Një javë pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Shkodrës, në votimet e 30 qershorit, Prefekti i Qarkut, Çesk Millja, ka informuar kreun e Shtetit Ilir Meta përmes një shkrese zyrtare.
Millja vë në dijeni Metën për konstituimin e Këshillit bashkiak dhe për mbledhjen e tij të parë që u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” me 19 gusht mes tensioneve të shumta, ku nuk munguan edhe përplasjet e protestuesve të opozitës me forcat e policisë.
Prefekti i qarkut të Shkodrës sqaron mes të tjerash Presidentin për zgjedhjen e kryetares së këshillit dhe për vendin vakant të kryetarit, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pas publikimeve të dokumenteve nga Partia Demokratike, sipas të cilave, ai rezultonte i dënuar për trafik droge në Itali.
Në letrën dërguar Metës, Prefekti thotë se dorëheqja e Pjetrit është paraqitur në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak në Shkodër dhe zyrtarisht, sipas tij, tregon se posti i kryetarit të bashkisë Shkodër është vakant.