Prishja e Teatrit është një ëndërr e vjetër e Edi Ramës, që nga koha kur ishte ministër Kulture, ide që aso kohe u kundërshtua fort nga artistët. Sot emra të tillë si Luftar Paja, Bujar Asqeriu, apo dhe Robert Ndrenika e të tjerë që janë shprehur në favor tëprishjes, asokohe ishin kundërshtarët më të fortë të kësaj ideje.
Përgjatë periudhës kur ushtroi mandatin e kryebashkiakut, duke mos pasur mbështetjen e asnjë prej kryeministrave të kohës, nuk bëri tentativë për prishjen e tij. E shtrirë në një sipërfaqe prej 8500 metrash katrorë, trualli ka sot një vlerë rreth 100 milionëeuro. Në vitin 2018 tentativa e Veliajt për ta dhënë me koncesion dështoi në këshillin bashkiak, pasi nuk siguroi dot shumicën.
Në këto rrethana, çështjen e mori në dorë parlamenti ku me votat që kishte atje Rama, mori kompetencat e këshillit bashkiak. Në letra koncesionarit iu hap rruga që të prishte teatrin kombëtar, por në realitet gjërat u vështirësuan shumë.
Për dy vjet rresht Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, nuk ka munguar asnjë ditë në oborrin e këtij institucioni, duke dhënë një mesazh të qartë për këdo që guxonte ta prekte. Ajo nuk ka munguar as atëherë kur Erioni i Bashkisë postonte nga çarteri momente tëmbjelljes së pemëve.
Teatrin Kombëtar e mori në mbrojtje dhe Europa Nostra, një organizatë evropiane që merret me mbrojtjen e kulturës. Madje kjo e fundit ka premtuar dhe financimin e 80% të vlerës së rikonstruksionit.
Në këto kushte koncesionari të cilit i duhej të përballonte jo vetëm humbjen e kohës, por dhe akuzat që i vinin nga të gjitha anët u tërhoq.
Duke parë ndjeshmërinë e çështjes, Rama ia kaloi në pronësi teatrin Erion Veliajt, i cili po nxiton që ta shembë duke folur në emër të “interesit Publik”. E megjithatë, sot pas dy vjetësh ai i ka të gjithë kundër.
Pyetja që shtrohet është:
A mund ta mbajë kurrizi i brishtë i ish-kreut të Mjaft-it, peshën e një gabimi historik siç është shembja e Teatrit Kombëtar?
A mund të përballet ai me njerëz që janë gati të japin gjithçka për atë godinë?
A mund të përballet ai me vendosmërinë e Neritan Liçajt, Robert Budinës, Kastriot Çipit e të tjerëve që prej dy vjetësh në diell e në shi i gjen në oborrin e Teatrit?
Kjo mbetet për t’u parë!