Aktualitet

Shenjtëria e paprekshme e territorit






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:20 - 19/09/20 |
Nga Artan Fuga

…dhe sindromi i Shën Naumit në shtetformimin tonë!


U bë pothuajse dy vite që publiku shqiptar shqetësohet edhe habitet. Kishte ndofta që prej viteve ’20 të shekullit të kaluar që nuk kishte dëgjuar të tilla probleme. Madje edhe ata që atëhere ishin përballur me ta, nuk janë më gjallë.


Fjala është për kufijtë territorialë të Shqipërisë, pra të Atdheut tonë të përbashkët. Sepse territori më së paku ka si terminologji dy shtresa. Nga njera anë territorin e shtetit, si koncept gjeopolitik, por territorin edhe si një e mirë publike që kërkohet të menaxhohet me të gjitha pasuritë e tij. Këto dy rrafshe, pa përjashtuar konceptin e territorit si hapësirë mikrosociale e bashkësive, familjeve apo personave të ndryshëm, nuk janë pa lidhje, përkundrazi kanë të përbashkëta dhe bashkëveprime me njeri tjetrin.



Çfarë shqetësimesh i kanë zënë veshët dhe i kanë turbulluar mendjen publikut të gjerë shqiptar në këto dy a tre vitet e fundit sidomos?


I pari nisi me idenë e ndryshimeve territoriale në Kosovë. U bë fjalë, madje mes debatesh të mëdha ku si gjithmonë nuk mbetëm pa shkuar te fjala e fundit, pra te ndarja kuptimore : patriotë versus tradhëtarë, që Kosova të jepte një pjesë nga Veriu i vet, për të marrë, ose mos marrë nga territore ku jetojnë shqiptarë në Serbi në sektorin e Medvjegjës, etj. Nuk u kuptua as se kush e lançoi i pari idenë, as nuk u morr vesh se kush e frymëzoi pavarësisht hamendjeve që u bënë dhe supozimeve herë të drejtë dhe herë paksa të sforcuara. Por, habija mbeti. Kosova të japi territore të vetat në Veri, që të fitojë njohjen e pavarësisë nga Serbia!!! Pragmatistët, me pushtet në Shqipëri dhe në Kosovë, e paraqitën këtë si një rrugë e zgjidhjes të konfliktit. Por, problemi mbetet: Çfarë na thotë përvoja ndërkombëtare, a mund të njihet sovraniteti duke bërë “dhurata” të kësaj natyre?


Kush do ta kishte të drejtën ta blatonte pjesë të rëndësishme në territorin e Kosovës qoftë edhe me qëllimin që të fitonte “qetësinë” sovrane në raport me Serbinë? Pavarësisht mendimeve që u shprehën ajo që bënte përshtypje kanë qenë dy anë të rëndësishme: E para, lehtësia me të cilën kjo ide u hodh nga njerëz me pushtet në Kosovë dhe u mirëkuptua nga njerëz me pushtet në Shqipëri, ndërkohë kur çështja e integritetit territorial është ndofta aspekti më i rëndësishëm i sovranitetit të një shteti Kush në Evropën e sotme, apo edhe më gjerë, edhe pse në kushtet e globalizimit, apo edhe të Europës të Bashkuar, pranon të cedojë qoftë edhe një mm nga territori i vet kombëtar? Askush.

E gjitha kjo histori u mbyll kur në marrëveshjen Kosovë – Serbi në tavolinën e Presidentit Trump u pa qartë se në dokumentin në fjalë, shyqyr Zotit!, nuk bëhej fjalë për ndryshim kufijsh e shkëmbime territoriale. E dyta, sesi çështja dhe ideja mbetej pezull, me tërheqje dhe avancime, dhe nuk u bë kurrë një analizë e qartë diplomatike, strategjike, ekonomike, ushtarake, etj., se çfarë do i sillte Kosovës dhe Shqipërisë i gjithë ky proces.

Një lehtësi e papërgjegjshme qendrimesh a thua se është për t’u ndarë një tepsi me byrek në një drekë përkujtimore!

Por, territori është tabani i shtetit në mos trupi i materializuar i tij. Ristrukturimet territoriale zgjasin ndofta dekada para sesa popujt të bien dakord me njeri tjetrin apo t’u imponohen ndryshime të pranueshme. Nuk është territori një tortë që ndahet lehtësisht.

Sapo pa mbaruar kjo çështje që gjithsesi qendron varur në kokat tona si shpatë, nisi konflikti Turqi – Greqi për hapësirat detare përkatëse. Aty shihet sesi këta shtete dhe kombe me tradita edhe luftarake në histori, nuk i lëshojnë njeri tjetrit asnjë mm në det, asnjë kreshtë dallge, asnjë rrip rëre deti, asnjë kiligram kripe, nëse do ta thoshim kështu. Dhe në mes këtij zjarri ku Shqipëria bën sikur nuk i intereson, pa asnjë qendrim veç qendrimit “paqë”, “paqë”, sikur dikush tjetër mund të thoshte ndryshe, doli edhe historia e 12 miljeve që Greqia do të zgjerohet sipas vendimit të saj.

Nuk është as vendi, as ky tekst që mund të përballi problemin juridik ndërkombëtar si edhe ta ballafaqojë atë me të drejtën ndërkombëtare. Nuk pretendoj asnjë kompetencë në këtë fushë. Nuk është as ky objekti dhe vëmendja e këtij shkrimi. Problemi është që nga autoritetet zyrtare shqiptare të pushtetit ekzekutiv kjo çështje kaloi me thënien se juridikisht Greqia e ka këtë të drejtë, por problemi mund t’i besohet një pale të tretë, ose Gjykatës të arbitrazhit!!!

Sa lehtë u kalua. Por, pothuajse kemi një njëkohshmëri. Sapo u duk sikur u mbyll një coptim tokësor i tokave me banues shqiptarë në Veri, në Kosovë, ku Shqipëria u interesua, por me ekzekutivin e vet, ishte e mirëkuptueshme që edhe mund të ndodhte, menjëherë u çel dosja tjetër. Shteti fqinj kërkon 12 milje. Para sesa të themi a ka apo nuk ka të drejtë ta bëjë, shtetit shqiptar i takon të thotë që asgjë nuk mund të bëhet pa mirëkuptimin e Shqipërisë. Shqipëria nuk merret me të drejtën ose të padrejtën e Greqisë, por me interesin e vet që është përmbi çdo të drejtë, ose të padrejtë. Sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare të drejtë apo të padrejtë shtetet quajnë atë që përputhet me interesin e tyre. Kjo është historia, madje edhe e drejta nuk është veçse e interesuar në kuptimin juridik të fjalës. Por, le të mos i hyjmë këti debati.

Të vendosi një palë e tretë se ku do të ndahet kufiri në det mes Shqipërisë dhe Greqisë nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese por edhe e filozofisë të negociimit nuk ka themel të qendrojë. Po, sikur ajo palë e tretë të vendosi kundër interesave shqiptare? Në parim flasim! Cfarë ndodh? A nuk vendosi Komisioni Ndërkombëtar për një kufi të caktuar në Jugun e Shqipërisë aty nga viti i largët 1913 dhe patriotët shqiptarë e konsideruan të padrejtë? Një kufi mund të imponohet, por nuk mund të imponohet që një komb a një shtet ta quajë atë të drejtë.

Nuk vazhdoi shumë kur një “shashkë” tjetër u bë gati të plaste lidhur me teritorin përsëri. Sipas një projekt vendimi që qeveria ia besoi ministrit të brendshëm ta çonte përpara, aq më shumë një ushtarak shumë i lartë karriere, lexohej se në komunat a bashkitë me një numur të caktuar personash me origjinë etnike jo shqiptare, gjuha publike atje do të ishte edhe e këtyre minoriteteve. Madje edhe koncepti se kush person do të quhej shqiptar, pra marrja e kombësisë, propozohej të ndryshohej.

Për mendimin tim kjo ishte një mendjelehtësi e pafalshme që popujt e mendojnë gjatë dhe pas shumë reflektimesh për atë që fitojnë dhe humbasin. Unë jam shumë partizan i të drejtave komunitare dhe personale të shtuara, siç quhen, për pakicat minoritare sepse jam i ndikuar fort nga punimet teorike të sociologut dhe filozofit kanadez Kymlicka. Por, shndërrimi i komunave kryesisht periferike, madje kufitare, në hapësira territoriale të menaxhuara nga komunitete të ndara nga ana gjuhësore, politike, etj., më dukej se nuk zgjidhej me një vkm sikurse po bëhej. Aq më shumë që kjo çështje prekte rendin kushtetues në Shqipëri dhe mbi të gjitha krijonte një sërë rreziqesh shpërbërjeje në zonat territoriale kufitare, pra një dobësim të kontrollit qeverisës të kombit shqiptar mbi territorin e vet.

Pa dyshim ka vend të zgjerohen të drejtat e komuniteteve etnike në Shqipëri. Ka vend për zë të tyre në media, në shkolla, në përballjen me gjyqësorin, në ruajtjen e trashëgimisë të tyre, etj., mirëpo çështja është që në këtë pikë çdo shtet serioz dhe i përgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësinë e tij vendos gjithmonë në ekuilibër dy vlera : integritetin territorial dhe mbrojtjen e tij si një unitet tërësor dhe zhvillimin e të drejtave komunitare të etnive të tjera brenda territorit të tij. Nuk zgjidhen këto çështje me një VKM, sikurse na propozohej.

Në të treja, rastet, pa marrë përsipër analizën e tyre konkrete përmbajtësore, ajo që çudit eshtë njëkohësia e proceseve. Ku na dolën, ku na u shqepën njëherësh të gjitha këto probleme me territorin?

Dhe pastaj, pikërisht, a do të duhet të shpejtohemi kaq shumë, ta mbyllim me një debat hokatar në studio televizive, këtë çështje që ka të bëjë as më shumë dhe as më pak, por me territorin, pra me atë që romantikët gjermanë të shekullit të 19 e kanë quajtur humusin ku rritet shtati i bimës së madhe, pra i shtetit?

Atje lëshojmë toka me pretekstin se më mirë një “llokmë” më vogël territoriale, por e njohur nga Serbia, sepse një territor ashtu sikurse ka qenë ndarë administrativisht dhe mbi bazën e së drejtës së kohës, këtu lëshojmë det sepse formalisht Greqia paska të drejtë të zgjerohet 12 milje në det. Atje matanë territorin e komunave periferike ose komunitare e bëjnë terren përplasjesh linguistike dhe pastaj politike midis shqiptarëve dhe komuniteteve etnike të tjera.

A nuk jemi në një periudhë lëkundjesh ku shohim se toka, toka jonë, po na lëviz disi nën këmbë?

Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm! Nuk akuzoj askënd. Por si frikëra nuk mund të mos ngre dilema dhe supozime të miat!

Mos harrojmë që vitet 90 kanë qenë të bekuara për zgjerimin territorial të shqiptar apo për konsolidimin e vlerave territoriale të tyre. E para, territori i Shqipërisë nuk ishte më një burg i rrethuar me tela me gjemba ku në klonet e të cilit vriteshin bijtë e Shqipërisë që kërkonin idealet e tyre, cilatdo që ishin. E dyta, shqiptarët në Kosovë arritën ta nxjerrin territorin e tyre nga suaza serbe dhe të jenë të pavarur. E treta, si rezultat i demokratizimit, shqiptarët në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, arritën të kontrollojnë lokalisht atë që në shtete multikombëtare ishte e drejtë e të gjithë popujve dhe jo një pretendim i ekzagjeruar shqiptar.

Patëm një stabilizim dhe një kontroll në avancim mbi vlerat territoriale mbi bazë paqen, bashkëpunimin dhe të drejtën ndërkombëtare, apo mirëkuptimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë të drejtat e mohuara.

Ndërkohë, tani në dekadën e dytë të shekullit kanë rinisur shqetësimet. Revansh, apo në kushtet e një planeti që po njeh probleme dhe qendra rivaliteti të pluralizuara kontrolli unitar mbi territorin në Ballkan ka rënë dhe dëshira të vjetra kanë gjetur kohën të ridalin?

Mos vallë nuk kemi kuptuar Rilindjen Kombëtare të shekullit të 19? Mos e kemi harruar sepse u muar vesh që në letërsi autorët e mëdhenj shqiptarë i ka zëvendësuar Turi, Tur – budallai, Tur – idioti, që bën raftin, merret me marketingun e Sarandës, dhe fut hundët në qindra budalliqe të tjera! Por, kur Naim Frashëri iu këndonte pyjeve, fushave, maleve, pemëve, kullotave, në fakt ai i këndonte territorit, o njerëz! Mos e kuptoni thjesht si poezi, si punë vjershash! A në fakt shprehte hapësirën në kohë, territorin në poezi. Jo më kot panteizmi shqiptar Zotin, Natyrën, territorin e Atdheut i konsideronte në vazhdën e filozofisë të Spinozës dhe më herët akoma të sufistëve klasikë, si një e tërë e pandarë. Zoti është territori, territori është Zoti. Kush prek territorin ka prekur Zotin!

Por, shkolla shqiptare sot nuk është në gjendje kurrsesi të interpretojë në mënyrë moderne dhe aq më pak postmoderne Rilindjen Kombëtare dhe poezinë e saj. Më e mira çka arrin të bëjë janë aventurat idiote të Turit në këtë fushë, sikurse na e ka vërtetuar katërcipërisht me tezën e provimit të maturës.

