Policia e Korçës ka zbardhur detaje nga konflikti me armë që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Moravë
Mësohet se dy persona janë arrestuar, pasi u përfshinë në një sherr me pronarin e një lokali. Policia thotë se ka qenë njëri prej të rinjve që ka qëlluar në drejtim të lokalit me armë zjarri.
“Pas marrjes së njoftimit së në fshatin Moravë, Korçë, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, njëri prej tyre dispononte dhe armë zjarri dhe si pasojë konflikti mund të përshkallëzohej në përdorimin e armëve të zjarrit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Falë reagimit në kohë u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve L. Xh., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë dhe K. L., 16 vjeç, banues në Korçë. Këta shtetas janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin M. F. dhe gjatë konfliktit shtetasi K. L. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit M. F., pa shkaktuar dëme në njerëz dhe më pas është larguar nga vendngjarja”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mësohet se pasi u ndaluan dy të rinjtë, policia ka ushtruar kontroll në afërsi të vendit ku kishte ndodhur konflikti dhe si rezultat gjetën e sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilat dyshohet se i përkasin 16-vjeçarit K. L.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.