Për vrasjen e Shefki Kurtit, pensionisti që u gjet i vrarë dhe i copëtuar në fund të korrikut në ujërat e kanalit Adigetto në Polesine, prokuroria e Rovigos ka arrestuar për vrasje me dashje bashkëshorten e viktimës, Nadire Kurti.
Ajo pranoi se e kishte vrarë burrin e saj në shtëpi, duke e goditur me një kapak, dhe duke e bërë copë-copë në banjë. Më pas e ka mbledhur në thasë plehrash të hedhura disa qindra metra larg shtëpisë. Janë rihapur hetimet për vrasjen e 71-vjeçarit shqiptar, ngjarje që tronditi opinionin publik.
Historia filloi mëngjesin e 28 korrikut, kur, pranë kanalit Adigetto në Villanova del Ghebbo, disa teknikë të ngarkuar me pastrimin e kanalit gjetën një këmbë njeriu. Në të njëjtën ditë, më tej në rrjedhën e sipërme të ujit, pikërisht në Lendinarë, janë gjetur dy thasë. Brenda ishin koka dhe trupi i një burri. Zbulimi i tretë ndodhi pasditen e së njëjtës ditë. Jo shumë larg vendit ku u gjet këmba, gjenden dy krahë në dy çanta të tjera. Tri ditë më vonë, më 31 korrik në Adigetto midis Lendinarës dhe Villanovës, u gjet edhe këmba tjetër.
Pensionisti 72-vjeçar me origjinë nga Durrësi, prej vitesh banonte në Badia Polesine, një qytezë me rreth 10 mijë banorë në afërsi të Rovigos.
Gruaja e akuzuar për vrasjen e tij ndodhet në spitalin psikiatrik të Rovigos, ku edhe e ka pranuar krimin. E akuzuara ishte shtruar në spital më 12 gusht për çrregullim të personalitetit deluzional.