Nga Aranit Muraçi
Totali i depozitave në lek dhe valutë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit prill të këtij viti shënoi vlerën e 1.228 trilionë lekëve, ose rreth 10.1 miliardë euro. E krahasuar me muajin mars të këtij viti, kur depozitat pësuan tkurrje me 0.13% krahasuar me muajin shkurt 2022, kjo shifër rezulton të ketë një rritje të lehtë, prej 0.07% në sektorin bankar.
Por në 4 muajt e parë të këtij viti, rënia e depozitave në lekë rezulton të jetë më e larta e regjistruar që prej vitit 2007. Megjithëse depozitat në sistemin bankar iu rikthyen rritjes së lehtë në muajin prill, pas tkurrjes së tyre për dy muaj radhazi, ritmet e rritjes së tyre janë ngadalësuar ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti, duke reflektuar kryesisht efektet e inflacionit të lartë, shkaktuar nga kriza energjetike dhe lufta e Ukrainës.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill të këtij viti, kursimet në monedhën vendase ranë me 0.6%, ndryshe ishte tendenca për depozitat në valutë, që u rritën me 0.62%, në raport me muajin mars. Me bazë vjetore, depozitat në prill u rritën me 8.9%. Rreth 85% e kësaj rritjeje erdhi nga shtimi i kursimeve në valutë. Ndërkohë që, vërehet tendenca, se si individët ashtu edhe bizneset e kanë më të vështirë t’i mbrojnë kursimet e tyre në monedhën vendase. Në fund të prillit, depozitat në valutë zinin 56.2% të totalit, nga 53.6% të totalit që zinin më parë.
Pse shqiptarët po preferojnë në këtë kohë krize që të kursejnë më tepër në valutë?
Pse nuk e ka miratuar vendi ynë deri tani Skemën e Mbrojtjes së Depozitave?
Në vendin tonë nuk është diskutuar, dhe nuk njihet ende Skema e Mbrojtjes së Depozitave, sikurse kjo është parë e nevojshme prej kohësh, në të gjitha vendet e Europës, madje edhe Kosova e ka miratuar me ligj pak kohë më parë një skemë të tillë.
Skema e Mbrojtjes së Depozitave u prezantua për herë të parë në vitin 1994. Kur Skema e Mbrojtjes së Depozitave u prezantua në Evropë, nuk kishte rregulla strikte për nivelin e mbështetjes së ofruar nga vendet të veçanta – një vend i caktuar i BE-së mund t’i mbronte deri në 20,000 euro klientët, ndërsa një tjetër mund t’i mbronte deri në 60,000 euro. Joefektiviteti i këtij çekuilibri u bë i qartë gjatë recesionit të vitit 2008, i cili ishte një nga krizat ekonomike më të mëdha në historinë e Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë krizës, bankat në të gjithë botën u prekën. Për shkak të mungesës së konsistencës midis bankave evropiane, ekonomia e BE-së pati ndikimin më negativ. Sipas Bankës Qendrore Evropiane, “kriza financiare tregoi se problemet bankare nuk ndalen në kufijtë kombëtarë”. Kjo bëri që BE-ja të prezantonte mjete të posaçme për menaxhimin e krizave dhe një harmoni më të madhe midis vendeve të BE-së, për të forcuar sistemin financiar dhe për të përmirësuar sigurinë bankare.
Në vitin 2009, një mbrojtje minimale e depozitave prej 50,000 eurosh u prezantua në të gjithë Evropën. Në vitin 2010 mbrojtja është rritur në vlerën aktuale prej 100,000 eurosh. Kjo do të thotë nëse ndodh falimentimi i bankës ku keni depozitat, do të paguheni deri në 100,000 euro, pavarësisht se cilën bankë zgjidhni.
Megjithatë, shumë nga ata që depozitojnë shumë të mëdha parash shqetësohen nëse paratë e tyre janë në rrezik. Dihet që paratë lëvizen dhe investohen. Si të gjitha bizneset, edhe bankat duhet të nxjerrin fitime për të paguar stafin apo edhe për të konkurruar në treg. Një mënyrë për ta bërë këtë është tarifa ose interesi për tërheqjet para kohe ose edhe për interesin e kredive. Depozitat nuk mbulohet domosdoshmërisht me para, në çdo kohë të caktuar. Kjo është arsyeja pse disa llogari kursimi kufizojnë tërheqjet ose caktojnë periudha kohore për tërheqjen e shumave të mëdha parash. Investimet e bëra nga bankat janë themeli i sistemit bankar dhe kanë një ndikim të madh në ekonominë globale.
“Rrjedhjet” bankare shkaktohen kur një numër i madh klientësh tentojnë të tërheqin depozitat në të njëjtën kohë. Kjo është arsyeja pse besimi në sistemin bankar është i nevojshëm që tregu të mbetet i qëndrueshëm. Pa mbrojtjen e depozitave, nëse ka shenja të problemeve të mundshme me një bankë, klientët mund të merakosen. Kjo ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2007, kur rreth 1 miliard paund u tërhoqën nga klientët e bankës “North Rock”, në një ditë të vetme.
Prezantimi i skemave të mbrojtjes së depozitave mund t’i zvogëlojë gjasat e “rrjedhjes”. Besimi i klientëve rrit drejtpërdrejt stabilitetin e sistemit dhe siguria e sistemit rrit besimin e klientëve. Nëse një bankë falimenton, klientët e saj kanë “kredituar” bankën, për investimet e saj, prandaj ata duhet të paguhen. Këtu hyn në lojë mbrojtja e depozitave. Është një politikë sigurimi që siguron që klientët të rimbursohen deri në shumën e rënë dakord, nëse ndodh një emergjencë financiare.
Paniku i shkaktuar prej krizës së çmimeve, teksa individët dhe bizneset po preferojnë gjithmonë e më tepër që t’i depozitojnë në valutë kursimet e tyre, kryesisht në euro dhe dollarë, tregon se ata kanë më shumë besim, se paraja e kursyer në valutë do të ketë më tepër vlerë nga tërheqja ose transferimi i mundshëm. Kjo shpjegon edhe rënien e ndjeshme të vlerës së kursit të këmbimit gjatë ditëve të fundit të krizës së çmimeve, për euron dhe dollarin, krahasuar me monedhën vendase. /Liberale.al/