Mapo Letrare

Shkodra, a mbretnon ende n’zotnimet e kryenaltsisë?!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:30 - 07/03/20 |
Nga Albert Vataj

Shkodra, a mundet me ken ma, ai za zotnimesh kumbuse e krenuese, t’dijes, kulturës, qytetaris e dalzotjeve kombtare?! Kjo asht nji pyetje qi e ban çdonjeni prej nesh, sod kur asht e ngutshme nevoja për me ken dhe me u ndi, kumbuse, krenuse, kulturalisht t’ngritun, qytetnisht i dhanun, me mish e me shpirt dalzot kombtar.


Shkodra, ka kenë, asht dhe ka me mbetë nji prej qyteteve ma t’randsishme, pavarsisht lëkundjeve të thekme transformuese të kohmbaskohshme. Asht e gjithpranueme dhe gjithmondëshmueme se ky qytet ka luejtun nji rol përcaktues në fatin e Shqipnisë. Tash qi shndrrimet janë njaq t’themelta dhe ernat njaq t’fuqishme, kanë ba t’mujtun mjaft lëvizje dhe zhvendosje, kapacitetesh dhe mundsish, e megjithatë Shkodra sërish ndihet nji “zonjë e randë”, e hijshme dhe e hyjshme n’truellin qi vet zafillja i ka ba vend.


Sado shkodranë qi e kanë braktisë qytetin dhe s’bashku me të i kanë kthye shpinën mundësisë me kenë vazhdues të njasaj udhe shkëlqimtare, të njatij urdhnimi t’shenjtë, me hyjnizue tançka me vullnesën e shpirtit dhe amën e të bukurës, prap ajo jeton dhe dhe përtrin kreninë, sërish mbi bedena të saj valëvin flamuri i betejave sfiduese. Anipse shumçka s’ka mujtë me ken si ma parë, gjithçmos asht ba ndryshues i ngulmët dhe deridiku shterrues i kapaciteteve përtrise, rishtaz ky truell guxon me besue dhe e tue u ndi n’borxh ban çmos me e ushqye me tharmin e njatij shpirti gufues krahnoresh.


Prolog


Tash qi përmbas kanë mbetë vite e njiherash me ta fort ndryshesa t’hovshme, m’kanda qi tue u rikthye, me u përpjekë me ba diçka rreth asaj se ç’ka ishte, ç’ka mundi me kenë dhe ç’ka asht sod Shkodra, me mujtë me e përshkue kallzimin tem tue u ballafaqë me ate, se çfarë asht përpjekë dhe ç’ka ka mujtë me u përmbushë prej tan atyne mendjeve dhe vullneteve, zemrave dhe përjetimeve.


Unë i përkas gjeneratës vërshuese të viteve ’90, t’shekullit t’shkuem, atyne andërrtarve qi besuen te mundësia e përtrimjes së Shkodrës, krenarisë së hirshme të kësaj madhështie qi gjithnji ka kenë nji shtysë e fuqishme me u hov përpara.

“Shkodra mundet me u përtri prej humusit t’vet…”, – asht kjo shprehje qi nji emën i atyne përpjekjeve t’asokohshme, Shpëtim Kelmendi, ma tha n’nji nga ndejet mramjeve shkëlqimtare t’këtij qyteti.

Shkodra si kryeqendër ku kanë bulue t’para dëshmime të ngadhnjimeve kulturale, patriotike dhe historike, Shkodra si qytet ku u lindën për me u shndërrue n’yje t’përgjithmonshëm ndritës së krenarisë së këtij testamenti qytetnimi dhe gufimi promovues, Shkodra po e thërret gjakun e vet.

Prej saj nji zà kushtrues gjimon tue lypë ç’ka mundet me dhanë sekush qi e ndin n’zemre borxhin e pashlyem. Ai humus i paluem në kohpaskohjen e periudhave të ndryshme po kërkonte mbimjen e njatij filizi qi ka me lshue shtat e ka me xan vendin e vet, bash njaty ku kryqëzohen stuhitë, ky shkulmon vullkani, ku marazi e hidhnimi lypin flì e ku krenia dhe zani gjithkahrrok, asht Shkodër.

