Mapo Letrare

Shkëmbi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:55 - 19/01/20 |
Dino Buxati

Një shok siçilian më pat rrëfyer se shumë vjet më parë, në ishullin e Liparit, një burrë i moshuar qe shndërruar në shkëmb. Kjo ngjarje nuk më habiti në mënyrë të pazakontë, duke njohur pamjen e atyre shkëmbinjve detarë.


Shkurtimisht, historia e treguar nga miku im, ishte kjo: Në shekullin e kaluar, në Mesina jetonte një burrë që zotëronte një flotë të vogël barkash peshkimi. Djali i tij i vetëm, akoma i vogël, u rrëmbye nga dashuria për detin dhe shpesh dilte me peskarexhat e të atit, i cili ishte njëherësh krenar dhe i shqetësuar. Por një mbrëmje, në afërsi të ishullit të Liparit, disa dhjetra metra larg bregut perëndimor, një shkulm deti e përlau djaloshin i cili nuk u gjet më. Nga ajo ditë i ati, i çmendur nga dhimbja, u transferua në Lipari dhe çdo ditë, kur ia lejonte deti, dilte me një varkë të vogël aty ku i biri pat gjetur vdekjen, duke qëndruar për orë të tëra. Atje e thirriste me zë të lartë emrin e të birit dhe thurrte biseda të pambarimta.



Kështu kaluan shumë vjet. Babai, i mbetur vejan, tashmë qe mplakur dhe vetëm në ditët me erë të mbarë mund ta përmbushte fiksimin e palëkundshëm të tij. Deri sa një mbrëmje doli dhe më kot e pritën të kthehej pas sërish. Njerëzit shkuan tek vendi ku rrinte, nuk u gjet tjetër veç varkës, bosh, që lëkundej nën frymëmarrjen e qetë të ujërave. Por, me habi të madhe, pikërisht në atë pikë, peshkatarët që e njihnin atë vijë bregdeti më mirë se shtëpinë e tyre, vunë re që nga ujërat diktohej një shkëmb i cili më përpara nuk ekzistonte.


U mendua kështu që më në fund, dhimbja pa shërim e kishte gurëzuar plakun. E që atëherë – më tregonte shoku – natën, edhe të rinjtë më guximtarë nuk guxonin të shkonin aty afër dhe i qëndronin larg. Por prej distance, sidomos në ditët me hënë të plotë, dëgjoheshin thirrjet, dënesat, klithmat dhe rënkimet e babait të dëshpëruar. Shoku më tregonte po ashtu që në drejtim të jugut, ai shkëmb ka format e një njeriu të moshuar dhe të përtharë. E që pikërisht në orët e vona të natës goja i hapet dhe mbyllet duke folur, po ashtu dhe sytë çelen për të lotuar. Por mjerë ai që do të guxonte, me vështrime vjedharake, të cenonte dashurinë vetmitare për të birin.

Një peshkatar që e mori guximin ta bënte, humbi në harkun e disa muajve që të katër fëmijët e tij. Përralla në një farë mënyre tingëllonte shumë e bukur. Ndaj këtë vit, duke u kthyer për pushime në Eolie, kërkova informacione më të detajuara. Legjendat, megjithatë, lulëzojnë dhe shpërndahen, sa më shumë që udhëtojnë larg nëpër botë. Nëse shkohet të kërkohet thelbi në vendin e origjinës, zakonisht nuk gjendet tjetër veçse copëza mjegulle. Në Lipari disa peshkatarë e njihnin, mes shumë majave qe dilnin nga uji edhe shkëmbin “Zotëria i vjetër”, por nuk dinin të thoshin asgjë më tepër se emrin. Askush nuk e njihte historinë e dhimbshme të anije-ndërtuesit të luajtur mendsh nga vdekja e të birit.

