Liga e Europës ka luajtur sot ndeshjet e kthimit të turit të dytë eliminator dhe natyrisht nuk kanë munguar surprizat, ku një ndër të cilat është eliminimi i Spartës së Pragës. Vetëm pak ditë më parë, ekipi çek arriti të siguronte shërbimet e Peter Olainkës për një shifër që kap vlerën e 3.2 milionë eurove.
Megjithëse Sparta ka një buxhet relativisht të lartë, është eliminuar nga një ekip i panjohur, me buxhet vlera e të cilit arrin deri në 300 mijë paund. Spartak Subotika që vjen nga kampionati serb, është ekipi i cili ka arritur të bëjë ndoshta surprizën më të bukur në këtë fazë, duke treguar se paratë nuk janë gjithçka në futboll, por mjafton dëshira dhe pasioni për të bërë diçka të mirë.
Spartak Subotika është një skuadër me lojtarë të rinj në moshë, të cilët janë nga 21-22 vjeç. Natyrisht, që ekipe të tilla janë një shembull për t’u ndjekur dhe një rast të tillë e kemi edhe në Shqipëri. Megjithëse Laçi e nisi sezonin me objektiv mbijetesën duke qenë se kishte lojtarë shumë të rinj, arriti të kualifikohej për në Ligën e Europës, aty ku edhe eliminoi gjigandët e Anorthosis.