Pas një kërkimi të bërë nga persona të veçantë mbi gjendjen e përhapjes të pandemisë të Covidit-19 në popullsinë e Shqipërisë, dhe rezultateve që ata komunikuan ditët e fundit, nga burime që vishen me autoritetin e Akademisë të Shkencave, në ndonjë media, në datën 15 Janar 2021, u anoncua se është arritur “Imuniteti i Tufës” në lidhje me virusin në fjalë.
Për sa më sipër, si anëtar i asaj Akademie Shkencash, deklaroj distancimin tim personal nga deklarimet në fjalë, duke i konsideruar ato të pambështetura mjaftueshëm për të qenë të besueshme, metodologjikisht të pavërtetuara me transparencën e kërkuar dhe të deklaruara me nxitim, pa respektuar deontologjinë e kërkimit shkencor.
Duke humbur neutralitetin e institucionit, Akademia e Shkencave për qëllimet e saj, i vendos vulën zyrtare këtyre studimeve individuale, pa pasur asnjë argument, asnjë kompetencë dhe asnjë të drejtë ligjore që të zyrtarizojë rezultate të caktuara kërkimesh individuale.
E para, sepse, Akademia e Shkencave nuk duhet të angazhohet në përgjegjësira për të cilat në asamblenë apo seksionet e saj nuk ka në tërësi autoritete të mjaftueshme kompetente për t’i marrë përsipër. Historianë, filozofë, inxhinierë, kimistë etj., anëtarë të Akademisë të Shkencave, dhe të tjerë, veterinerë, agronomë, muzikantë, letrarë etj., sigurisht nuk mund të certifikojnë studime nga fusha e epidemiologjisë për të bërë pastaj të mundur që Akademia e Shkencave të shprehej zyrtarisht si institucion. Unë distancohem këtej duke mos e konsideruar veten kompetent të certifikoj asnjë studim që del nga fusha ime e kompetencave shkencore.
Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave nuk ka ndërmarrë asnjë procedurë oponence ndaj rezultateve të studimit në fjalë, që do të ishte më e pakta detyrë e vet institucionale.
Në deklaratën e vet për mediat ku Akademia e Shkencave zyrtarizon rezultatet e një studimi të bërë nga persona të veçantë, ajo deklaron se duhen muaj që të shkruhet raporti përfundimtar i studimit duke u nxituar pra të paraqesi të dhëna të pastrukturuara nëpërmjet arsyetimeve të plota shkencore dhe të panënshtruara gjykimit publik, që është kërkesa e parë e një shkence të vërtetë transparente dhe të besueshme.
Për më tepër, duke u bazuar në të dhëna shumë të diskutueshme në planin metodologjik, burime jashtë çdo kompetence institucionale, duke humbur çdo neutralitet institucional, dhe që paraqiten si burime zyrtare të Akademisë të Shkencave, deklarojnë në media pa përgjegjësinë e duhur qytetare dhe deontologjike se është “arritur i famshmi imunitet i tufës”.
Sikur kjo deklaratë të vinte nga persona të veçantë kompetentë do të ishte gjysma e së keqes. Por kur kjo deklarohet zyrtarisht, atëherë përgjegjësia e çdo anëtari të Akademisë të Shkencave është individualisht dhe kolektivisht tejet e rëndë për të heshtur.
Kjo deklaratë bëhet sikundër u tha bazuar në një kërkim që ende nuk i ka kaluar fazat e besueshmërisë, pa oponencë dhe të papranuar ende nga komuniteti i njerëzve të shkencës apo i shërbimeve mjekësore në këtë fushë.
Aq më tepër asnjë vend sado i përparuar në teknologji dhe në dijet dhe infrastrukturat mjekësore nuk ka arritur të deklarojë kompetencën e vet për ta shpallur një gjë të të tillë. Vende europiane të zhvilluara sot kanë përforcuar masat mbrojtëse përpara variantit anglez dhe atij afrikano-jugor të virusit që kërcënojnë me një shkallë edhe më të lartë infektimi. Askush nuk e di se sa kanë mundësi mbrojtëse për organizimin njerëzor antitrupat e prodhuara te ata që e kanë kaluar sëmundjen e Covid-19.
Pas një kohe nuk përjashtohet që ata të jenë përsëri pa imunitetin e duhur. Edhe sikur 50 për qind e popullsisë të jetë përkohësisht e imunizuar, 50 për qind të tjerët rrezikojnë të sëmuren, duke na shkaktuar qindra vdekje, pasoja shëndetësore që ende nuk dihet se cilat janë në mënyrë të plotë.
Prandaj deklarime nga burime zyrtare të Akademisë të Shkencave për krijimin e “imunitetit të tufës” janë të pabesueshme, të hedhura në mënyrë të pavërtetuar shkencërisht, dhe të dëmshme për politikat e ruajtjes të shëndetit publik. Kështu ndodh kur informacioni shkencor integrohet në strategji marrëdhëniesh publike në shërbim të një institucioni.
Në vend që Akademia e Shkencave të hapet drejt instituteve dhe komunitetit të mjekëve të vendit, drejt shërbimeve të specializuara, për të bashkëpunuar me to, ka zgjedhur rrugën e anoncimeve që nuk përmbushin kriteret shkencore. Rruga e drejtë do të ishte pikërisht që pushteti publik të mobilizonte komunitetin shkencor dhe të shërbimeve të specializuara për të diagnostikuar me seriozitet, jashtë qëllimeve joshkencore, gjendjen e epidemisë në vend.
Neve na duhet të shtojmë të gjitha procedurat e testimeve, si edhe të respektojmë masat mbrojtëse, duke bërë çmos që të ndjekim rrugën e kombeve të përparuar për të zotëruar mundësinë e një vaksinimi vullnetar, të besueshëm, transparent sikundër vaksinimi kundër gripit, poliomielitit, difteritit etj., kanë shpëtuar dhe vazhdojnë të mbrojnë miliarda njerëz në botën e sotme.