Kryesore

Shifrat/ Liri me pikatore, para akoma më pak





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 01/05/20 |
mapo.al

Nga pagat e luftës duken se janë lënë jashtë një pjesë e mirë e të punësuarve në privat, të cilët janë prekur direkt apo indirekt nga masat anti-covid.


Ministrja Spiropali pranoi dje se nga të dy fashat kanë përfituar vetëm 96 mijë persona, nga 500 mijë gjithsej. Me ndalim të aktivitetit rezultojnë dhe pjesa më e madhe e 430 mijë fermerëve që jetojnë në fshat dhe kanë ndërprerë aktivitetin, por që nuk janë përfshirë në asnjë paketë.


Opozita thotë se më shumë se 90% e biznese dhe familjeve janë lënë pa ndihmë. Deri më tani për të dy paketat e ndihmës qeveria ka dhënë vetëm 10 milionë euro


Masat parandaluese kanë paralizuar të gjithë vendin, kanë lënë shumicën e popullsisë pa punë, por duket se qeveria paratë i ka dhënë me pikatore. Kur po bëhet gati dy muaj nga marrja e masave, gjithsej sipas shifrave të qeverisë kanë përfituar deri më tani rreth 96 mijë individë me të dyja paketat, një shifër që është shumë larg të atyre që duhet të përfitonin realisht, pasi mendohet se në biznesin privat të vogël apo të madh janë të punësuar më shumë se 513 mijë persona sipas shifrave zyrtare. Natyrisht nga kjo paketë janë përjashtuar të gjithë ata që kanë punuar në të zezë, për të cilët rekomandimi i qeverisë është të denoncojnë pronarët për mospagim sigurimesh.


Nuk janë parashikuar paketa ndihmëse për shumicën e 430 mijë fermerëve e vegjël, që nuk lejohen të shesin prodhimet e tyre në qytet. Kjo kategori, është në listën e bizneseve që lejohen të punojnë. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka bërë asnjë lëshim për sa u përket detyrimeve, siç janë pagesat e kontributeve shoqërore që për periudhën mars prill kapin shifra deri në 24 mijë lekë të rinj, dhe njëra pagë shkon vetëm për të paguar detyrimet. Gjithashtu, nuk janë bërë lehtësime në faturat e ujit apo dritave, të cilat gjatë karantinimit kanë ardhur goxha të fryra.

Numri
Por sërish qeveria ka vijuar dhe dje me shifra, të atyre që kanë përfituar. Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi dje nga foltorja e kuvendit se nga paketa e parë ekonomike kanë përfituar më shumë se 54 mijë punonjës ndërsa nga paketa e dytë kanë përfituar diçka më shumë se 42 mijë individë nga 82 mijë aplikime në total me një fond deri tani rreth 19 milionë dollarë. Pra nga paketa e dytë janë skualifikuar sipas Spiropalit gati 50 për qind e aplikuesve. Deputeti i opozitës në parlament, Muslim Murrizi, i quajti si të pavërteta këto shifra, ndërsa i kërkoi qeverisë të bënte publike emrat e atyre që kanë përfituar pagat e luftës, nga paketa e parë dhe e dytë. Por sa është në të vërtetë numri i të punësuarve në sektorin privat në Shqipëri.

Për shembull, në fashat e qeverisë nuk janë përfshirë 430 mijë fermerë, ku shumica kanë stopuar prodhimin e tyre për shkak dhe të pengesave të lëvizjes. Këtij numri i shtohet dhe armata e atyre që janë futur si biznes i madh për shkak të fashës së xhiros. Fjala vjen, një lokal bar kafe me emër, klub nate, restorant etj., këtë fashë mund ta tejkalojë lehtësisht, por punonjësit e tyre nuk përfitojnë nga paga e luftës, për të mos folur më tej për stopimin e prodhimit nëpër fabrika. Shumë vende të botës, kanë aplikuar metodën e pagesave në masë të popullsisë në kushtet e bllokimit të ekonomisë. Pra, mund bësh kërkesën pa marrë parasysh se kujt sektori i përket, merr pagën minimale, dhe më pas kur të qartësohen ujërat shikohet nëse kjo pagë ka qenë e merituar ose jo.

Në të kundërt, në Shqipëri procedura është futur në hulli të tillë, nga ku dhe shumë nga ata që ishin në listën e përfituesve ende nuk kanë marrë pagën që ua premtoi kryeministri. Deri më tani, nuk ka asnjë database të dhënash, të individëve apo bizneseve që kanë përfituar nga kjo ndihmë.

Opozita
Ndërkohë opozita ka kundërshtuar shifrat e dhëna nga qeveria. Ish-deputetja Jorida Tabaku në një dalje për mediat ditën e djeshme është shprehur se janë lënë jashtë ndihmës rreth 90 % e bizneseve, dhe për të dyja paketat deri më tani qeveria nuk ka shpenzuar më shumë se 10 milionë euro.

“Ne kemi ngritur shqetësimin se të dyja paketat janë të pamjaftueshme. FMN sapo publikoi raportin javor dhe Shqipëria jep mbështetje vetëm 0.38% të PBB. Sot janë paguar deri më pak se 10 milionë euro nga paketa e parë dhe e dyta dhe deri në 10 mijë pako ushqimore. Ka dy realitete, një propaganda e qeverisë dhe madje dëgjoja edhe Ahmetajn që fliste për shifra bombastike. Mbështetja e qeverisë është e pamjaftueshme dhe diskriminuese. Shqetësimet që kemi ngritur vazhdojnë edhe sot. Jo për të bërë dishepujt, por është ajo që kemi thënë janë lënë jashtë ndihmës 90% e familjeve dhe bizneseve”, -tha Tabaku.

Me tej ajo shtoi se kanë marrë zero lekë sektorët më të prekur ndërkohë që vazhdojnë pagesat për koncesionet.

“Kanë marrë 0 ndihmë sektorët më të prekur. Kemi prezantuar edhe një paketë për fasonin pasi ka specifikë të veçantë. Nuk ka para qytetari, biznesi, nga ana tjetër po ulen pagat. Po krijohet një pesimizëm në ekonomi që ka ndodhur në këto 30 vite. Kishim menduar dhe për një fazë të tretë për bizneset që do të zgjasnin më shumë mbylljen. Janë 12 koncesione që marrin 120 milionë euro teksa u shkurtuan disa koncesione që paguheshin kot. Inceneratori i Fierit ka 3 vite që merr kot para dhe nuk është vënë asnjë tub”, -tha ish-deputetja e PD-së.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas