Kryesore

“Shkarkimi” i Metës, një karshillëk sa i panevojshëm aq dhe domethënës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:25 - 10/06/21 |
Armand Maho

Ilir Meta ka një histori të gjatë në Partinë Socialiste. Më të hershme se shumë prej atyre që dje votuan shkarkimin e tij. Më të pasur në ngjarje se Edi Rama, Taulant Balla apo të tjerë. Në fillimet e PS ai ka qenë më i çmuar dhe se Gramoz Ruçi, i cili në PS u katapultua nga ish-PPSH, ndërsa Meta ishte mes studentëve që protestuan kundër diktaturës.






Për nga kontributi me Metën mund të krahasohet vetëm Pandeli Majkon, njeriun që Meta e mbështeti në luftën brenda së majtës në vitin 1999 për t’i marrë partinë Fatos Nanos. E megjithatë Pandeliu nuk e mendoi dy herë që të votonte kundër shokut dhe mikut të tij të idealeve të dhjetorit ‘90, pavarësisht patetizmit që ai shfaq sa herë duhet të justifikojë votën e tij në favor të paudhësive të pushtetit.


Edi Rama, e rreshtoi mes detashmentit të deputetëve të tij dhe tufës së atyre që përfituan nga dalja e opozitës nga parlamenti. Me këtë votim Majko, kryeministri i Luftës së Kosovës, dhe deputet që prej 1992, po e mbyll pa lavdi karrierën e tij politike ndoshta duke shpresuar te zemërgjerësia e kryeministrit, apo ndonjë prej ministrave si Spiropali fjala vjen, që t’i gjejnë ndonjë vend si drejtor, qoftë dhe i dorës së dytë. As kur Rama e përzuri me turp, nuk guxoi të rebelohej.





Ky shkarkim, apo impeachment alla Rilindje, mund të jetë një nga ngjarjet që ka prodhuar më shumë indiferencë në opinionin publik në këtë vend. Teatri i prodhuar dje në sallën e kuvendit mund të konsiderohet si një nga ngjarjet me audiencën më të ulët, pavarësisht se regjisorët e tij u munduan ta përdornin për të shmangur vëmendjen nga ajo çka ndodhi më 25 prill. Kjo seancë zgjoi pak ose aspak interes jo vetëm për faktin se përfundimi dihej, por edhe sepse aktorët pjesëmarrës në të njihen para së gjithash për integritetin e ulët politik.



Çfarë do presësh nga Spartak Braho fjala vjen, njeriun që vetë Meta e mbajti në politikë dhe sot po i kthen thonjtë kundër. Po nga gjuzrat, hysenët, murrizat, kodhelët etj. etj. Të gjithë këta nuk do jenë në sesionin e ardhshëm parlamentar, dhe e vetmja gjurmë që po lënë pas është shëmbëlltyra se si nuk duhet të jetë një përfaqësues i popullit.



Rama e dinte se hapja e një kasusi të tillë para zgjedhjeve nuk do i shërbente për asgjë, thjesht do motivonte më shumë opozitën. Për këtë arsye e braktisi pa hezituar vetëm me një rekomandim të Komisionit të Venecias. Kryeministrit, Presidenti i duhej aty, për ta vizatuar si njeriun që po e pengon në vizionin e tij të progresit.

I duhej për të mbuluar me figurën e Metës tinëzisht të gjithë korrupsionin, drogën, kapjen e shtetit që ai vetë e  ka ngritur në sistem. Natyrisht në këtë inkursion e ndihmoi dhe ndonjë ambasador të cilit gjuha e hidhur e Metës, i kujtonte disa kufij të cilët ata i kishin shkelur.
Pas zgjedhjeve, posti  i Presidentit  po i shërben sërish Ramës këtë herë për të shmangur vëmendjen nga zgjedhjet, dhe jo vetëm kaq.

Selinë e presidencës me gjasë kërkon ta përdorë si biskotë për opozitën, që ajo të mbyllë gojën pas shtatorit kur ai ka dhe provimin e negociatave me Brukselin. Apo kur t’i duhet për të miratuar planet e tij me Serbinë, koncesionet korruptive të sesionit tëardhshëm etj. Në një atmosferë të tensionuar nga manipulimi i zgjedhjeve dhe zemërimit të të djathtëve, kjo do ia vështirësonte rrugëtimin e tij, duke ditur se në parlament do ketë një opozitë më të madhe në numër.

Çështja do i shkojë Gjykatës Kushtetuese pasi është ajo që vendos. Por në rast se kjo e fundit në interpretimet e saj i referohet vërtet Kushtetutës, dhe jo porosive të Zeusit të gjithëpushtetshëm, brenda një seance atë raport që u votua nga tufa dhe u përpilua nga  negativizm dhe dallkaukllëku mund ta kthejë në letër njëpërdorimshme.

Duhet të jemi të qartë se këto lëvizje nuk janë gjë tjetër vetëm se vazhdimi i çoroditjes dhe tymnajës propagandistike që ka zgjatur përgjatë këtyre tetë vjetëve, dhe që fatkeqësisht nuk ju dha fund as në këto zgjedhje. Por pavarësisht të gjithave, dhe opozita nuk është pa faj në këtë histori.

Lëvizjet e saj politike pa vizion në të shkuarën si lënia e mandateve apo mos hyrja në zgjedhje, reagimet e vakëta ndaj fenomeneve korruptive, mos pasja e një strategjie mbështetëse nga ndërkombëtarët po i kthehen në një kosto të jashtëzakonshme asaj dhe të gjithëve ne. Po t’i shtojmë këtu dhe çoroditjen dhe përçarjen që e ka kapluar pas 25 prillit situata duket katastrofë. Prej kohësh opozitës s’i ka mbetur gjë tjetër vetëm se të rrijë e të vështrojë se si Rama me të tijtë shkel çdo ligj të këtij vendi.

Ajo tashmë është përqendruar në një palë zgjedhje të pakuptimta brenda vetes, që veç kryetarit s’i hyjnë në punë kurrkujt, ndërkohë që pushteti vazhdon të hedhë vallen e tij korruptive mbi çdo nen e germë të Kushtetutës, siç ishte fjala vjen dhe shkarkimi i djeshëm i Presidentit, që s’është gjë tjetër vetëm se një karshillëk paszgjedhor i pushtetit, sa i panevojshëm pasi i bëhet një të munduri, aq dhe domethënës mbi atë çka na pret në një tjetër mandat.

69


Etiketa:

Pas