Reshjet e shiut të kësaj të diele janë sjellë probleme në disa zona në kryeqytet. Situata ka qenë problematike në zonën e Kombinatit, ku uji ka vërshuar në rrugë duke sjellë probleme në lëvizjen e automjeteve. Siç duket edhe nga pamjet, niveli i ujit ka arritur në rreth 50 cm, ndërsa automjetet lëvizin me shumë vështirësi. Në terren nuk duket asnjë punonjës i Bashkisë së Tiranës edhe pse situata ka qenë problematike me përmbytje rrugës si pasojë e bllokimit të rrjetit të kanalizimeve.
Përballë kësaj situate ka reaguar ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Ai ka publikuar një video në faqen e tij zyrtare ku tregon se zona e Kombinatit në Tiranë është përmbytur. Ai nuk harron të shigjetojë qeverinë dhe bashkinë e Tiranës, të cilat sipas tij nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, por vetëm të shesin propagandë idiote. “Ne Tirane Kombinati permbytet tej e tej rilindja shet propagande idiote. (Video). Kjo eshte Bashkia, qe kurre nuk e duam!!!”, shkruan Vasili.