Aktualitet

SHBA, universitetet mund të humbasin miliona dollarë nga anulimi i garave sportive








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:16 - 05/08/20 |
mapo.al

Shumë kolegje dhe universitete në Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin miliona dollarë në të ardhura nga ngjarjet sportive të anuluara. Garat sportive të kolegjeve sjellin afro 1 miliard dollarë në vit të ardhura nga shitjet e biletave dhe promovimet për universitetet, sipas Shoqatës Kombëtare të Atletikës për Kolegjet (NCAA). Të ardhurat nga garat e basketbollit, futbollit amerikan dhe bejsbollit mund të kontribuojnë deri në më shumë se gjysmën e buxhetit operativ të një shkolle.


“Pandemia për sportet në nivel kolegji, unë mendoj se është veçanërisht e rëndë, sepse ndodhi pikërisht në fillim të turneut të basketbollit për meshkuj, që është burimi më i madh i të ardhurave për NCAA”, tha për Zërin e Amerikës, gazetarja dhe analistja e sporteve të kolegjit, Kristi Dosh.


“Anulimi i turneut të basketbollit për meshkujt këtë vit ishte një humbje e madhe për sportet e kolegjit. Dhe kjo do të rëndohet ndërsa fillon vjeshta dhe ndikohet turneu i futbollit amerikan”, shtoi ajo.


Disa nga ato para shkojnë tek studentët përmes ndihmës financiare. Ka më shumë se 20,000 atletë studentorë ndërkombëtarë të regjistruar në shkollat që marrin pjesë në garat e organizuara nga NCAA. Këto shkolla ofrojnë më shumë se 2.9 miliardë dollarë bursa atletike për studentët në vit.


Ira Graham IV, një nxënës i shkollës së mesme në Kolumbus të Ohajos po kalonte një sezon të shkëlqyer në vrap para fillimit të pandemisë.


“Unë isha mjaft i sigurt se do të arrija të fitoja një bursë me përmirësimet që do të kisha bërë gjatë sezonit,” tha ai, duke përmendur veçanërisht përmirësimet e tij në garat e vrapit me pengesa.

“Por sezoni nuk mbaroi mgjithëse vitit shkollor i erdhi fundi. Akoma shpresoj që në fund unë do të jem në gjendje të marr një bursë dhe të marrë pjesë në garat në nivel kolegji”, tha ai.

Disa shkolla po bëjnë presion për të vazhduar më tej sezonin e tyre të futbollit në kolegj. Por ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se kjo do të kërkonte një rritje të madhe në testimin e sportistëve të tyre për Covid-19.

Thomas Huard, një ekspert në laboratorët klinikë dhe testimin diagnostik, filloi Projektin e Shëndetësisë në Kampuse këtë verë për të ndihmuar kolegjet dhe universitetet që të rrisin kapacitetet e tyre të testimit jo vetëm për atletët, por edhe për të gjithë studentët që ata do të mirëpresin përsëri në kampus.

“Ata mund të mos kenë burimet e duhura për të bërë të gjitha testimet. Prandaj, është një shqetësim sepse nuk di të ketë një ekip universitar futbolli që nuk ka patur raste pozitive (me Covid-19)”, tha zoti Huard.

Megjithëse ai ka shqetësime në lidhje me rreziqet e vazhdimit të sezonit të futbollit në nivel kolegji, Huard, një ish-futbollist kolegji, tha se ai e kupton barrën financiare që anulimi i sezonit do të shkaktonte.

“Ndikimi ekonomik mbi universitetet është i madh, siç mund ta imagjinoni. Unë mendoj se buxheti për futbollin është rreth 500 milionë dollarë për Teksasin”, tha ai.

“Çfarë do të ndodh me blerësit e biletave sezonale? Ose me ata që tashmë i kanë blerë biletat? A mund t’i ktheni të gjitha ato para që tashmë ndoshta i keni përdorur diku tjetër?” pyet zoti Huard.

Liga e universiteteve më të mira dhe disa liga të tjera kanë anuluar të gjitha aktivitetet sportive për sezonin e vjeshtës; shumë të tjerë ende po shqyrtojnë opsionet e tyre./VOA/

 


Etiketa: , ,

Pas