Nga Aranit Muraçi
Shqipëria ka nivelin më të ulët të nxënësve që mbarojnë arsimin e mesëm ose të lartë ndër të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor, sikurse edhe numrin më të lartë të të punësuarve në bujqësi, ndërsa në buxhetin e shtetit këto dy sektorë nuk kanë qenë kurrë prioritete të asnjërës prej qeverive të tranzicionit, çka ka reflektuar edhe në përkeqësimin e tyre.
Në vitin 2021, popullsia e vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë ishte ekuivalente me 22,7 % të popullsisë së BE-së. Ndër to përqindjet më të larta të të rinjve në vitin 2021 ishin në Kosovë (24.0 %) dhe Turqi (22.8 %), ndërsa më e ulëta ishte në Serbi (14.3 %).
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2020, përqindja e atyre që ndërprenë arsimin dhe trajnimin midis personave të moshës 18-24 vjeç ishte më e larta në Turqi midis vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë, me 27,5 % të të rinjve dhe 25,8 % të grave të reja.
Në vitin 2020, Mali i Zi kishte përqindjen më të lartë të personave të moshës 20-24 vjeç që kishin arritur të paktën të mbaronin arsimin e mesëm ose të lartë (96,1 %), ndërsa nivelin më të ulët e kishte në Shqipëri (55,7 %).
Në të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për të cilat ka të dhëna, më shumë burra se gra u diplomuan nga një disiplinë të shkencës ose teknologjisë në vitin 2019.
Sa i përket normës së lindjeve, sipas Eurostat, në vitin 2019, Turqia kishte shkallën më të lartë të lindshmërisë në mesin e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, me 1.88 fëmijë për grua, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte shkallën më të ulët, me 1.34 fëmijë për grua. Shkalla e fertilitetit në BE në vitin 2019 ishte 1.53 fëmijë për grua.
Në vitin 2021, midis vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë, Bosnja dhe Hercegovina (8.4 për mijë banorë) dhe Serbia (8.9 për mijë banorë) ishin të vetmet vende që shënuan norma të papërpunuara të lindjeve që ishin më të ulëta se norma e BE-së (9.1 për mijë banorë).
Kurse mbi nivelin e punësimit, në vitin 2020, sipas të dhënave të Eurostat, normat e punësimit për gratë ishin nën 50% në pesë nga vendet kandidate dhe kandidate potenciale: Maqedonia e Veriut (49.0 %), Mali i Zi (48.8 %), Bosnja dhe Hercegovina (40.0 %), Turqia (32.0 %) dhe Kosova ( 16.0 %). Në BE, norma ishte 66,1 %.
Në Shqipëri, 36,1 % e fuqisë punëtore punonin në bujqësi, pylltari dhe peshkim, deri në vitin 2020. Në BE, pesha mesatare e këtij sektori kishte 4,3 %. Por edhe pse në Shqipëri ky sektor zë peshën kryesore, bujqësia nuk thith investimet dhe nuk merr as vëmendjen e duhur.
Në vitin 2020, në mesin e vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë, të vetëpunësuarit dhe punëtorët familjarë varionin ndërmjet 17,2% në Maqedoninë e Veriut dhe 53,9% në Shqipëri, ndërsa në BE norma ishte 14,3%.
Përmes një studimi të publikuar së fundmi, i kryer mes dekadës 2010-2020, Eurostat, ofron informacion mbi një sërë statistikash arsimore, të normës së lindjeve dhe të nivelit të arsimit, për vendet në zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), me fjalë të tjera vendet kandidate dhe kandidate potenciale. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia aktualisht kanë statusin e kandidatit, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina si dhe Kosova* janë kandidatë potencialë. \Liberale.al/