Pensionistët e Shkodrës, në një takim me drejtuesin politik të PD, Helidon Bushati, i shprehën lënien në harresë nga qeveria. Pensionistët ngritën disa probleme kryesore, si largimin e fëmijëve në emigracion, pamundësinë për një jetesë normale si dhe pensionet e ulëta. Një pesionist i tha Bushatit se pensioni i tij nuk i del as për të paguar faturën e energjisë elektrike pa përmendur këtu ushqimet apo faturën e ilaçeve që e ka të domosdoshme çdo muaj
Bushati i njohu ata me programin e Partisë Demokratike ku i inkurajoi të bëjnë durim deri më 25 prill, pasi edhe pensionistët do t’i bashkohen ndryshimit, duke garantuar se nuk do të ketë rritje më të vogël të pensioneve se 5% në vit.
Pensionistët shprehën besimin se Lulzim Basha si kryeministër do të mbajë premtimet dhe do ta ndryshojë për mirë jetën e tyre. “Për sistemin e shëndetësisë ca me fol, dihet…. 27-28 % janë taksa për pensionistin”, tha nje pensionist ndërsa një tjetër theksoi varfërinë me të cilën përballet mosha e tretë.
“Rama s’është njeri në rradhë të parë, ai ka udhëheq me Facebook , ky në kryeministri nuk e di ça mund të ketë ba. Kur të vini në pushtet shkoni e shifni se ça mund të jetë ba aty…..”– tha një tjetër pensionist.
Helidon Bushati vuri ne dukje se Programi i Partisë Demokratike do të mbështesë pensionistët.
“650 mijë pensionistë shqiptarë do kenë rritje të pensioneve çdo vit, me minimalisht 5% në vit dhe padyshim sa dyfishi i inflacionit në qoftë se ka rritje të çmimit, të produkteve të shportës padyshim që do të ketë dyfishin pensionet në mënyrë që të përballojë dhe të ketë rritje efektive të fuqisë blerëse.
Elementë të tjerë që do të ndikojnë në rritjen e mirëqënies, në rritjen e të ardhurave është ulja e çmimit të produkteve ushqimore. Partia demokratike në kuadër të luftës ndaj korrupsionit dhe monopoleve do të ndikojë drejtëprdrejt në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, të cilat sot janë në nivelet më të larta si rrjedhojë e monopoleve të lidhura me pushtetin, të cilët importojnë produktet e importuara dhe ndikojnë në çmimin e tregut.
Angazhim i Partisë Demokratike është edhe ulja e çmimit të dritave, ato që ndikojnë drejtëpërdrejt në xhepin tuaj. Për 70% të popullëisë dhe sidomos për shtresat në nevojë dhe pensionistët do të ketë reduktim të energjisë eletrike, do të ketë përmirësim të sistemit shëndetësor.
Ilaçet e rimbursueshme do jenë ilaçe me efektivitet jo produkte që kanë origjinë të dyshimtë, vetë paketa e rimbursueshme për shtresat në nevojë dhe pensionistët do të zgjerohet dhe do të jetë plotësisht e mbuluar nga shteti” – tha Bushati.