Shefja për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara thotë se zyrtarët e inteligjencës po shohin “përpjekje të vazhdueshme ruse”, për të përdorur mediat sociale dhe burime të tjera, për të krijuar ndarje në mes të popullit amerikan.
Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kristjen Nielsen, gjatë një tubimi të sekretarëve të Shteteve të Bashkuara në Filadelfia më 14 korrik, tha se rusët po përdorin mediat sociale si “zëdhënës simpatikë dhe fronte të tjera për të nxitur mosmarrëveshje dhe përçarje në mes të popullit amerikan”.
Ajo shtoi se megjithatë, këto përpjekje nuk janë “domosdoshmërisht të përqendruara në politikanët dhe fushatat politike”.
Sekretarja Nielsen gjithashtu tha se nuk ka shenja se Rusia po synon që të ndërhyjë në zgjedhjet afatmesme të këtij viti, me të njëjtën “shkallë dhe shtrirje”, që ndërhyri në zgjedhjet presidenciale më 2016 në SHBA.
Komentet e Sekretares Nielsen erdhën vetëm një ditë pasi Juria e Madhe në SHBA akuzoi 12 oficerë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në sulmet kibernetike në Partinë Demokrate dhe publikimin e emaileve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale më 2016.