Me përjashtim të një burri të moshuar, me një pamje mjaft dinjitoze së jashtmi, të cilin u përpoqa ta afroja në një kafene. Mund të ishte gjashtëdhjetë vjeç, i bëshëm, me mjekrën e ruajtur për mrekulli, vishte një këmishë të pastër me mëngë të shkurtra dhe të ndërmendte aktorin që interpretonte shefin e “Shoqërisë së nderuar” në filmin “Mafiozi” me Alberto Sordin. – Më falni, – i thashë. – Ju jeni vendas, nga Lipari? – Tamam kështu, – u përgjigj me ngadalë. –Por nuk jetoj gjatë dimrit këtu. Mund ta di pse…? – Epo, doja t’iu kërkoja vetëm një informacion, të natyrës le të themi, folkloristike. – Më thoni, më thoni… – E keni dëgjuar ndonjëherë historinë e një zotërie nga Mesina që shumë vite më parë u shndërrua në një shkëmb? – Të dëgjuar, të dëgjuar i vogël, – ishin fjalët e tij pa lëvizur një presje. – aq shumë gjë e çuditshme…- dhe këtu formoi një buzëqeshje ndërmjet diplomatikes dhe mosbesueses. – Por vitet kalojnë… vitet kalojnë… – A mos vallë juve e dini si quhej? Dhe kur ndodhi kjo ngjarje? – Ngjarja, nëse mund të quhet e tillë, i takon vitit 1870, pak a shumë, por mund të jetë edhe më e hershme, madje mund të mos ketë ndodhur fare. – Pse, ju nuk e besoni? – Mos më bëni të them, ju lutem, gjëra që unë nuk… – vështroi orën e dorës. – Epo qenka vonë, më falni… – u largua duke marrë përshëndetje plot respekt nga të gjithë klientët e kafenesë.

Në molin e portit të vogël, ditën tjetër, iu kërkova dy djelmoshave ku mund të gjeja një barkë me motor për të bërë xhiron e ishullit. Deti dergjej i palëvizshëm, pa asnjë luhatje valësh, nuk nevojitej ndonjë anije e madhe për këtë lloj ekspedite. Të rinjtë u zhdukën e sa hap e mbyll sytë u kthyen me varkëtarin më të çuditshëm që kisha takuar ndonjëherë. Ishte i gjatë, kockë e lëkurë, i zbehtë deri në palcë, e sikur fytyrën të mos e kishte pa asnjë rrudhë, mund ta ngatërronin lehtësisht me një 90 vjeçar.

Kapela e çuditshme që i mbulonte fytyrën të kujtonte tropikët e mbushur përplot me fatalitet që fanepsen në faqet letrare të Konradit. Por ajo që spikaste më tepër ishte “mungesa” totale e tij, e njëjtë me fantazmat të cilat injorojnë gjithçka që ndodh përrotull. Më ra në sy që krahët thatanikë përfundonin në ca pëllëmbë tmerrësisht me gunga, që lëviznin me vështirësi dhe i zbulonin vuajte të gjata nga artriti. Edhe hapin e kishte të ngadaltë dhe mjaft të lëkundur.

Nëse deti s’do të dukej aq i qetë, nuk do të kisha pranuar kurrë një shoqërues kaq problematik. – A e dini ku ndodhet shkëmbi i Zotërisë së Vjetër? – ishte gjëja e parë që pyeta. Ai përkuli pak kokën, ndoshta në shenjë pohimi, e duke hequr vështrimin nga unë u drejtua drejt një guaske të mjerë të pajisur me një trung të lidhur që ishte pak më tej. Për të hipur sipër, kreu një kërcim të ngathët, që tronditi të gjithë trupin e shformuar të tij, me një spazmë të dhimbshme. Unë e ndoqa pas. Burri, që tha se quhej Kreshenco, me thjeshtësi të paimagjinuar vuri menjëherë në punë një motor të lodhur me përmasat e një aparati fotografik. Kështu u nisëm, që të dy, me mërmërima që ngjasonin ritmike.

Unë i qëndroja përballë. I palëvizur, me një dorë në drejtimin e barkës, ai më vështronte në fytyrë, por nuk më shihte, të paktën kjo ishte përshtypja ime e bezdisshme. Ndërkohë, e kishim kapërcyer molin dhe varka po drejtohej drejt kalimit midis Liparit dhe Vulkanos. Pasi kapërcehej fshati, natyra shndërrohej menjëherë e egër dhe brigjet ktheheshin në vise të shkretuara me forma të pazakonta e kërcënuese. Sa dallim që kishte arkitektura e ishujve Eolie nga skenarët romantikë e aq njerëzore të bregut amalfitan, për shembull, apo të Iskias ose Kaprit. Edhe këtu kishte shpate të thepisur, humnera dhe rrëpira.

Por përputheshin me fantazitë e njeriut: shtretër të thellë deti si melodrama të Verdit, guva dhe rrëpira të rrethuara me gjelbërim, njëherësh të ashpër dhe hyjnorë, të përafërt me marramendjet e dashurisë. Ndërsa këtu poshtë shkëmbinjtë dhe majat përdridhen të zhveshur dhe të djegur nga dielli, në poza ankthi dhe deliri, përherë duke të kujtuar ferrin që vlon përposhtë me zjarrin e tij.

Shumë skulptorë të ditëve të sotme do të bënin mirë të rigjallëronin frymëzimin e tyre të brishtë duke zbarkuar në Eolie. Këtu natyra ka shumëfishuar shpikje të pambarimta përbindëshash, merimanga të kruspullosura, organe ciklopike nga xunktha të përkulur, sirena shtrembanike, rrënoja të shpërbëra, maska zhytjeje të ngrëna nga koha, altarë të djegur, shigjeta graniti, plagë të tmerrshme të hapura, xhuxhë dhe gogolë të vënë nën ndëshkim, qytetthe mizore, katedrale të shkishëruara. Dhe kështu krijon në hapësira shumë të vogla, vetmi tejet të thella, e në çdo kënd përhap atë që është bukuria e vet sipërore, misterin, në vetvete. – Ai atje është Zotëria i Vjetër? – e pyeta Kreshencon, kur mbërritëm në thuajse gjysmën e bregut perëndimor të ishullit. E kisha njohur menjëherë. Ai u kthye të shihte, pastaj bëri shenjë që “po”. I ngjitur pas një muri dramatik shkëmbinjsh, prandaj nuk dukej lehtësisht, shkëmbi nuk ngrihej më shumë se 15 metra i lartë. Forma e rëndë dhe e rrumbullakët nuk përmbante të dala apo maja. Drejt jugut, pra ndaj nesh që po i afroheshim, shfaqte një thellim të lehtë, të mbytur nga një nyje zgjatimesh të tmerrshme ngjyrë vjollcë dhe të verdhë, që përkuleshin për poshtë si dylli në prag të shkrirjes. Dielli duke ndriçuar tejposhtë, bënte që hijet t’i skiconin një pamje pothuajse njerëzore, fytyrën e një despoti të kërrusur që shpërbëhej në vdekje.

Nga dy gropëzat e hamendësuara të syve, zbrisnin, tashmë të kristalizuara, pikla të mëshirshme me ngjyrë të purpurt. Ndërsa në qendër, aty ku valët e buta, duke u përplasur, lëshonin një shirit të vogël shkume, hapej një gropëz e vogël. Kur mbërritëm fare pranë, megjithëse deti valëzonte i vdekur, u dëgjua, prapëseprapë, aty brenda, në të çarën e thellë, klithma e dallgës që lëshonte tinguj dënese. Iu luta Kreshencos të shuante motorin. Për këtë, ai vendosu në dy anët e varkës rremat që shërbyen për të mos ngelur në vend.

Tashmë, brenda heshtjes së madhe, nën diellin e rëndë, e qara e ujit aty brenda dëgjohej më e dhimbshme dhe shpellore. – A është e vërtetë, – pyeta, – që ky është një zotëri i moshuar i Mesinës i shndërruar në gur? – Kështu thonë, – mërmëriti ai, pa zë. – Është e vërtetë që gjatë natës e thërret djalin e vdekur dhe i flet? – Kështu thonë, – u përgjigj. – Është e vërtetë që të vish këtu natën, sjell fatkeqësi? Më vështroi pa asnjë shprehi në fytyrë, sikur të mos e kishte kuptuar pyetjen. Nën hijen absurde të kapelës, fytyra pa moshë mori transparencën e meduzave të vdekura. Pastaj tha: – Edhe unë. Edhe unë jam i gurëzuar. Prej njëzet e pesë vitesh! – dhe më fiksoi duke lëkundur ngadalë kokën. – Edhe ti… Djali jot…? Fantazma pohoi me kokë. – Xhovani e quanin, – mërmëriti i humbur. – Nënoficer marine. Xhovani Matapan.

Përktheu nga origjinali ERIS RUSI


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas