Aktualitet

Shkodra, 2 mijë ha tokë nën ujë, banorët numërojnë dëmet














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:27 - 16/03/13 |
mapo.al

Shkodra i rikthehet normalitetit, por banorët bëjnë bilancin e humbjeve. “Na thanë se nuk do të kishte rrezik. Në orën 20:00 të mbrëmjes kemi download (6)parë ujin që ka hyrë në shtëpi dhe nuk kishim kohë të largonim pajisjet e rrobat”






 


Shkodër -Pas një nate të tmerrshme nën ujë, mëngjesi ka rikthyer shpresën në Shkodër. Pushimi i shiut dhe ulja e sasisë së shkarkimeve nga hidrocentralet kanë nxjerrë mbi sipërfaqe hektarë të tërë tokë. Megjithatë, dhjetëra familje po përballen me bilancin e dëmeve në shtëpitë e tyre, por edhe në prodhimet bujqësore. Punonjës të Emergjencës Civile thonë se nivelet e ujërave brenda natës kanë rënë me 40%. Rruga nacionale Shkodër–Lezhë në vendin e quajtur “Harku i  Bërdicës” është e kalueshme. Por banorët ankohen për lënien në mëshirën e fatit, pa u lajmëruar për rrezikun që u kanosej. Banorët e lagjes “Bahçallëk” në Shkodër shprehen se janë gjendur të papërgatitur, pasi askush nuk i ka lajmëruar se do hapen portat. “Ndoqëm televizorin dhe ata të emergjencave civile thanë se nuk ka rrezik dhe se situata është në kontroll. Në orën 20:00 të mbrëmjes kemi parë ujin që ka hyrë në shtëpi dhe nuk kishim kohë të largonim pajisjet e rrobat”, – shprehet një banor i “Bahçallëkut”. Ata ankohen se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e vitit 2010, ndërsa ujin e kanë sërish brenda shtëpive. Në disa raste është dashur ndërhyrja e policisë dhe FNSH-së për të nxjerrë banorët e izoluar nga uji. Sipas një prej banoreve të evakuuara, ka qenë pak para mesnatës kur uji ka vërshuar brenda në banesën e saj, ku rrinin edhe katër fëmijë. “Nuk kishim mundësi të dilnim vetë. Kanë ardhur forcat e emergjencës me varka e gomone dhe na kanë nxjerrë dhe jemi vendosur në konvikt”, – thotë ajo. Sipas të dhënave nga Prefektura e Qarkut Shkodër, u përmbytën rreth 200 ha tokë në zonat Bahçallëk, Ajasem, lagjen “Mark Lulaj”, Pedonale, si dhe u izoluan rreth 60 shtëpi banimi e objekte. Në komunën Ana e Malit u përmbytën rreth 1800 ha, duke izoluar nga uji rreth 161 shtëpi në fshatin Obot, 19 shtëpi në fshatin Gorricë dhe 11 shtëpi në fshatin Muriqan. Në komunën Guri i Zi u përmbytën rreth 800 ha tokë, duke izoluar nga uji rreth 20 shtëpi në fshatin Rrenc, 20 shtëpi në fshatin Kasape. Në komunën Bërdicë u përmbyten rreth 500 ha tokë, duke mbajtur në izolim disaorësh 55 shtëpi. Pra, shirat e 48 orëve të fundit shkaktuan 4900 ha tokë të përmbytur dhe rreth 315 shtëpi të izoluara nga uji. Në orët e vona të mbrëmjes, vetëm 2 mijë ha tokë dhe 60 shtëpi ndodheshin në mes të ujit. Kjo situatë është shoqëruar edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike në fshatin Bardhaj dhe komunën Postribë, për shkak të këputjes së linjës TL në shtratin e lumit Kir. Në operacionet e evakuim-shpëtimit morën pjesë rreth 100 forca të policisë, 25 forca të FNSH-së me 5 mjete IFA dhe një gomone, të cilat operuan në komunat Bërdicë, Guri i Zi dhe në bashkinë Shkodër, duke bërë të mundur evakuimin në lagjet e Shkodrës. Një pjesë e familjeve u akomoduan në konviktin e Shkollës Industriale, ndërsa familjet e fshatrave Bërdicë e Kuç janë akomoduar pranë të afërmve të tyre. Nga Bashkia Shkodër janë marrë të gjitha masat për njoftimin e komunitetit pas njoftimit për shkarkimet në rajonet 1, 4 dhe 5, si dhe sigurimin e kushteve për akomodimin e të evakuuarve në konviktin e Shkollës Industriale. Me ndërprerjen e reshjeve gjatë ditës së premte familjet janë kthyer në banesat e tyre. Në Shkodër kanë qenë të pranishëm dhe ministrat Flamur Noka dhe Genc Ruli, të cilët kanë pohuar se nuk ka rrezik që të përsëritet situata e vitit 2010 në këtë qark .Sipas Rulit, ka patur 3 herë më shumë reshje se niveli mesatar i muajit dhe kjo ka rritur nivelin e prurjeve në liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Aktualisht në Fierzë prurjet janë 1800m 3 ujë në sekondë. Një tjetër shkak ka qenë dhe fryrja e liqenit dhe kjo dinamikë ka sjellë përmbytje në Oblikë, ndikuar dhe nga prurjet e lumenjve që derdhen në të. D.Kolaj







 




2000



Hektarë tokë u përmbytën në prefekturën e Shkodrës gjatë reshjeve të 48 orëve të fundit. Brenda Shkodrës lagjet më të prekura janë “Ajasëm” e “Bahçallëk”, ndërsa dëme ka pasur edhe në Bërdicë dhe në Anën e Malit

110

Familje u evakuuan gjatë orëve të natës, për shkak të vërshimit të ujit në shtëpitë e tyre. Një pjesë e mirë e banorëve, të mësuar me përmbytjet kanë shkuar tek të afërmit, ndërsa pjesa tjetër kanë gjetur strehë në konviktin e Shkollës Industriale të Shkodrës

 

Shkodër

Në territorin e rrethit Shkodër, sipërfaqja e mbuluar nga uji është reduktuar ndjeshëm dhe mbeten nën ujë rreth 2000 ha tokë, kryesisht në bashkinë Shkodër, zona e Bahçallëkut dhe Ajasëm, komunat Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Bushat.

Lezhë

Sipërfaqet e tokave bujqësore me prezencë uji janë: në zonën e Zadrimës 200 ha, komunat Dajç, Blinisht, Balldre, Kallmet. Në zonën e Bregut të Matës 300 ha, komunat Kolsh, Zejmen, Shënkoll. Në zonën Fushë- Gjormë 100 ha, bashkia Laç, Mamurras e Kom

Vlorë  

Në qarkun e Vlorës situata problematike vijon pranë urës së Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën dhe Novoselë. Prurjet e lumit Vjosë po pakësohen dhe niveli i ujit tek ura e Mifolit vazhdon të jetë nën 6 m nga 7 m që është pika kritike.

Fier

Situata po vjen drejt përmirësimit. Aktualisht, toka bujqësore të përmbytura janë: komuna Hekal 40 ha, komuna Kutë 40 ha, komuna Frakull 40 ha dhe komuna Cakran 25 ha. Në komunën Levan, situata e rreth 38 familjeve të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, në përmirësim.

Durrës

Situata në qarkun e Durrësit po vjen drejt normalizimit të plotë. Gjatë ditës së sotme janë evakuuar rreth 20 familje në fshatin Katund i Ri, komuna Sukth.

Korçë:

Gjatë ditës së djeshme në të gjithë territorin e qarkut Korçë ka patur mot me reshje të dobëta dhe kalimtare shiu e bore në lartësi mbi 1000 m. Aktualisht nuk ka reshje dhe temperaturat janë pozitive.

 

Rikthehet përmbytja e vitit 2005 në Fier

 

Rrethi i Fierit po kalon një ndër emergjencat më të vështira në 24 orët e fundit. Më të prekura mbeten tri komunat Levan, Frakull dhe Cakran, banorët e të cilave mbeten të rrezikuar nga vërshimi i Vjosës. Mëngjesi i djeshëm ka gjetur nën ujë rreth 500 ha tokë bujqësore në 3 komunat e lartpërmendura. Ndërkohë kanë mbetur të izoluara mbi 100 shtëpi. Ende nuk ka njoftime për shtëpi të përmbytura, por banorët e fshatrave Ferras, Cerven, Frakull dhe Mollas nuk mund të dalin dot nga banesat.“Që në vitin 2005 e këtej nuk kish ndodhur përmbytje e tillë. Na është dëmtuar i gjithë ushqimi i kafshëve dhe na janë përmbytur të gjitha tokat. Nëse vazhdon kështu, do të na përmbyten edhe shtëpitë. Jemi të bllokuar për momentin, nuk dalim dot nga fshati. Na janë dëmtuar të gjitha prodhimet bujqësore. Kjo situatë na ka lënë të varfër”, -thotë banori Lami Troku. Gjendja e alarmit ka bërë që shtabet e emergjencave civile nëpër komuna dhe ai i prefekturës të monitorojnë gjatë natës nivelin e prurjeve të lumit, si dhe të jenë gati për evakuimin e banorëve. Për këtë fazë janë vënë në dispozicion edhe mjete lundruese si dhe shërbime të përforcuara të policisë. Nga ana tjetër, qytetarët fierakë rrezikohen të furnizohen me ujë të pijshëm. Tetë nga njëmbëdhjetë puset e ujit që furnizojnë depot e ujësjellësit në Qafën e Koshovicës, nga ku marrin ujë më shumë se 150 mijë banorë, janë jashtë funksionit. Kjo për shkak të vërshimit të ujit të lumit Vjosë në brendësi të tyre. Drejtori i Ujësjellësit, Salarion Totaj u shpreh se situata është shumë e vështirë dhe nëse vërshojnë ende ujërat dhe përmbyten edhe tri puset e fundit, atëherë rrezikohet seriozisht furnizimi me ujë i qytetarëve fierakë. “Ujësjellësi po punon me kapacitet të ulët, ndërsa punonjësit po evakuohen me gomone. Kemi vetëm tri pompa në funksionim. Nëse gjendja vazhdon kështu, atëherë qyteti rrezikon të mbetet pa ujë”, – tha Toto.

 

 

 

Banorët e Novoselës, të sprovuar me përmbytjet

Vlorë- Banorët e 30 shtëpive janë larguar prej tyre pas vërshimit të lumit Vjosë në zonën e Novoselës. 1500 hektarë tokë bujqësore ndodhen gjithashtu të përmbytura në këtë zonë.

Kryetari i Komunës Novoselë, Kanan Shakaj tha dje se presin një përmirësim të situatës për shkak të uljes së intensitetit të reshjeve. Kërcënim serioz paraqesin argjinaturat, tek të cilat është ndërhyrë gjatë ditës së djeshme. Zona e Novoselës është inspektuar nga Ardian Kollozi dhe prefekti i Vlorës, të cilët thanë se janë marrë të gjitha masat për evakuimin e banorëve.

Mbas largimit të ujit nga banesat dhe tokat do të bëhet përllogaritja e dëmeve dhe kompensimi i tyre. Tashmë ne jemi të mësuar dhe dimë se kur mund të përmbyten banesat dhe tokat tona”, -thanë ata, të bezdisur megjithatë nga kjo situatë që përsëritet në kohë reshjesh të dendura. Në zonën e përmbytur ka shkuar dhe deputeti i PS-së, Eltar Deda, i cili ka parë nga afër gjendjen e banorëve.

 

1



Pas