Kryesore

Shkëlqimi dhe rënia e një ministri në Detyrë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:32 - 20/06/20 |
Mapo.al

Nuk mbahet mend të jetë investuar Edi Rama te dikush, sa te Gent Caka. Mjaftueshëm bëri edhe për Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn, duke u dhënë pushtet e duke i qëndruar në krah edhe në ditë të vështira. Po ata, patën bërë pak mund edhe vetë, derisa u shpërblyen.


Në rastin e të riut Caka, kryeministri shkoi shumë larg. Nuk e njihte askush, e nxori nga mënga, dhe që në krye e shpalli si më të diturin që kish njohur, duke lënë të kuptohet se ai, të tillë ka takuar boll në jetë. E propozoi për postin prestigjioz të ministrit të Jashtëm. Dhe kur Presidenti ia ktheu mbrapsht, sërish e bëri kryediplomat të vendit, duke e caktuar ministër në Detyrë.


Me vrull nisi ky angazhim i 28-vjeçarit në atë kohë, dhe krejt motori i propagandës së qeverisë u vendos në dispozicion të tij, për të treguar se ç’beteja epike po bënte në salla e mbledhje të rëndësishme të botës.


E mbi të gjitha, ai gjeti një shteg për të lënë gjurmë si i Jashtëm ministër, duke kryer reforma të brendshme. Si lufta ndaj korrupsionit në seli diplomatike, heqja e pasaportave dhe privilegjeve që ishin marrë me hatër e nepotizëm.


Herëdokur, hidhte fuzhnja të helmëta ndaj ish-ministrit Ditmir Bushati, i cili nuk qe më në klubin e simpatisë së Kryeministrit. Pra, Genti po ecte, po ngjiste shkallët. Veçse kjo flakë u venit shpejt.

Refuzimet e njëpasnjëshme për hapje negociatash, kushtet e shtuara për qeverinë, po tregonin se Caka nuk po jepte rezultatet që i duheshin vendit, po sidomos qeverisë. Edhe pse një ministër i Jashtëm pak në dorë ka për realizimin e kërkesave të integrimit, të paktën ka një rol në zbutjen e qëndrimeve.

Edhe në drejtim të Kosovës, nuk po kishte ndonjë produkt. Përveç kokolepsjes dhe debatit me një qëndrim të dyshimtë rreth kufijve në një intervistë, asnjë njohje shtesë për Prishtinën, madje pati disa tërheqje njohjesh.

Me marrjen e Presidencës së OSBE, ndoshta pritej që përmasat e ministrit të ri të rriteshin. Çka u vu re, ishte se ai u eklipsua totalisht nga Rama, i cili është në fakt edhe ministër i Jashtëm i dekretuar nga Meta.

Sot ja ku jemi. Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë kusht për hapjen e negociatave, gjë që do të ndodhë në konferencën e parë, ndërsa Shqipëria ka 15 kushte, përpara se të çelë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim. Kamera gjithnjë e më pak shkonte te Gent Caka. Ai nuk kishte më vezullimin e nisjes.

As në media dhe në emisionet kryesore nuk po dukej. Dhe dihet se kjo nuk ndodh vetiu, por kur shefi i madh thotë se kështu duhet të ndodhë. Ndërsa pardje, erdhi dhe goditja finale. Edi Rama e pati lajmëruar në një deklaratë për mediat një muaj më parë, por e zyrtarizoi të Enjten.

Gent Caka nuk është më kryediplomat, as ministër. Ai është zëvendësuar nga Zef Mazi. Nuk ka Shqipëria për momentin tjetër prioritet pos negociatave dhe integrimit, në fushën e jashtme. Këtë angazhim kryesor, e ka tashmë kryenegociatori. I cili, sipas Ramës, do të ketë fuqi të urdhërojë krejt qeverinë.

Angazhimet e Mazit, do të jenë jo vetëm me Brukselin, po me siguri edhe në raportet dypalëshe me shtetet anëtare. Gent Cakës do t’i mbeten sërish disa detyra, por me gjasë dytësore. Ndoshta do t’i ngelet edhe zyra.

Nuk arriti pak megjithatë. Të bëhesh ministër i Jashtëm pa asnjë kontribut politik në vend, është afër mrekullisë. Po kjo është Shqipëria që duam, dhe trillet e Kryeministrit janë tashmë një kronikë e zakonshme.

Dikur për integrimin kishim për shembull zonja si Majlinda Bregu dhe Klajda Gjosha. Që lanë një gjurmë dhe krijuan kontakte e lobime të mira në Bruksel.

Deri dje, për gati nja dy vite, patëm një produkt të kryeministrit, që nuk u bë dot asnjëherë ministër.


Etiketa:

Pas