Editorial

Shenjat e një vere shterpë







               Publikuar në : 19:36 - 15/07/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Mesi i korrikut, siç pritej, e ka ulur tempin e debatit dhe konfliktit politik, edhe pse problemet e mëdha qëndrojnë aty pas dere, të pazgjidhura, madje të mahisura.

Shenjat që shfaqin tek-tuk aktorët kryesorë të jetës publike, e kemi fjalën për ata të qeverisë dhe opozitës, nuk premtojnë shumë.

Ndoshta janë sinjalet e para, por ato tregojnë se na pret një verë shterpë.

Nuk ka asnjë të dhënë deri më tani se përpara kemi një sezon ku do të debatohet për ide, për platforma apo për zgjidhje të mëdha, jo vetëm të krizës që kemi nëpër këmbë, por të shumë çështjeve mbledhur kapicë, që koha tregoi se janë anashkaluar tashmë prej gati 3 dekadash.

Shihni kryeministrin. Pasi tentoi të fuste në publik me ca pasime, idenë se ka një normalitet monoton, një mërziti rutinë si me thënë, doli së fundmi i alarmuar se informaliteti paska shpërthyer anekënd. Si gjithherë, ai ka dikë për të fajësuar, dhe asgjë për të mbajtur përgjegjësi vetë.

Kësaj radhe, opozita që nuk ka më as ujësjellësit e bashkive që kanë prishur vendin, fajin e paska për retorikën e saj, politika që ka ndjekur ajo së fundmi, sipas tij, paska frymëzuar një sjellje antishtet. Në qoftë kështu, Rama pranon se opozita që frymëzon shmangien e taksave, qenka më e fortë se ai që jo vetëm predikon, por ka në dorë çdo instrument për të bërë, atë, të përndriturin shtet.

Po përtej këtij zakoni, për të gjetur armiq e për të fajësuar çdokënd, nëse arka e shtetit është bosh, një gjë del qartë në pah. Se ato që ai ka bërë në këto vite, nuk paskan qenë reforma të thella e serioze për të futur vendin në shinat e formalizimit, por paskan qenë vetëm fushata dhe masa. Ndryshe, si shpjegohet që shteti i tij, bie në 4 muaj.

Reformat e vërteta kanë të tjera përmasa, ato nuk konsistojnë vetëm në dajakun qeveritar, por në taksim të drejtë, të ndershëm, barazi para ligjit dhe stimulimin kur duhet. E sidomos, transparencë dhe gatishmëri nga ana e qeverisë për të treguar se ajo e kthen mbrapsht atë që merr në formë shërbimesh apo në instrumente të tjera që nxisin edhe më shumë rritjen e biznesit, rritjen e prodhimit. Kjo do të krijojnë klimën e besimit, që vlen më shumë se dhjetëra masa e fushata. Nëse lufta ndaj informalitetit është vetëm kamxhik dhe shtrëngimi i lakut ndaj sipërmarrjes, kjo herët apo vonë ka për të dështuar.

Më anë tjetër, kemi opozitën, e cila edhe ajo nuk ngjan se ka ndërmend të investohet në ndonjë debat apo ide të rëndësishme në publik, të krijojë një atmosferë ku opinioni gëlon nga alternativa, platforma dhe programi për zgjidhje, por vëmendjen më së shumti e kanë tërhequr edhe andej, masat.

Kemi së fundmi disa masa.

Një grup i ri koordinatorësh është shpallur, që do u lëshohen strukturave të PD, në një fushatë tjetër për të nxjerrë nga atje xeherorë me vlerë, se me gjasë gjithë puna qenka se gurët e çmuar atje janë, te degët, dhe puna e do me rrit monitorimin, kontrollin dhe nxitjen e tyre.

Kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, sidomos në një parti që ka çaluar gjithnjë nga organizimi.

Por pritshmëria e njerëzve është tjetërkund.

Qytetarët, sidomos këtë periudhë vere, ku dhe vigjilenca ndaj politikës bie dhe prek fundin, tjetër muzikë kërkojnë nga opozita. Te shqisat e tyre mund të mbërrihet vetëm me ide, me shpallje, me platforma të studiuara mirë, që do të sillnin një ndryshim të madh. Që do të bënin të mundur kapërcimin e krizës politike, dhe do të krijonin shtratin për daljen nga tranzicioni i pafund. Një paketë që merr përsipër të sjellë zgjidhje për problemet që mundojnë vendin, si: prona, ligji, arbitrariteti i qeverisë, siguria, investimet, punësimi, edukimi. Dhe patjetër, të gjitha këto të lidhura me ekonominë.

Këta dy muaj janë të përshtatshëm, pasi politika nuk gjendet nën presionin e lajmit të ditës dhe nën trysninë e 50 emisioneve televizive, që për fat janë mbyllur për ca javë. Tani secili e ka kohën të reflektojë, të mendojë e të dalë me ide.

Për fat të keq, shenjat e para tregojnë se në këtë drejtim do të kemi një verë shterpë. Po ngelet ende kohë për të ndryshuar.


Etiketa: , , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas