Aktualitet

Shitja e ilaçeve online! Ministria: Produktet nuk janë të lejuara në Shqipëri





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:35 - 25/05/18 |
mapo.al

Në internet nuk mund të blesh vetëm rroba, artikuj kozmetike, apo enë kuzhine. Mjafton të porositësh online dhe mund të marrësh edhe ilaçe që të shërojnë prostatën, pajisje që të kthejnë shikimin e syve, shurup dhe xhel që shëron variçet, produkte që të dobësojnë brenda dy javësh etj. Të paktën kështu pretendojnë ata që i shesin. Disa faqe në internet, që duket se kanë të njëjtin administrator, ofrojnë online medikamente e pajisje të ndryshme mjekësore.


Kjo pajisje reklamohet se të përmirëson shikimin brenda 20 ditësh, pa patur nevojë për operacion apo syze. Ky xhel të shëron variçet. Madje në një tjetër faqe, për shërimin e variçeve rekomandohet përdorimi i një tjetër produkti, duke e pirë. Ndërsa një tjetër xhel shërben për të shëruar gungat në këmbët e grave, duke rregulluar deformimet e kockave. Ky ilaç të shpëton nga operacioni në prostatë dhe parandalon kancerin. Ndërsa një spraj, shërben për të ndaluar ushqimin dhe gratë mbipeshë brenda pak javësh transformohen në vajza seksi, si këto që dëshmojnë metamorfozën e tyre.


Në këto faqe që promovohen në mediat online, nuk ka asnjë informacion se kush janë kompanitë që i shesin këto artikuj, apo çfarë garancish ka. Në dukje, ato prezantohen si faqe institucionesh, qendrash mjekësore, apo portale mjekësore. Por brenda tyre nuk ka asnjë informacion tjetër dhe ato përmbajnë vetëm promocion dhe axhendën se si mund të porositësh ilaçin, apo produktin farmaceutik.


Por çfarë janë këto produkte? A janë ato të efektshme për shërimin e sëmundjeve për të cilat pretendohet se shërbejnë? A përbëjnë ato rrezik nëse blihen e përdoren pa këshillën e mjekut? A janë konsumatorët përballë ndonjë mashtrimi, qoftë edhe me efekt vetëm financiar?


Ne kontaktuam pjesën më të madhe të farmacive në kryeqytet dhe asnjë nga këto ilaçe e produkte të tjera, nuk ishin në shitje.

Pas kërkesës zyrtare që ne bëmë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, njofton zyrtarisht se këto produkte nuk janë të autorizuara për tregun në Republikën e Shqipërisë. Kjo agjenci thotë se ato nuk klasifikohen si barna, e për pasojë kontrolli i importit të tyre nuk është përgjegjësi e kësaj agjencie.

Por promovuesit e një prej këtyre produkteve, Prostalgene, në mesazhin promocional theksojnë se Prostalgene është një revolucion në trajtimin e prostatit, ai është një ilaç.

Informacioni në këto faqe ofrohet në Gjuhën Shqipe dhe nga vëzhgimet duket qartë se promocioni i adresohet popullsisë që jeton në Shqipëri. Ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë se kush janë ata që i ofrojnë këto produkte. Ndërsa pagesa nuk bëhet në asnjë mënyrë tjetër përveçse kesh, në momentin e dorëzimit të produktit nga korrieri.


Etiketa: , ,

Pas