Ishin fillimvitet ’90, kohë kur n’pamjen e përgjithshme n’Shkodër nuk ndodhte diçka qi me mujtë me e ndezë shandanin e krenisë. Mizerja dhe kaosi, vulgu dhe banaliteti, antishteti dhe antikanuni, ndesheshin si desh mitikë tue lyp territor frike e tue gllabërue t’atëhershmen e kujtesës ngjethëse. Gjithqysh Shkodra s’ka pranue me kenë pjesë e asgjasë në gjithçkanë e mëtuese të njasaj qi ka mëkue si frymë shndërrimi, si nevojë e proceseve zhvilluese. Gjithherë ka pasë emna dhe personalitete, kontribute dhe veprues, t’cilët me punën dhe veprimtarinë e tyne krijuese, kanë mujtë me ba njaq sa mos me e lanë me u shue zjarrmi i shpirtit të këtij qyteti, të këtij përcaktimi gjeografik dhe shpirtnor kungues vlerash t’epërme dhe mëtimesh krijuese t’afta me kenë konkuruse gjithkah përballen vlerat dhe lypin sprova sfiduese format shprehëse estetike.

Kah po ziente…

Teatri “Migjeni”, Radio “Shkodra”, “Jeta e Re” e plot vatra të sprovës dëshirdhanse u përpjekën n’kushtet e pamundësisë me ba diçka, e cila me mujtë me kenë vazhduese e atij emni t’madh, “Shkodra djepi i kulturës”. Funddekada e nji t’shkueme ku diktatura zvarritej në agoninë e vet, i gjen bijtë e Shkodrës tue ba çmos ma shumë se n’politikë, n’kulturë me ba diçka qi mundet me mbetë nji zà n’erën e re të ndryshimeve. Kapërcyelli politik e gjen Shkodrën e njasaj kohe nji qytet qi kurrë s’ka pranue me e lshue vedin në mëshirën e përuljes, zvarritjes dhe nënshtrimit.

Asokohe kur gjithkah Shqipnia ziente politikisht dhe Shkodra gjithashtu mujti me kenë nismëtare e këtyne ndryshimeve, kujtojmë këtu demonstratën e parë antikomuniste dhe rrëzimin e torsit të Stalinit n’qendër t’qytetit, më 14 janar 1990. Prej këtu pishtari i demokracisë u çue kah kishte nis me u farkëtue era e demokracisë. I madh e vogël u banë pjesë e atij vërshimi, sekush dha prej vedit pjesë së asaj qi po transformohej.

Ndërsa tançka ziente, në auditoret e dijes së qytetit, në kafe “Lux”, te “Oaz” gatitej landa e atij shpërthimi, mbruhej brumi i njasaj buke, hidhej fara e njasaj bime, Shkodra e vlerave ma t’nalta promovuese po përtrihej. Flitej për poezinë dhe pikturën, jetohej për muzikën dhe teatrin, debatohej për autorë dhe rryma, diqysh nji botë tjetër jetonte përmbi shtresëzimin vërshues politik dhe erëna të garrametshme që kishin ngërthye gjithçka e lypnin trazim sekund. Gjakmarrja gati çdo ditë shuente etjen e vet mitike, tue u përpjekë me e trazue kët melodi që kishte nis me endë hymnin e rilindjes së qytetit. Çdo ditë e ma shumë, emna dhe personalitete të krijimtarisë dhe veprimit artistik i shtoheshin këtij karvani qi rendtte nën nji atmosferë të mjegullt.

Çka asht zàfillje mundet me kenë vazhdim. Prej këtu lyp me nisë me shfletue fjalorin emnor të krenisë së Shkodrës, kësaj kryeqendre, jo vetëm kulturore por edhe ekonomike, shtetkrijuese e ligjzbatuese, por edhe atdhedashunie e trimnie, si tue dashtë me bashku dy skajet e atij filli me përvijue.

Yjet qi përcaktuen konstelacionin e fatit të qytetit

Cekim në kët pelegrinazh apostujsh të shkodranëve të mëdhenj, atyne qi gjithçka qi kishim ma t’mirën e tyne e lanë për emnin e mirë të qytetit ku lindën, qytet t’cilin kudo qi shkuen e morën me vedi, tue çu ma nalt e tue e lanë dorzanë brezave. Kët parakalim hyjnuer po due me e nis me humanistët e mëdhenj, Marin Barleti, Marin Biçikemi, Gjon e Pal Gazulli, për me vijue me figurat e shqueme patriotike; Hams Kazazi, Dasho Shkreli, Oso Kuka, Hodo e Isuf Sokoli, Zef Jubani, Jusuf Uruçi, Filip Çeka, Luigj Gurakuqi, etj; e me vazhdue me historiografët: Frang Bardhi, Pashko Vasa, Tef Curani, Ndoc Nikaj, Nikoll Ivanaj, Nesuf Dizdari, Atanas Gegaj, Marin Sirdani, Zija Shkodra, Gazmend Shpuza, etj., etj.

Kët vargan krenues e ndjekim me gjuhtarët: Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Justin Rrota, Kolec Topalli, Bahri Beci, Jup Kastrati, Kol Ashta, Rrok Zojzi, Martin Camaj, etj. Për me viju me shkrimtarët: Gjergj Fishta, Filip Shiroka, Hil Mosi, Risto Siliqi, Migjeni, Ernest Koliqi, Vinçens Prennushi, Gaspër Pali, Kol Mirdita, Zef Harapi, Ndre Zadeja, Andrea Skanjeti, Fadil Kraja, Skënder Drini, etj. Në vazhdim ekonomistët: Zef Jubani, Rrok Gera Gaspër Guga, Luigj Gurakuqi, Zija Shkodra, Gaspër Ljarja – kimist; Shkodra e muzikës ka ndër emnat ma të ndritun të saj, Palok Kurti, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Prenk Jakova, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, Pjetër Dungu, Gapër Çurçija, Frederik Shiroka Doktor, Tonin Zadeja muzikant. Për me zgjatue në kët parakalim krenues me helenistët, latinistët, orjentalistët, përkthyesit dhe eruditët, Franc Allkej, Pashko Geci, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Willy Kamsi, Nikolle Dakaj, Jonuz Tafili, Tahir Dizdari, Daut Boriçi, Hamdi Bushati, etj.

Kët emnore e vijojmë piktorë, skulptorë e mjeshtra të mëdhenj të skenës: Ndoc Martini, Kol Idromeno, Simon Rrota, Pjerin Sheldija, Vladimir Jani, Lin Delija, Ismail Lulani, Danish Jukniu, Gjovalin Paci, Gjergj Pali, Mensur Gushta, Gjergj Spathari, Pjerin Kolnikaj; apo Loro Kovaçi, Marije Logoreci, Pjetër Gjoka, Marije Kraja, Luçije Miloti, Lukë Kaçaj, Naile Hoxha, Shyqyri Alushi, Xhevdet Hafizi, Tonin Tërshana, Nikolin Gjergji, Justina Aliaj, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Ndrek Prela, Ndrek Luca, Ndrek Shkjezi, Andrea Skanjeti, Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka, Tef Krroqi, Pjetër Deda, Ejëll Gjusi, Lec Prendi, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia, Domenika Veli, Violeta Pali, Diamanta Pema, Ndoc Çikliqi, Rrok Ashta, Rrok Sheldia, Shyqyri Bakalli, Çesk Vuksani, Gjovalin Vjerdha, Ndoc Çikliqi, Kolec Tafrruku, Julka Kakarriqi, Veronika Prela, Domenika Veli, Rrok Sheldia, Rrok Dajçi, Ferdinand Bushati, Gjovalin Çarkaxhia, Gjina Paskali, Paulin Preka, Ana Ujka, Rrok Ashta, Lec Fishta, Franc Ashiku, Çesk Vuksani, Tonin Miloti, Jonuz Dini, Ton Shoshi, Frano Gjelaj, Ludovik Pepa, Hasan Smaja, Tano Banushi, Paulin Preka, Adem Kastrati, Prekë Lëkunda, Lec Ndreka, Pistol Soja, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, Zef Deda, Serafin Fanko, Bardh Smaja, Katerina Biga, Paulin Selimi, Rita Gjeka, Merita Smaja, Alfred Çapaliku, Sadik Spahia, Agim Kadillari, Merita Selimi, Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Besnik Cinari, etj, etj.

Kur flet për emnat qi e çuen Shkodrën në kreshtën e krenarisë jo vetëm shqiptare, s’mundesh pa përfshi në kët yjësi edhe sportistët, t’cillët me përpjekjen e tyne lanë gjurmë të pashlyme në kujtesën e kohnave dhe në testamentin e visareve të qytetit. Ata janë njaq shumë, por ne mundena me veçue ma të shndritshmit e tyne: Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhevdet Shaqiri, Ibrahim e Feti Dizdari, Renato Radoja, Ali Bushati, Faruk Kalleshi, Lin Shllaku, Ramazan Rragami, Mehdi Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Astrit Hafizi, Vera Bregu, etj.

Edhe fotografia asht nji ndalesë e patëdytë e shenjimit të këtij qyteti në listimin e qytetnimeve të kohnave. Ajo, fotografi, behu maspariherë në Shkodër, për me mbetë atëditë e sot nji pasuni e paçmim dhe nji frymëzim për gjeneratat. Kjo piketë u vendos jo aq nga emna të përvetshëm se sa nga dinasti të fotografisë, e cila fillon me Marubin, për me vijue me ato Pici, Jakova, Kodheli, Nënshati, etj.

 


Etiketa:

Pas