Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi në Bruksel për targat dhe situatën në Veri.
Nëpërmejt një postimi në Twitter, i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe thotë se marrëveshja përbën shembull se si dialogu sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.
“Lajm i mirë nga Brukseli, një shembull se si riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkroi ai në Twitter.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell u shpreh se pas kësaj marrëveshjeje Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.
“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan Borrell në Twitter.
Sot Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për zgjidhjen e krizës mbi reciprocitetin për targat e automjeteve.
Delegacionet e dy vendeve takuan këto dy ditë në Bruksel të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe diplomatin amerikan, Gabriel Eskobar. Pas negociatave disaorëshe, Lajçak falënderoi zv.kryeministrin kosovar Besnik Bislimi dhe zyrtarin serb, Petar Petkoviq, që vunë interesin qytetar përpara përshkallëzimit të situatës.
Reciprociteti për targat është bërë shkak nga 20 shtatori për rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, për disa incidente dhe shfaqje të forcës ushtarake në kufirin verior kosovar.
Uashingtoni dhe Brukseli ngulmuan këto ditë për evitimin e acarimit të situatës.
Ndërkohë Prishtina zyrtare është deklaruar se ishte në të drejtën e saj sovrane të marrë një vendim që Serbia e aplikon prej vitesh përkundrejt saj.
Reciprociteti ishte bërë pengesë për dialogun dhe bëri që të anulohej një takim i planifikuar për këtë të enjte mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.