fbpx

Aktualitet

SHBA/ Kandidatët demokratë gati për debatin e radhës





               Publikuar në : 20:01 - 15/10/19 |
mapo.alm

12 kandidatë demokratë presidencialë do të marrin pjesë sot në mbrëmje në një debat për emërimin e partisë së tyre në Westerville të Ohajos. Gjasat janë që hetimi për procedurën e shkarkimit të Presidentit Donald Trump të jetë ndër temat kryesore, siç thotë korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone.


Në qendër të skenës së debatit të martën do të jetë kandidati kryesor demokrat, Joe Biden, epërsia e të cilit në sondazhe ka rënë kohët e fundit. Zoti Biden u tha përkrahësve të tij se tani e mbështet procedurën e shkarkimit të zotit Trump.



“Ai e ka shpallur veten fajtor tashmë, para botës dhe popullit amerikan. Donald Trumpi ka shkelur betimin si president, ka tradhëtuar vendin dhe e meriton shkarkimin”, tha ai në një takim fushate.


Me thirrjen për procedurën e shkarkimit, zoti Biden iu bashkua kështu pjesës tjetër të kandidatëve demokratë, përfshirë rivalen e tij kryesore, senatoren nga Masaçusets, Elizabeth Warren.

“Ai ka kryer shkelje që justifikojnë akuzat për shkarkim dhe ai duhet të shkarkohet”, tha senatorja Warren.

Mbështetja ndaj saj vazhdon të rritet dhe anketat e fundit tregojnë se ajo ka praktikisht të njëjtën përkrahje si zoti Biden, sipas një mesatareje të shifrave nga organizata Real Clear Politics.

Debati i së martës shënon edhe kthimin në fushatë të senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders që po merr veten nga një goditje në zemër dhe iu drejtua mbështetësve të tij përmes një videoje të fushatës së tij.

“Dhe dua t’ju them se ndjehem shumë mirë. Po më kthehen energjitë dhe pres me padurim të dal të bëj fushatë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Gjasat janë që debati i sotëm të përqendrohet kryesisht tek Presidenti Trump, thotë analisti John Fortier.

“Mendoj se procedura e shkarkimit do të mbizotërojë dhe mendoj se kandidatët do të shprehen fuqimisht që janë pro-shkarkimit. Nuk besoj se do të dallojnë shumë nga njëri-tjetri në këtë drejtim”.

Edhe kandidatët që nuk janë në krye të garës, si senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, e shohin debatin si një mundësi për të forcuar pozitat.

Edhe ajo është përqendruar tek presidenti Trump.

“Ai i nxit amerikanët kundër njëri-tjetrit dhe ne duhet të pajtohemi. Unë e di që kam aftësinë e veçantë ta bashkoj vendin.”

Ky do të jetë debati i katërt demokrat dhe disa prej kandidatëve që tani janë kualifikuar për të marrë pjesë në debatin e ardhshëm në nëntor./VOA/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas