Aktualitet

SHENJTËRIMI/ Nënë Tereza Frymëzim për një Shqipëri më të dhembshur e njerëzore














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 06/09/21 |
mapo.al

Në meshën e shenjtë kushtuar Nënë Terezës, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, tha se shenjtorja Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur






5-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku bashkoi dje një numër të madh banorësh në katedralen “Nënë Tereza” në Vaun e Dejës, e vetmja katedrale në Shqipëri që mban emrin e shenjtores me origjinë shqiptare. Në meshën e shenjtë kushtuar Nënë Terezës, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, tha se shenjtorja Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur.


Misionaret e saj, tha si, janë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, duke dëshmuar këtë bamirësi dhe dashuri të saj për më të varfrit.







Edhe sot, jeta dhe vepra që na la Nëna jonë Tereze janë një dëshmi dhe një ikonë e gjallë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzve, në mënyrë të veçantë, ndaj të varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi dhe shërbimi vëllazëror për të gjithë që kanë nevojë”, tha imzot Simon Kulli.



Nënë Tereza, tha imzot Kulli, me veprën e saj rikthente shpresën tek më të varfrit dhe të përbuzurit. Vepra e saj, shtoi ai, vazhdon edhe sot e kësaj dite, sidomos në këtë periudhë të pandemisë, që ka tronditur botën.



Jam i sigurtë se ka edhe sot Nanë Tereza, që i përngjajnë Nanës tonë, Shën Terezës së Kalkutës. Janë ata që janë afër të sëmurëve dhe të varfërve në këto ditë të vështira. Janë infermierët, mjekët, janë ata prindër, janë ata vëllezër dhe motra që u shërbejnë të sëmurëve, që nuk kanë frikë t’i afrohen të sëmurit edhe pse është me pandemi”, tha ai.

Mes mesazheve të shumta që përcjell jeta dhe vepra e shenjtores Nënë Tereza, ipeshkvi i Sapës veçoi rëndësinë e një familje të bashkuar, nevojën për të çuar në familje lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen.

Duke përfunduar, imzot Simon Kulli, j’u drejtua besimtarëve që të përpiqen t’i ngjajnë sadopak në dashuri dhe bamirësi Nënës Tereze.

“Dhashtë Zoti që, nëpërmjet Shën Nënë Terezës, të mundohemi edhe ne të jemi një pikë e vogël në oqeanin e botës së sotme, të jemi model dhe t’i përngjajmë sadopak në dashuri, në bamirësi Nanës tonë Tereze”.

Po sot, përmes rrjeteve sociale, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Luzim Basha, përcollën mesazhe vlerësimi për jetën dhe veprën e shenjtores Nënë Tereza në 5 vjetorin e shenjtërimit të saj.

5 shtatori, dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, është shpallur festë zyrtare në Shqipëri.

MESAZHE DHE REAGIME

Meta shfaqet para ikonës së Shenjtores
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë një mesazh të fortë në 5-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, teksa shfaqet para ikonës së saj. Presidenti Meta shkruan se shembulli i saj, vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore.

“Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, krenarisë tonë kombëtare, shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore, ku çdo qytetar në nevojë gjen ndihmë, përkrahje, zgjidhje të halleve, përfshirje sociale, shanse dhe mundësi të barabarta. Të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj!”, shkruan Meta.

Rama nxjerr videon me thënien e çmuara të shenjtores
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu bashkua reagimeve me rastin e kësaj dite të shënuar, duke publikuar një video me thëniet e çmuara të Nënë Terezës, përmes zërit të aktores së mirënjohur, Margarita Xhepa.

Mirëmëngjes, dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama

Basha: Ditë krenarie
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Përmes një mesazhi, lideri demokrat thekson se kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë krenarie kombëtare dhe reflektimi. “Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë krenarie kombëtare dhe reflektimi. Mënyra më e mirë për ta nderuar Shën Terezën është shndërrimi i misionit të saj në misionin tonë, i shembullit të saj në frymëzim dhe nxitje për të bërë më shumë dhe me përulësi për ata që janë në nevojë e pa mbështetje, të braktisurit e të sëmurët, për të sjellë shpresë për një jetë më të mirë për gjithë të rinjtë dhe të rejat që si të vetmen zgjidhje shohin emigracionin, me besimin se edhe në ditët më të vështira, e mira triumfon gjithmonë mbi të keqen!” shkruan në mesazhin e tij Basha.

Kamëz, bulevardi kryesor “pagëzohet” me emrin “Nënë Tereza”
Bulevardi kryesor i qytetit të Kamzës, ka marrë emrin “Nënë Tereza”, në nderë të shenjtores shqiptare. Gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar dje në bulevardin e ri, ku të pranishëm ishin dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kryetari i Bashkisë, Rakip Suli si dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi është vendosur edhe shtatorja e Nënë Terezës, e realizuar me mjeshtëri nga skulptori Ardian Pepa.

Bulevardi “blu”, siç ishte emërtuar nga administrata e dikurshme, me vendim të Këshillit Bashkiak ka ndërruar tanimë emrin, duke u quajtur Bulevardi “Nënë Tereza”, një vendim i mirëpritur edhe nga qytetarë të shumtë të Kamzës të cilët ishin pjesëmarrës në ceremoninë inauguruese. Ministrja Spiropali u shpreh se: “ky bulevard do të mbajë emrin e shenjtores në nder të misionit të saj të papërsëritshëm. Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është kujtesë e fortë për mbarë botën se ç’mësim njerëzor i dha kombeve shqiptarja humaniste”.

Shehu: Nënë Tereza na ushqen me besim
Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet i PD-së, Tritan Shehu iu është bashkuar urimeve me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës. Përmes një postimi në Facebook, Shehu teksa vlerëson figurën dhe kontributin e shenjtores, thekson se ajo ishte një shqiptare, personaliteti më i fuqishëm e i spikatur i kombit tonë në këtë periudhë të historisë.

Nënë Tereza e Shenjtë, 5 vite më parë! Një mesazh i qartë botëror ky, për atë personalitet të ndritshëm të njerëzimit mbarë, për veprën, mesazhet, trashëgiminë që krijoi e la pas.

Nënë Tereza pa asnjë dyshim është vendosur krahas figurave më madhore të epokës moderne si Papa Gjon Pali i dytë, Presidenti Regan etj., me vlerat e pallogaritshme ndaj njerëzimit mbarë. Dhe Ajo ishte një shqiptare, personaliteti më i fuqishëm e i spikatur i kombit tonë në këtë periudhë të historisë. Kjo jo thjesht duhet të na bëjë krenare.

Por duhet të na ushqejë me besim e optimizim për çfarë ky komb mund të realizojë në përpjekjet e tij për vlera, demokraci, liri, në rrugëtimin tonë drejt asaj shoqërie, që bazohet mbi këto principe, asaj Europiane e Perëndimore”, shkruan Shehu.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas