Aktualitet

Shkodra, a po nis rënia e Rilindjes?






               Publikuar në : 11:33 - 17/08/19 |
mapo.al

Rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër konfirmoi sërish një fenomen të denoncuar nga media e opozita prej kohësh. Por përse arriti qeverisja e Edi Ramës deri në këtë pikë? Çfarë skenarësh na presin? Flasin për MAPO analistët dhe ekspertët Armand Shkullaku, Afrim Krasniqi, Jordan Daci dhe Kristaq Kume


Nëse do ishe i huaj dhe do kishe një kuriozitet për të mësuar se çfarë ndodh në vendin e shqiponjave, do klikosh te faqet e lajmeve në anglisht. Natyrisht tani është sezoni dhe do lexosh shkrime që të joshin për të shkuar në një vend të nxehtë mesdhetar me plazhe të virgjra, me çmime të lira dhe me mikpritës bujarë. Nëse do të shkosh përtej kësaj, do lexosh se si disa prej mediave më të mëdha në kontinent, nga Italia e deri në Angli, flasin për një seli të drogës, një narkoshtet ku qeveria e krimi bëhen njësh. Sigurisht fillimisht do kesh dyshimet e tua, por më vonë në ‘feed’ do të shfaqet një lajm: kandidati i një prej bashkive më të mëdha në vend, më të rëndësishmes në veri, është dorëhequr për shkak të një dënimi për drogën në të shkuarën. Tashmë e keni bërë lidhjen tuaj në tru.



***

Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë ka pasur në mendje kryeministri Edi Rama kur e përzgjodhi Valdrin Pjetrin për kandidat të Bashkisë më të madhe në veri të vendit. Për kryeministrin, Shkodra duhej të ishte prioritet numër 1. Nga ajo që rezultoi në ditët e para të gushtit, duket se prioritet i Ramës ka qenë vetëm një: të marrë qytetin me çdo kusht, pa harruar se kostot mund të jenë më të rënda më vonë.

Së fundmi flitet shumë për atë që njihet edhe si Ligji i Mërfit. Me pak fjalë, ai thotë se çdo gjë që mund të shkojë keq, në fakt do të shkojë keq. E thënë më ndryshe, ashtu siç është nisur, do të bitiset.

Dhe kështu u nis. Pas operacionit të madh të Lazaratit, droga u shpërnda nëpër të gjithë Shqipërinë dhe u bë sinonim i qeverisjes së Edi Rama. Rilindja që do e nxirrte vendin nga korrupsioni drejt zhvillimit, rezultoi më shumë një iluzion. Në këtë mënyrë nisi rrugë një fenomen, ku shteti bëhej bashkë me krimin deri në atë farë feje ku nuk mund të dallohej se ku nis njëri dhe ku mbaronte tjetri.

Kur gazeta më e madhe në Europë, BILD, do shkruante se Shqipëria është zhytur në një moçal krimi, ku ligjin e bëjnë gangsterët, njerëzit nuk kanë tundur kokën me habi. Për ta, gazeta vetëm sa po konfirmonte atë që po ndodhte në realitet. “Nuk tha një gjë të re”, ishte shprehja më e konsumuar.

***

Megjithatë, pavarësisht kësaj situate, edhe pse zor se do të ndodhë ndonjëherë që një qeveri shqiptare të përfundojë në mediat e huaja si krijuese e narkoshtetit të parë në Europë, askush nuk do e mendonte se edhe në votimet e 30 qershorit, kur qeveria nuk kishte asnjë rival përballë, do vazhdonte të konsumonte të njëjtin ‘krim’. Emri i Valdrin Pjetrit nisi të lundronte në media që në korrik. Kandidati për kryebashkiak në Shkodër i mohoi fillimisht të gjitha akuzat, që po ia adresoheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga opozita shqiptare. Ndërkohë të martën, gjithçka duket se mori fund. PD publikoi dokumentet, që sipas Zërit të Amerikës rezultojnë se janë origjinale. Ato tregojnë se Valdrin Pjetri është i dënuar në Itali për krime që lidhen me drogën.

Kjo goditje e rëndë shkonte mbi të gjitha për kryeministrin shqiptar, siç raporton VOA. Ai vetë nuk e quajti ndonjë krim faktin që Pjetri është marrë me drogë në moshë të re, por ishte i ashpër kur kërkoi që të kishte më shumë pengesa për ata të dënuar që duan të depërtojnë në shtet.

Ngjan si hipokrizi, sidomos pas gjashtë viteve në pushtet dhe pas miratimit të një ligji të ashpër për dekriminalizimin. Por kryeministri nuk ka ndërmend të shkojë përtej faktit që do i japë duart Pjetrit. Disa analistë të njohur thonë se Rilindja, ose ndryshe fryma që solli në PS, më shumë i ngjan një organizate të inkriminuar. Deri përpara rastit të Shkodrës, Edi Rama edhe mund të justifikohej. Valdrin Pjetri vetëm sa konfirmoi më shumë atë që përflitej. Fundi i Rilindjes do vinte aty ku nisi, nga thirrja për të bashkuar njerëzit e nëntokës për të ardhur në pushtet.

LEXO EDHE:

https://gazetamapo.al/shkullaku-ps-nuk-ekziston-me-filtrat-e-perzgjedhjes-u-shkaterruan/

Afrim Krasniqi: Problemi “Pjetri” është problemi i sistemit partiak

Kristaq Kume: Skenarët ligjorë për kryetarin e ri të bashkisë Shkodër

Shkodra/ Daci: Fakte shtesë për antikushtetutshmërinë e 30 qershorit


Etiketa: , , , , , , , , , ,

Pas