Nga Aranit Muraçi
Shqipëria vazhdon të afrojë investitorë të rëndësishëm nga Turqia. Pas bankave, telefonisë celulare, investimeve në arsim, spitale, rrugë, si dhe investimit të linjës së vetme ajrore shqiptare, turqit po investojnë në një tjetër sektor me rëndësi, atë minierave. Në fakt ka kohë që një kompani e njohur turke, “Kurum”, shfrytëzon ish-metalurgjikun e Elbasanit. Një tjetër kompani turke do të blejë kompaninë shqiptare të kromit AlbChrome, së bashku me borxhin 8.4 milionë dollarë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do t’i japë një kredi prej 28 milionë dollarësh “Yildirim Holding AS”, një konglomerati turk, për blerjen e AlbChrome, kompanisë së minierave metalike në Shqipëri. Raiffeisen Bank International AG dhe Credit Europe Bank do të bashkëfinancojnë blerjen me kredi përkatësisht 25 milionë dollarë dhe 14 milionë dollarë.
Charlotte Ruhe, Drejtoreshë Menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, tha kompania turke do të jetë subjekti i parë në vend që do të zhvillojë një udhërrëfyes për veprim efektiv ndaj klimës. Sipas saj, AlbChrome do të promovojë aksesin në aftësi të reja dhe punësim për punëtorët vendas nëpër minierat dhe fabrikat e tij, të cilat ndodhen në rajone më pak të zhvilluara të Shqipërisë. Aftësitë, dixhitalizimi dhe përfshirja ekonomike janë në krye të agjendës së Bankës në Shqipëri. Për më tepër, sipas vlerësimit të Ruhe, minierat e qëndrueshme janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare”.
Financimi i BERZH do të sigurohet nëpërmjet dy lehtësive: deri në 8.4 milionë dollarë për të rifinancuar borxhin ekzistues të AlbChrome dhe deri në 19.6 milionë dollarë për “Yildirim Albanian Mining Investments”, një degë e konglomeratit turk, që do të financojë pjesërisht blerjen. Në total, borxhi që do të marrë kompania turke për investimet në sektorin e kromit në Shqipëri shkon në 57 milion euro.
Yildirim Holding është një nga eksportuesit më të mëdhenj të ferrokromit në botë. Minerali është thelbësor për prodhimin e çelikut inox apo dhe lidhjeve të tjera metalike. Kromi, një përbërës i ferrokromit, përdoret gjithashtu në shumë industri të tjera, duke përfshirë prodhimin e makinave elektrike. Deri më sot, BERZH ka akorduar rreth 1.8 miliardë euro për projekte në Shqipëri. Në vitin 2021, investimet e BERZH-it në vend i kaluan 200 milionë euro.
Deri në fund të vitit 2014, për të gjithë periudhën (1938-qershor 2020), është shfrytëzuar dhe nxjerrë 34. 030. 601 tonë mineral kromi, është eksportuar rreth 17,5 milionë tonë xeheror kromi i pasur kokërr dhe prej proceseve të përpunimit janë prodhuar 2.980. 054 tonë koncentrat kromi dhe 1 045 340 tonë ferrokrom, me përmbajtje të lartë karboni (nga ky prodhim 2 097 tonë janë ferrokrom me përmbajtje të ulët karboni).
Sipas Prof. Dr. Sokol Matit, vetëm për periudhën 2001-2020, kur subjektet private zotëruan totalisht sektorin e kromit, është shfrytëzuar dhe nxjerrë 7 156 308 tonë mineral kromi, është eksportuar rreth 4,2 milionë tonë xeheror kromi i pasur kokërr dhe prej proceseve të përpunimit janë prodhuar 422 226 tonë koncentrat kromi dhe 258 966 tonë ferrokrom.
Në vendin tonë, më shumë se 65% e sasisë së mineralit të prodhuar shkon në eksport thjesht si mineral i papërpunuar, dhe si produkt ferrokrom shkon vetëm rreth 8% e sasisë së mineralit të prodhuar. Sa i përket historikut, sasi të vogla janë shfrytëzuara para viteve 1945 nga italianët në Kalimash, apo të tjerë në Tropojë, Martanesh e Katjel, ndërsa xeherori i kromit filloi të shfrytëzohej në mënyrë të organizuar rreth viteve 1950 në masivin e Bulqizë-Batrës dhe Kalimash. Prej këtyre viteve, vlera e prodhimit të tij ka pasur rritje deri në vitin 1990 dhe të ardhurat prej shitjes së produkteve të kromit zinin 25-30% të buxhetit të shtetit.
Prodhimi i koncentratit nga kromet e varfra me cilësi 7-10-25% Cr2O3 realizohet në fabrikat e pasurimit që aktualisht janë 14 (7 në Bulqizë-Batër, {si në Bulqizë, Zonë të Re, Batër, Thekën, Luçanë, Tërnovë, Qafën e Burrelit}, 4 në Kukës, {si në Kalimash, Mamëz}, 1 në Has, {Perrollaj} dhe 2 në Librazhd). Prodhimi i ferrokromit realizohet në dy fabrikat e ferrokromit (në Elbasan dhe Burrel), si dhe impiantin e seleksionimit të ferrokromit dhe riciklimit të skorjeve në Elbasan.
Mospasja e një vlerësimi të saktë të rezervave të xeherorit të kromit në Shqipëri, konfuzioni që ekziston në të dhënat e rezervave gjeologjike dhe klasifikimin e tyre, rezervat e nxjerrshme, atyre të konsumuara, informacioni i vakët jo rrallë kontradiktor në këtë drejtim, krijoi për shumë kohë një stepje të investitorëve të huaj, duke e vënë këtë sektor në vështirësi financiare. Fakti që një është afruar tjetër kompani turke, për të sjellë teknologjinë dhe modernizuar sektorin e kromit, dhe jo një kompani tjetër ne sektorin minerar, tregon se, ose qeveria shqiptare e konsideron Turqinë një partner strategjik në ekonomi, ose mungon aftësia për të tërhequr investitorë perëndimorë. /Liberale.al/