Tri ditë më parë në kuadër të operacionit “Shënkolli” në qytetin e Elbasanit u sekuestruan 550 gramë lëndë narkotike kokainë. Tashmë janë zbuluar fotot e 6 autoreve të arrestuar, ku ndër to, kreu i grupit Klaidi Gjeci konsiderohet si mik i Emiljano Shullazit.
“Policia gjatë kontrollit fizik të krerëve të grupit, por edhe kontrollit në banesat e tyre, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej rreth 550 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë”, thuhet në deklaratë.
Në pranga ka përfunduar, Klaidi Gjeci, i konsideruar si kreu i grupit të shpërndarjes së kokainës, me precedentë të shumtë penalë.
Gjeci konsiderohet si mik i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht është në burg për një sërë veprash penale, përfshirë grup të strukturuar kriminal. Ai është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Nëntë persona përfunduan gjithsej në pranga gjatë operacionit, midis të cilit edhe dy gra.
Në operacion u përfshinë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Reparti RENEA dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ku u bë i mundur arrestimi i shtetasve:
-Klaidi Gjeci, 32 vjeç, banues në Elbasan me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit;
-Agron Qafa, 45 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit;
-Skëndër Pëllumbi, 23 vjeç, banues në Elbasan;
-Lavdosh Demaj, 35 vjeç, banues në Elbasan;
-Lorencio Gjini, 25 vjeç, banues në Elbasan;
-Kladio Trungu, 31 vjeç, banues në Elbasan.
Si dhe ndiqen në gjendje të lirë dy shtetase. Shtetasit A. Q., dhe K. Gj., si organizatorë të grupit kriminal, siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.
Policia e Shtetit thekson se operacioni është ende në vijim, për identifikim dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.