Një banesë është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në Shkozë. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka përfshirë katin e pestë të një pallati në banesat sociale. Raportohet se në apartament ishte një familje me 5 persona. Fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Familja me fëmijë të mitur tashmë ndodhet në mes të rrugës. Sic shihet në pamjet më poshtë, shtëpia është shkrumbuar.
Zonja e shtëpisë që u përfshi nga flakët, në një prononcim për mediat u shpreh se kjo ishte gjithçka kishin. Më tej ajo tregoi se fillimisht dëgjuan një lloj krisme, apo shpërthimi ndërkohë që dyshohet se ka qenë shkëndijë elektrike.
Fqinjët ishin ata të cilët njoftuan zjarrfikësen, ndërsa zonja e shtëpisë tregoi se derën e shkelmoi bashkëshorti pasi nuk hapej.
“Dola me vrap jashtë. Skishim ç’të bënim. U shkrumbuan rrobat, malli. Cdo gjë që kishte. Kishte një krismë të madhe. Duhet të jetë shkëndijë elektrike. Po flinim gjumë kur ra zjarri. Ishim unë,bashkëshorti dhe 3 fëmijët. Bashkëshorti theu derën se nuk e hapnim dot. Vajza e vogël është 4 vjece. Fqinjët poshtë njoftuan zjarrfikësen.”
Tashmë zjarri është neutralizuar, por familja me të mitur mbetet në qiell të hapur.