Nga Aranit Muraçi
Deri në vitin 1981, kur kishte vetëm tre vite që Shqipëria i kishte shkëputur marrëdhëniet me Kinën, 88 për qind e popullsisë kineze jetonte në varfëri ekstreme; sot niveli i varfërisë në vendin me 1.4 miliard banorë është më pak se një për qind. Si u realizua kjo mrekulli ekonomike?
Asnjëherë në historinë e botës nuk ka ndodhur, që kaq shumë njerëz, me qindra milionë të kapërcejnë nga varfëria ekstreme, në atë që njihet si shtresa e mesme, në një kohë kaq të shkurtër. Zhvillimi i Kinës tregon se, nga rritja e saj ekonomike e saj – po përfiton shumica dërrmuese e popullsisë. Edhe pabarazia në Kinë është rritur, por askush nuk do të preferonte të zgjidhte aktualisht që të kthehej në kohën e Maos, kur kinezët pretendonin të ishin më të barabartë, por në fakt ishin shumica në varfëri ekstreme.
Së pari duhet bërë dallimi mes sistemit politik dhe atij ekonomik. “De-facto” Kina pas revolucionit ekonomik të vitit 1981 ndjek nga pikëpamja ekonomike sistemin kapitalist, ndërsa si sistem politik nuk ndjek pluralizmin, ka një parti të vetme, dhe udhëhiqet nga Partia Komuniste Kineze.
Kina që kur lejoi sipërmarrjen, sot ka më shumë miliarderë se në çdo vend tjetër të botës, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara; Pekini aktualisht është shtëpia e më shumë miliarderëve sesa ka Nju Jorku. Sipas Forbes, Kina ka këtë vit 539 miliarderë (87 më pak se vitin e kaluar për shkak të pandemisë) nga 735 që numëronte SHBA.
Kjo konfirmon gabimin e qenësishëm antikapitalist, atë të “mendimit me shumën zero”, i cili pretendon se të pasurit janë të pasur vetëm sepse u kanë hequr mundësinë të varfërve. Arsyeja pse qindra miliona njerëz në Kinë jetojnë shumë më mirë sot, nuk ka ardhur prej faktit se ka kaq shumë milionerë dhe miliarderë atje, por pikërisht sepse pas vdekjes së Maos, Deng Xiaoping miratoi sloganin e famshëm: “Lërini disa njerëz të pasurohen”.
Në librin e tij të vitit 2020 “Ideas for China’s Future”, ekonomisti kinez Weiying Zhang shkruan se Deng Xiaoping konsiderohet “arkitekti” i reformave ekonomike të Kinës. “Megjithatë, Deng Xiaoping e kuptoi se reformat ekonomike dhe sociale ndryshojnë shumë nga ngritja e ndërtesave. Ato nuk mund të ndërtohen sipas planeve të paracaktuara. Në vend të saj duhet një qasje “lumi i rrëmbyeshëm kapërcehet duke i mbajtur këmbët te gurët”.
Deng Xiaoping, – argumenton Zhang, – e zbatoi reformën ekonomike përmes eksperimentimeve. Asgjë me rëndësi nuk u dekretua prej tij – as reforma e çmimeve, reforma e tregut të punës, reformat e taksave apo reformat e tregtisë së jashtme. Deng gjithmonë testoi qasje të reja në zona ose sektorë të caktuar (zona të veçanta ekonomike). Nëse reformat kishin sukses në një rajon të vogël, ato zgjeroheshin; nëse jo, ato hiqeshin. Pjesa më e madhe e suksesit të Kinës ishte produkt i nismave “nga poshtë”, të cilat u inkurajuan si një alternativë ndaj dekreteve shpesh të padobishme që lëshonte udhëheqja qendrore. Aftësia vendimtare e Deng ishte, siç thotë Zhang: “Deng Xiaoping dinte pikërisht atë që nuk dinte!”
Deng kishte të drejtë që i dha përparësi zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të tregut, siç mund të shihet edhe nga faktet e mëposhtme: Provincat kineze ku varfëria ra më shumë në dekadat e fundit janë të njëjtat provinca që përjetuan rritjen më të madhe ekonomike. Zhang, i cili është padyshim analisti më i mirë i ekonomisë kineze, hedh poshtë nocionin se suksesi i jashtëzakonshëm i Kinës është rezultat i rolit vendimtar apo të rëndësishëm që mund të ketë luajtur shteti. Ky keqinterpretim është i përhapur prej kohësh në Perëndim, por është gjithashtu edhe më i përhapur në Kinë, ku disa politikanë dhe studiues besojnë se shpjegimi për suksesin ekonomik të vendit të madh aziatik qëndron në një model krejt të veçantë të Kinës (kujtojmë se modeli ekonomik komunist kapitulloi në të gjitha vendet e tjera, me përjashtim të Kinës). Kina është rritur me shpejtësi në katër dekadat e fundit, si asnjë vend tjetër.
Në fakt, “marketizimi” dhe “privatizimi” janë forcat lëvizëse që qëndrojnë prapa rritjes së jashtëzakonshme ekonomike të Kinës. Zhang analizoi të dhënat nga rajone të ndryshme të Kinës dhe arrin në përfundimin se “sa më shumë reforma të orientuara drejt tregut kishte zbatuar një provincë, aq më e lartë ishte rritja ekonomike. Ngecjet në reformat e tregut ishin gjithashtu ngecje në rritjen ekonomike”. Fushat ku reformat e orientuara nga tregu ishin zbatuar në mënyrë më të qëndrueshme ishin pikërisht ato që kishin dhënë rritjen më të madhe ekonomike.
Norma e rritjes ekonomike ka rezultuar më e madhe aty ku kompanitë private luanin një rol më vendimtar. Të dhënat e Zhang-ut e vërtetojnë këtë: “Provincat, ekonomitë e të cilave janë më të ‘privatizuara’ ka të ngjarë të rriten më shpejt, sepse deri tani janë sektorët joshtetërorë dhe jo sektori shtetëror që ka nxitur rritjen e lartë ekonomike kineze.”
Procesi i reformës në Kinë gjatë dekadave të fundit nuk ka qenë kurrë uniform, asnjëherë vetëm në një drejtim. Kishte faza në të cilat forcat e tregut u forcuan shpejt, por kishte edhe faza në të cilat u rivendos roli i shtetit. Rezultatet janë të tilla: prodhimi ekonomik u rrit ndjeshëm më shpejt në rajonet ku shteti nuk ndërhynte. Siç shpjegon Zhang, kjo dëshmon “se rritja e shpejtë e Kinës në katër dekadat e fundit është nxitur nga fuqia e tregut dhe e sektorëve joshtetërorë – dhe jo prej ndërhyrjes së qeverisë e të shtetit.
Weiying Zhang shpreh rrezikun kryesor të keqkuptimit të arsyeve të rritjes ekonomike të vendit të tij, jo vetëm për Kinën, por edhe për Perëndimin. Nëse njerëzit në Perëndim gabimisht arrijnë në përfundimin se suksesi ekonomik i Kinës bazohet në një “rrugë të tretë” unike midis kapitalizmit dhe socializmit, i njohur si “kapitalizmi shtetëror”, Zhang shqetësohet se ata do të dalin në përfundime të gabuara për marrëdhëniet e tyre me Kinën. Në librin e tij, “Ide për të ardhmen e Kinës”, Zhang përdor një metaforë shumë të goditur. “Imagjinoni të shihni një person pa krah që vrapon shumë shpejt. Nëse besoni se shpejtësia e tij vjen nga mungesa e një krahu, atëherë natyrisht do t’u bëni thirrje edhe të tjerëve të heqin një krah. Kjo do të ishte një fatkeqësi!”
Mbrojtësit e një shteti të fortë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara duan të gjithë që të besojnë se suksesi ekonomik i Kinës konfirmon se rritja ekonomike është e lidhur me një shtet të fortë. Analizat e Weiying Zhang vërtetojnë se është e vërtetë pikërisht e kundërta. A po i harrojnë vetë kinezët rrënjët e suksesit të tyre? Gjatë katër dekadave të fundit, ka pasur një luftë të vazhdueshme midis dy ideologjive ekonomike – asaj socialiste kundër ideologjisë kapitaliste. Ndonjëherë mbështetësit e tregut të lirë kanë fituar avantazh, herë të tjera kanë triumfuar mbështetësit e shtetit. Kjo luftë vazhdon ende dhe rezultati i saj do të përcaktojë të ardhmen e Kinës. Mënyra se si Kina merret me krizën e saj të fundit, atë të pasurive të paluajtshme do të jetë treguesi kryesor nëse ajo – ashtu si Evropa dhe Shtetet e Bashkuara – do të ndjekë rrugën e ndërhyrjes shtetërore apo do të tregohet e guximshme për të zbatuar alternativa të tjera të bazuara në ligjet e tregut.
Zhvillimet e viteve të fundit po tregojnë se në Kinë (si kudo në botë sot) besimi në shtet është më i fortë se besimi tek forcat e tregut. Në terma afat të shkurtër, kjo mund të zbusë krizat e fundit dramatike, por terma afat të gjatë do të krijojë probleme edhe më të mëdha. /Liberale.al/