fbpx

Aktualitet

Sherri për postet/ Kryetari i PS, Durrës u rrah në sy të deputetëve






               Publikuar në : 15:06 - 10/10/19 |
mapo.al

Luan Zaza, i cili prej 4 vitesh është kryetar i Partisë Socialiste, dega Durrës është goditur me grushte nga Sekretari i Këshillit Bashkiak, Armand Tragaj. Shkak për konfliktin mes tyre është bërë propozimi i paraqitur nga Zaza për shkarkimin e Tragajt.


Kërkesa nuk ka kaluar në votim për shkak të mungesës së disa anëtarëve të Këshillit, duke bërë që të mos plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 26 anëtarësh. Vendimi është shtyrë për mbledhjen e ardhshme, e cila pritet të mbahet këtë fundjavë. Mbledhja e këshillit është shoqëruar me debat dhe tension, pasi Tragaj ka lëshuar akuza ndaj kreut të PS-së në Durrës.



Por, situata është tensionuar më tej kur Tragaj dhe Zaza janë përballur në lokalin “Center”, pranë Bashkisë së Durrësit. Ndërsa Zaza ndodhej i shoqëruar me dy deputetë të Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit, Ilir Ndraxhi dhe Roland Xhelili, Tragaj ka nisur të debatojë me të lidhur me kërkesën për shkarkim dhe në një moment e ka goditur me grushte.

Është dashur ndërhyrja e dy deputetëve të PS-së që situata të mos përshkallëzohej më tej. Sherri konfirmohet për “Panoramën” nga dëshmitarët okularë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e kur Tragaj sulmoi Zazajn.

I kontaktuar nga “Panorama”, vetë 32-vjeçari Tragaj shprehet se ka qenë në dijeni për ngulmimin e kreut të degës së PS-së për ta larguar nga pozicioni që mban në Këshillin e Bashkisë Durrës.

“E di që Luani po ngulmon për të më hequr. Jam gati për të ikur dhe jam përgatitur dhe moralisht”, shprehet ai.

Ndërkohë, vetë kreu i degës së PS-së nuk ka bërë ende asnjë reagim lidhur me incidentin, gjithashtu nuk ka bërë as denoncim në Polici. E gjithë kjo situatë vjen në një kohë kur kanë mbetur dhe katër muaj nga zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së për degën e Durrësit.


 


Etiketa: , , ,

Pas