Dy burra janë akuzuar për vepra terrorizmi në SHBA, pasi kërcënuan me përhapjen e koronavirusit. Departamenti i Drejtësisë e ka klasifikuar koronavirusin si “armë biologjike” dhe veprat penale që kanë të bëjnë me sëmundjen, mund dënohen deri në pesë vjet burgim.
Në incidentin e parë, një burrë në Florida është akuzuar për kollitje dhe pështyrje ndaj oficerëve të policisë. I njëjti ka qenë i arrestuar për dhunë në familje gjatë muajit mars.
Sipas dokumenteve të gjykatës, 31 vjeçari i tha një oficeri: “Epo unë jam me koronavirus”. Ai më vonë doli negativ në testin e virusit.
Ndërkohë, një burrë tjetër në Teksas përballet me një akuzë të ngjashme, pasi pretendoi në rrjetin social Facebook, se ai kishte paguar dikë për të përhapur koronavirus në supermarkete në qytetin e San Antonios.
Më shumë se 14.800 njerëz kanë vdekur nga virusi në SHBA, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.