Kryesore

SHBA nis ofensivën: Meta dhe Thaçi flasin nga Uashingtoni për ‘kufinjtë’







               Publikuar në : 19:09 - 05/02/19 |
mapo.al

Uashingtoni duket se ka nisur një ofensivë për të kuptuar se çfarë po ndodh në botën shqiptare. Problemi më i madh për SHBA mbetet ndikimi rus dhe zgjidhja e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.


Kështu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ishte i Ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.

“Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues. Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara”.

“Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor,” theksoi Meta.

Edhe ish-ministri Damian Gjiknuri dhe Pandeli Majko, ministri i Shtetit për Diasporën, morën pjesë në këtë forum me ftesë të Senatit Amerikan.

Kurse homologu kosovar i Metës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience me specialistë të rajonit, ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”. “Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas