Mjedisi shqiptar prodhon politikë më shumë se çdo produkt tjetër. Këtë e tregon edhe lista e partive që njihet zyrtarisht nga ministria e Financave për financime.
Në listën e njësive shpenzuese që shoqëron projektbuxhetin 2018 janë 89 parti politike të listuara, ndër to edhe ajo komuniste qe do të financohem nga buxheti i shtetit. Krahas partive të njohura tashmë ka emra të padëgjuar ndonjëherë për publikun, por që në të vërtetë financohen nga taksat e tyre.
Por numrit të madh të partive politike i korrespondon një shumë e vogël financimesh nga buxheti, me vetëm 190 milionë lekësh ose rreth 1.3 milionë eurosh. Sikur kjo shumë do të ndahej në mënyrë të barabartë ndërmjet partive, vlera e përfituar për secilën nuk do të mjaftonte as për mirëmbajtjen e zyrës dhe qiranë e saj.
Pavarësisht numrit në rritje të partive politike nga viti në vit, fondet publike ndaj tyre nuk kanë ndryshuar. Ato ndër vite kanë qëndruar rreth 200 milionë lekë madje vitin që vjen parashikohet një ulje e tyre me rreth 5 për qind.
Shuma më të mëdha të financimeve publike i përfitojnë tre partitë e mëdha, PS, PD dhe LSI. Por ndër vite burimi i financimit të partive ka lënë vend për diskutime në lidhje me transparencën e financimit të tyre nga burimet e tjera.
Ekspertë të politikes e vlerësojnë të madh numrin e partive të politike në vendin në krahasim me popullsinë e vendit, e cila po tkurret në mënyrë të shpejtë prej rënies së numrit të lindje dhe niveleve të larta të emigracionit.
Pavarësisht partive të shumta politike, Shqipëria vlerësohet si një vend me demokraci të brishtë dhe jo funksionale, ndaj inflacioni politik më shumë ka krijuar kosto se sa përfitime./Monitor