Aktualitet

SHBA, kreu i Bankës Qendrore zotohet për masa të fuqishme





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:08 - 13/05/20 |
mapo.al

Në SHBA, kreu i Rezervës Federale (Banka Qendrore), Jerome Powell, i bëri një vlerësim të zymtë ekonomisë së vendit në prag të rihapjes.


Ai tha të mërkurën se vendi mund të përballet me një “periudhë të zgjatur” rritjeje të dobët dhe stanjacioni në të ardhurat, por u zotua se Banka Qendrore do të ndërmarrë masa edhe më të fuqishme, nëse nevojitet, duke bërë thirrje për më shumë shpenzime buxhetore.


Komentet e zotit Powell nxjerrin në pah fuqishëm rreziqet me të cilat përballet ekonomia amerikane, nëse kihet parasysh karriera e tij si bankier që vazhdimisht e ka vënë theksin te frenimi i deficiteve buxhetore dhe që ka shmangur vazhdimisht këshillat për zyrtarët e zgjedhur.


Përgjigja e SHBA deri më sot “ka qenë veçanërisht e shpejtë dhe e fuqishme,” tha zoti Powell gjatë një fjalimi të transmetuar në internet.


“Por shërimi mund të kërkojë një farë kohe deri sa të arrihet vrulli i duhur” dhe kjo do të diktohet nga përparimi që do të arrihet në luftën kundër pandemisë, tha ai.

Sa më gjatë që këto rreziqe të vazhdojnë, shtoi zoti Powell, aq më shumë të ngjarë ka që bizneset të falimentojnë dhe familjet të ndeshen me mungesë të ardhurash, në këtë situatë që ai tha se po ndihet më së shumti tek njerëzit më pak të aftë për ta përballuar.

Një studim i fundit i Rezervës Federale, tha ai, vlerëson se 40% e familjeve me të ardhura më pak se 40,000 dollarë në vit përfshijnë të paktën një person që ka humbur punën që nga muaji shkurt.

Në rastin më të keq, tha zoti Powell, ekonomia mund të ngecë në “një periudhë të gjatë produktiviteti të ulët dhe stanjacioni të ardhurash… Një mbështetje financiare shtesë mund të ishte e kushtueshme, por ia vlen nëse ndihmon për të shmangur dëmin ekonomik afatgjatë dhe jep një rigjallërim të fortë.”

Komentet e tij shihen si një thirrje e drejtpërdrejtë që Kongresi t’i shtojë një paketë të re ndihme sasisë prej gati 3 trilion dollarësh që ka miratuar tashmë.

“Kjo i takon të vendoset nga përfaqësuesit tanë të zgjedhur, të cilët ushtrojnë pushtetin e taksave dhe të shpenzimeve,” tha zoti Powell.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po shqyrtojnë marrjen e masave të mëtejshme në përgjigje të krizës. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se ata duan të vlerësojnë se si po funksionon raundi fillestar i rihapjes ekonomike përpara se të vendosin se çfarë të bëjnë.

Por në komentet e bëra të mërkurën, zoti Powell vuri në dukje një seri të panjohurash që do të diktojnë masat e ardhshme, duke përfshirë se sa shpejt do të vihet nën kontroll virusi dhe do të rikthehet besimi i përgjithshëm.

Debati i tanishëm në Shtetet e Bashkuara përqendrohet mes atyre që shqetësohen për pasojat katastrofike mbi shëndetin që mund të sjellë një rikthim i virusit dhe atyre që thonë se vazhdimi i mbylljes së bizneseve do të rëndonte më tej gjendjen ekonomike, duke lënë dhjetëra miliona njerëz pa punë dhe u sjellë një barrë të papërballueshme financiare familjeve amerikane.

Vetëm në muajin prill ekonomia e SHBA humbi një numër rekord prej 20.5 milion vendesh pune ndërkohë që rreth 33 milion amerikanë kanë kërkuar pagesa papunësie që nga fundi i marsit./VOA/


Etiketa: , ,

Pas