Pas takimit rreth 40 minutësh me ish-presidentin Bujar Nishani, Ilir Meta deklaroi se vendimi i KPA-së për të shkarkuar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, është dëshmi se si Rama po bllokon Kushtetuesen me disa “palaço ndërkombëtarë”. Ai tha më tej se ka vetëm “një zgjidhje” për kreun e ekzekutivit; referendumi.
“SHBA janë si yll, si shpirt, se me ata e kemi bërë Kushtetutën. Presidenti është në Kushtetutë dhe jo në rregulloren e ndonjë ambasade. Prandaj i kam ftuar të vijnë me ekspertët e tyre dhe t’u tregoj Kushtetutën e Shqipërisë.
Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaco ndërkombëtarë, referendumi. Duhet të marrim në dorë sovranitetin e vendit. Prandaj larg duart nga Gjykata Kushtetuese”- u shpreh Ilir Meta, duke e cilësuar më tej hipokrizi sugjerimin e Shteteve të Bashkuara që për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, të merret opinioni i Komisionit të Venecias.
“Ata janë hipokritë, pasi duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut. Tani duan të shpëtojnë Dvoranin, pasi ka pasur garanci edhe nga disa ndërkombëtarë për të përdhunuar procesin. Zgjidhja është referendumi për të vendosur“-theksoi Ilir Meta.