Mos vallë kemi mendimin se bota është bërë globale tashmë, pra vlera e territorit ka rënë? Mos kujtojmë se duke qenë në kushtet e një tregtie të lirë dhe të hapur, nuk ka më rëndësi se e kujt është ajo ferrë aty, apo ai shkëmb atje? Ky do të ishte një gabim i madh. Le të shohim si e ruajnë territorin e tyre vendet e Bashkimit Europian, ose Anglia, e shtete të tjera. Kur guxojnë shqiptarë të shkretë të qendrojnë pa dokumente në ato territore na i sjellin me policë në shtëpitë e tyre! Ka shembull më të madh sesi pra janë xhelozë që as mos t’u preket territori, jo më ta japin a shkëmbejnë lehtësisht atë!

Mos jemi bërë virtualë për shkak të Internetit dhe të Webit? Sepse virtualisht duket sikur komunikon me tjetrin në fund të globit shpesh thuhet se Interneti zhduku hapësirën fizike!!! Sigurisht, e zhduku në kuptimin figurativ të fjalës, por jashtë botës të webit, territori fizik është atje dhe duhet mbajtur me kujdes sepse është trashëgim i të parëve për ata që do të vijnë, ne nuk kemi asnjë tagër mbi të. Nuk është as i brezit tonë, as i një kryeministri, dhe as i një qeverie.

Mos vallë nga që jemi ngucur e struktur rreth Lanës, kemi lënë bosh territorin, kujtojmë se shteti shqiptar mund të mbahet rreth territorit të Lanës, të jetë një territor lanabregas, sikurse iu imponua Ismail Qemalit me shtetin trekëndësh Vlorë – Elbasan – Berat? Kjo do të kishte qenë e pafalshme sidomos kur shohim pasuritë tona kombëtare në territor që shkojnë për “dhjamë qeni”. Por, sikurse e shpjegonte edhe Darvini, por jo vetëm, një organ i trupit që nuk përdoret, atrofizohet, humbet bashkë me funksionin edhe formën edhe materien e vet.

Se shumë mbahemi në poezi, mitologji, etnocentrizëm, histori se kemi qenë trima dhe kemi mbijetuar. Por, duhet parë me kujdes historia dhe faktet. Si kemi mbijetuar? Duke e rrudhur territorin tonë në administrim shtetror. Duke lëshuar territor. Eshtë qysh në gjenezën e ndërtimit tonë kombëtar ky allishverish që mund ta quajnë të detyruar, mund ta quajmë zgjuarësi taktike diplomatike, mund ta quajmë horrllik, mund ta quajmë lënie e copave të territorit për ta shkëmbyer me njohjen e pushtetit të një pakice politike drejtuese që kështu çimenton pushtetin e vet, mund ta quajmë tragjedi fatale të historisë sonë. Quajeni si të doni, fakti mbetet aty sa një mal, sa kodra e bukur e Shën Naumit.

E mësoi mbretëria këtë kur lëshonte toka. E mësoi edhe komunizmi që për motivin “quajeni si të doni” u rregullua me Titon me kushtin e lëshimit të çdo pretendimi shqiptar mbi territoret e plota shqiptare.
Trima mbase jemi, por tokat i kemi lëshuar, edhe të tjera ndofta mund të kishim lëshuar nëse në periudha të ndryshme historike, për interesat e tyre sigurisht mos kishte ndërhyrë Austro-Hungaria, Shtetet e Bashkuara, Italia, madje ndonjëherë dhe paradoksalisht edhe Serbia, madje historia do thënë sikurse është edhe Rusia (Bashkimi Sovjetik) dhe Stalini! E pabesë historia, por nuk mund të bëhet si e duam sot ne!

Jep këtu e jep atje jep katandisur në shekuj në një rryp toke mes detit dhe maleve dhe nuk kemi më çfarë japim. Nuk kemi më çfarë mirëkuptojmë. Gjeopolitikisht jemi mbledhur në këtë rryp toke të ngushtë që është toka jonë, kurse ekonomikisht jemi mbledhur buzë Lane duke ja lëshuar territorin askujt. Cka edhe lind mendimin: Ore po këta nuk e përdorin, kot e kanë, a nuk ua marrim edhe këtë?

Mos duke e lënë me funksion kaq të dobët ekonomik, social, territorin, atij po i ndodh po e njejta gjë? Po zhvlerësohet dhe jemi gati ta negociojmë lehtësisht atë në shkëmbim nuk e di të kujt gjëje, pse jo, edhe të karriges për pushtet?

Japim territor për të mbajtur pushtet duke kënaqur territorialisht ata që na mbajnë në pushtet? Nuk duhet harruar se na ka ndodhur në histori, jo njëherë, por disa herë me radhë.

Ka një mallkim që jo rrallë zë elitat politike të kombeve të vegjël. Për pushtet negociojnë gjithçka. Të urojmë dhe përpiqemi të gjithë që kjo mos të na rindodhi!


Etiketa: , , ,

Pas