pra, ky ishte një mesazh se dialogu do të vazhdojë, e nuk do të rinisë, siç po përpiqen ta paraqesin në publik zyrtarët e Vetëvendosjes.





Shumë nga kritikat e Kurtit për dialogun ishin të arsyeshme dhe ai fitoi poenë politikë me qasjen e tij. Është e vërtetë se nga procesi më shumë ka përfituar Serbia, sesa Kosova, qytetarët e të cilës madje ende presin liberalizimin e vizave. Është e vërtetë se Kosova ka mundur të mbërrijë më shumë, po qe se do të shfrytëzonte mirë e drejt vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që u nxor një vit para se të nisë dialogu.



Është e vërtetë se, me pak më shumë kujdes, në Bruksel nuk do të ishte nënshkruar një marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, krijimi i të cilit sipas ujdisë së arritur dhe ratifikuar në Kuvend do të bllokonte funksionalitetin e vendit. Por, po ashtu, është e vërtetë se tash përgjegjësinë për dialogun e ka Albin Kurti dhe të gjithë presin nga ai se si do të veprojë.


* * *
Procesi i dialogut pritet të vazhdojë në një situatë mjaft të vështirë, që karakterizohet nga pandemia dhe problemet e mëdha ekonomike e sociale. Brukseli dhe Washingtoni janë të interesuar që palët të bëhen bashkë sa më shpejt. Siç është thënë, gjithçka duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që sjell njohje të ndërsjellë.

Me fuqinë politike që ia kanë dhënë qytetarët më 14 shkurt, Albin Kurti e ka në dorë të bëjë çfarë të dojë me dialogun. “Çfarë të dojë” në kuptimin që mund të vendosë si t’i qaset e si të veprojë, sepse procesin nuk mund ta braktisë.

Duke pasur parasysh qëndrimet e tij të mëhershme, që nga parulla e famshme “jo negociata, vetëvendosje”, qytetarët me të drejtë janë kuriozë të shohin se si do të sillet ai karshi një procesi dikur fort të kritikuar e të anatemuar.

Pra, Kurti i ka të gjitha mundësitë që tash të provojë ta ndryshojë qasjen në dialog nga pala kosovare që dikur e konsideronte jo të duhur, të dëmshme dhe të rrezikshme. Kurti e ka mundësinë që të tregojë se si duhet vepruar ndryshe nga qeveritë e kaluara, si duhet marrë më të mirën nga dialogu dhe cila është qasja jo e dëmshme dhe jo e rrezikshme për vendin.

Kur ka qenë në opozitë, qasja e Vetëvendosjes ka qenë kundër mënyrës se si zhvillohej procesi dhe kundër plot marrëveshjeve të arritura. Më e zëshmja kjo parti ka qenë kundër Asociacionit, që i referohej si Zajednica.

Asociacioni ende nuk është krijuar, pavarësisht se marrëveshja është ratifikuar në Kuvend. Kryeministri Kurti e ka rastin të tregojë se çfarë duhet bërë me të. Po ashtu, Kurti e ka rastin të tregojë se, edhe në pushtet, i mban qëndrimet që i kishte në opozitë. Nëse mundet.

Ndërkaq, opozita e tashme, që dikur ishte në pushtet, e ka rastin të konfirmojë se kishte të drejtë atëherë, sa i përket dialogut. Tekefundit, gjithë çfarë është arritur në dialog është trashëgimi e PDK-së dhe LDK-së. Është e logjikshme që tash këto parti të mbajnë qëndrimet që kishin dikur për procesin, e jo të kritikojnë vetëm sa për të thënë.

Çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në dialog, kurdo që arrihet – e mirë, më pak e mirë ose e keqe ka të bëjë me qytetarët e Kosovës dhe të ardhmen e vendit. Andaj, askush nuk duhet t’i gëzohet dhe t’i duartrokasë dështimit.

15


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas