Kryesore

Shikim nga zgjedhjet/ Rikthehet politika, të hënën tryeza për reformën elektorale





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:32 - 07/05/20 |
mapo.al

Dita nisi dje me një provokim, një tregim muskujsh ku mazhoranca tentoi të dërgojë sinjale që është gati të ecë me reformën edhe pa opozitën. Mirëpo PD dhe LSI reaguan ashpër. Edhe ambasadori i BE, nënvizoi rëndësinë e konsensusit. Pas letërkëmbimit, u vendos që tryeza, Këshilli Politik të mblidhet të Hënën


Një mbledhje e zhvilluar dje e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ku dy bashkëkryetarët Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, informuan në lidhje me ecurinë e deritanishme të punës, ka sjellë reagime të ashpra të përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Politik të ngritur për këtë qëllim.


Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i kanë kujtuar pjesës tjetër se debati i nisur për këtë çështje është pa sens dhe pa logjikë pasi puna është ndërprerë për shkak të situatës së COVID 19.


Shkak për reagimin e opozitës e cila i kujton mazhorancës dhe pasojat e rënda me të cilat mund të përballet, u bë dhe deklarata e Gjiknurit pas përfundimit të mbledhjes, kur tha se: “mazhoranca nuk ka ndërmend ta presë përjetësisht opozitën”, duke i kujtuar se PS i ka votat për ta miratuar reformën zgjedhore në Kuvend.


Kundërpërgjigjja

Reagimi i opozitës ka qenë i menjëhershëm. Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD, e ka quajtur takimin e dyshes Gjiknuri-Hajdari si mbledhje e komisionit parlamentar dhe jo të Këshillit Politik, i ngritur mbi bazën e një marrëveshjeje të mesit të janarit, me ndërmjetësimin e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, dhe me mbështetjen e SHBA dhe BE.

Bylykbashi bëri të ditur se propozimet e opozitës janë bërë tashmë, por thjesht pandemia ndërpreu punën e këtij organi, që është Këshilli Politik. “Çdo devijim nga ky kalendar, nga ky angazhim, konsiderohet si dëmtim i konsensusit që është arritur”, është shprehur Bylykbashi. I të njëjtës linjë është dhe Petrit Vasili, përfaqësues politik i LSI-së në Këshill.

I pyetur nga gazeta MAPO, ai u shpreh se takimet Gjiknuri-Hajdari s’kanë asnjë vlerë në vendimmarrje, pa pjesën tjetër të Këshillit. Vasili thotë se në lidhje me këtë çështje s’ka pasur asnjë ftesë për takim nga pala tjetër, dhe deklaratat e Gjiknurit bëhen thjesht për të çoroditur opinionin publik. Sipas tij, opozita përpara se vijohej me masat shtrënguese për shkak të pandemisë, përshpejtoi punën për të prezantuar propozimet e saj që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por që atëherë nuk është vijuar me takime të tjera.

“Kjo që ka thënë përfaqësuesi i PS-së, është pa sens, sepse ne s’kemi pasur asnjë ftesë as nuk kemi rënë dakord deri në çastet që po flasim për një datë takimi, megjithëse ne kemi propozuar të dielën ose të hënën për t’u rimbledhur dhe diskutuar.

Natyrisht sapo ky takim të konfirmohet ne jemi të gatshëm”, tha Vasili. Për nënkryetarin e LSI-së deklarata të tilla në këtë moment bëhen për të shmangur vëmendjen nga problemet e mëdha, praktike, lojë që Rama e ndjek sa herë është në vështirësi.

Letërkëmbimi

Në letrën e dërguar drejt mazhorancës dje pasdite, nga Bylykbashi dhe Vasili, propozohet si datë takimi dita e diel ora 11 e paradites, ose dita e hënë, në orën dhjetë, nën kushtet e diktuara nga situata COVID19. Bashkangjitur janë dhe dy propozimet në lidhje me rendin e ditës. E para, ka të bëjë me riskedulimin e kalendarit të punës, e dyta me vlerësimin e propozimeve të bëra deri më tani nga ana e opozitës, dhe e treta me propozimet e tjera të këshillit politik.

“Në media jemi njohur me nisjen nga ana juaj të një debati pa sens praktik dhe logjik, duke vënë kështu në dyshim vijimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për anëtarësim. Puna në Këshill, sikurse jeni në dijeni, u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore të krijuar nga epidemia e COVID-19.

Nga momenti i ndërprerjes për këtë shkak nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj. Bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e Qeverisë. Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite.

Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, duke qenë se ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve”, thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar nga opozita, e firmosur nga Oerd Bylykbashi i PD dhe Petrit VAsili i LSI-së.

Përgjigjja ka ardhur shpejt në orët e para të mbrëmjes, nga ana e përfaqësuesit të mazhorancës Damian Gjiknuri, i cili ka pranuar të hënën e 11 majit si datë takimi përmes platformës digjitale. “Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë.

Duke shprehur plotësisht gatishmërinë tonë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, shprehim edhe urimin tonë që përmes punës së përbashkët, brenda muajit maj të gjejmë edhe dakordësinë e plotë për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.

Ne konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale”, thuhet në përgjigjen e Gjiknurit.

Propozimet e opozitës 

Propozimet PD-së në Kodin Zgjedhor, janë dorëzuar që në datë 12 shkurt, dhe kanë të bëjnë kryesisht me shmangien e manipulimit të zgjedhjeve përmes blerjes, rolin e prokurorisë dhe policisë, apo me identifikimin dhe votimin elektronik të zgjedhësve. Por duket se nyja gordiane e debatit do të përqendrohet në propozimin për ngritjen e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve.

Opozita ka propozuar që kjo praktikë zgjedhjesh të ndiqet deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por nga ana e saj mazhoranca duket se nuk do të lëshojë pe në lidhje me këtë çështje. Damian Gjiknuri më shumë se një herë është shprehur se “ajo që nuk arrihet me votë s’mund të arrihet në tavolinë”, çka nënkupton se zgjedhjet PS ka ndërmend t’i zhvillojë me Ramën. Por opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit me Edi Ramën, edhe pse sot ka një qëndrim tjetër, kur ka shprehur gatishmërinë për të hyrë që nesër në votime, të rregullta e të ndershme.

Rrethanat e reja i ka sjellë rezoluta e Bundestagut Gjerman, që e ka përcaktuar si kusht për integrimin, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe ndëshkimin e krimit zgjedhor.

Mapo.al


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas