Parlamenti do të vendosë brenda korrikut fatin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Komisioni Hetimor Parlament i ngritur për shkarkimin e kryetarit të shtetit u mblodh sot për herë të parë pas më shumë se 3 muajsh dhe lajmëroi se procesi i hetimit përfundoi dhe deputetët do të hartojnë raportin i cili pritet të jetë gati në 18 korrik.
Në harkun kohor të një viti parlamenti i është drejtuar dy herë komisionit të Venecias në lidhje me veprimet e presidentit; për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe për procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me zgjedhjet lokale, Venecia vlerësoi se Meta tejkaloi kompetencat, por në rastin e dytë ata i dhanë të drejtë kreut të shtetit.
Mazhoranca duket se nuk e ka të vështirë të mbledhe 94 vota për shkarkimin e Metës, nëse dëshiron t’i shkojë këtij procesi deri në fund.
Por megjithatë vendimin final për fatin e presidentit, e merr Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të shqyrtuar këtë çështje.