Arkiva 2

Shkrimi i historisë dhe mungesa e etikës në media














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:27 - 30/01/14 |
mapo.al

Tek ne, pak për mungesën e sensit etik të gazetarisë, pak për injorancën e gazetarëve që nuk kuptojnë dallimin mes Ardian-Ndreca1nji dokumenti me vlerë historike dhe thashethemeve të korridoreve, ndodh që publikut t’i serviret si i vërtetë çdo lloj pislleku që gjindet në ndonji arkiv e nganjiherë edhe në skutat e mbamendjes së ndonji plaku të rrjedhun.






Në qoftë se arkivi ku asht gjetë dokumenti, spijunimi, shpifja, i përket ndonji shteti të huej, aq ma mirë, publiku gjysëm analfabet, akritik dhe i etun për me u mashtrue nuk pret gja tjetër, tue qenë se problemet e përditshme i ka zgjidhë të gjitha.


Këto ditë nji e përditshme botoi nji pseudo dokument historik të dalun prej pjesës së deklasifikueme të arkivave të CIA-s, që fliste për marrdhanje incestuoze të Ahmet Zogut dhe shpifte në mënyrë të ulët për Geraldinën. I nënshkruemi nuk ka asnji lloj simpatie për Zogun dhe për vitet e tija të pushtetit, por mungesa e deontologjisë profesionale edhe ndaj nji personazhi si Zogu, kësaj here ishte mbresëlanëse dhe e pështirë.







Në nënvetëdijen e publikut shqiptar, për shkak të trysnisë së fortë të mjedisit kriminal, janë depenalizue nji seri e madhe krimesh, tue nisë prej vjedhjeve “të vogla” si ajo e energjisë elektrike, kontrabandës, përfitimeve të paligjshme, shpifjeve, rrenës publike sy për sy etj. Kjo gja ka shkaktue në opinionin publik nji pandjeshmëni dhe indiferencë të pamoralshme që çon për shembull në botimin e nji dokumenti pa asnji lloj vleret historike dhe pa asnji lloj relievi historiografik.




Preteksti se ai dokumenti asht marrë në arkivin e CIA-s asht infantil për mos me thanë demencial, tue qenë se në arkivën e naltpërmendun ka edhe dokumente që informojnë për ekzistencën e armëve kimike dhe të atyne të shkatërrimit në masë në Irak etj. etj.



Dihet se zyrat e asaj agjensie mbledhin prej anekand botës nji sasi të madhe informatash që në fund i arkivojnë, prandaj asht e imagjinueshme se nji qasje jokritike ndaj gjithë atij informacioni do të ishte katastrofike, sidomos për mendjet e thjeshta dhe pa pretendime, që përbajnë shumicën.

Besoj se ndokush e ka lexue librin e Graham Green “Our Man in Havana” apo ka pa filmin e Carol Reed (1959) të bazuem në atë libër. Do të mjaftonte ky fakt për me relativizue nji dokument të CIA-s që nuk gjen në asnji fakt tjetër të jetës së Zogut dhe të Geraldinës nji konvergjencë mundësish që të jetë sadopak i vërtetë.

Përveç faktit që ne nuk dijmë asgja se çfarë besueshmëniet morale dhe profesionale paraqet informatori i CIA-s e madje nuk kuptohet nëse avokati Church asht informatori rregullt apo i rastësor, vetë zyra shprehet ndaj tij se “burimi nuk mund të gjykohet”. Ky pezullim gjykimi sigurisht nuk i jep besueshmëni këtij subjekti. Avokati jetonte në ShBA dhe kujdesej për disa pasuni krejt të vogla të Zogut si edhe mbikqyrte kalimin muejor të 115 dollarëve si ndihmë për gjyshen e Geraldinës. Rreth këtyne shërbimeve të natyrës financiare, patjetër që janë gërshetue edhe interesa të forta ekonomike nga ana e të afërmve të Geraldinës. Dokumenti në fjalë na lejon me kuptue se avokati asht aktiv pse ka interesa në atë mes. Megjithatë njohunitë e tija të “oborrit” janë aq të kufizueme sa as nuk njeh emnat e vërtetë të Skënder Villës apo Gaqo Gogos, madje nuk njeh as grafinë e drejtë të emnit të princeshës Senije, së cilës i ban nji transkriptim fonetik të pangjashëm. Prej vetë dokumentit del se Zogu nuk ka besim tek ky avokat dhe se çdo dokument të tijin ia parashtron nji avokati të besuem në Egjipt. Meqë avokati nuk ka asnji dëshmitar për pohimet e tija, ka shumë gjasa që për shkak të interesave të thjeshta ekonomike, psh. edhe të ndonji parcele të papagueme apo të ndonji trashëgimie të mohueme, të ketë shpifë ndaj Zogut dhe ndaj Geraldinës.

Keqdashja dhe pabesueshmënia e hafijes projektohet tek naiviteti (asht eufemizëm) i atyne që e marrin dhe e botojnë si të ishte nji e vërtetë e qartë.

Në histori njihen shumë false historike tue nisë prej tek “Constitutum Constantini” që u hodh poshtë prej humanistit Lorenzo Valla, tek “Telegrami i Ems-it” i 1870 që u ba pretekst për luftën franko-prusiane, “Protokolli i të urtëve të Sionit”, “Ditaret e Hitlerit”, libri fantomatik i “Teodor Shkodranit” etj.

Asht nji rregull elementare e historiografisë që thotë se jo çdo dokument apo fakt i përshkruem ka dinjitetin e së vërtetës dhe mund të trajtohet si fakt historik. Qasja diletanteske, keqdashja, injoranca e pakalueshme nuk janë armët e duhuna që lejojnë studiuesin me ia gjetë fillin punës.

Ideali i atij që shkruen nuk mund të jetë as përbaltja me çdo kusht e kundërshtarit, as nxjerrja me çdo kusht e nji “scoop-i” dhe as interesa të tjera të vogla kalimtare, por vetëm e vërteta historike. Objektivi i historianit të mirëfilltë asht hulumtimi i ngjarjes, ajo që L. von Ranke e quente: rindërtimi i ngjarjes “siç ka ndodhë me të vërtetë” (wie es eigentlich gewesen).

Atyne që kanë botue paçavuren e avokatit Church nuk u ka interesue e vërteta por vetëm skandali që mund të shkaktonin rreth figurës së Zogut. Asht naive me mendue se dokumenti i Church dëshmon se si kanë qenë me të vërtetë punët, ajo letër dëshmon me siguri absolute vetëm se çka ka pasë interesë me komunikue avokati Church në atë moment.

Tue mos qenë në gjendje për shembull me hy në arkiva të mirëfillta dhe me ba kërkime serioze, gazetarët tanë sillen në internet, peshkojnë ndysina dhe i përkthejnë për përdorim të menjihershëm. Në qoftë se gazetari do të kishte pasë sadopak talent, interesa apo primje do të kishte hy në Arkivin e Shtetit shqiptar, për me gjetë dokumente që flasin psh. për shtypjen e përgjakshme nga ana e Zogut të kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1926, apo ndonji fakt tjetër që lidhet me kohën e A. Zogut.

Asht absurde të mendojsh se faktet historike mund të ekzistojnë pa sensin historik, i cili i jep vlerë atyne mbas nji procesi të gjatë ku verifikohen rrethanat, dëshmitarët, precedentat, dëshmitë plotësuese, burimet parësore dhe dytësore etj. Në rastin tonë asht irrituese sesi historia kthehet menjiherë në pasion politik për me prozhmue, edhe me anën e mjeteve ma të ndyta, siç asht hafija Church, atë që konsiderohet anmik i përjetshëm.

Sot Ahmet Zogu nuk asht ma anmik i askujt, ai ka hy në histori me të metat e tija të shumta dhe me ndonji meritë që padyshim e ka pasë. Problemi asht se mbas tij në histori nuk mund të hyjë me e gjurmue çdo çilimi, pse po të hyjsh në pyll pa spatë do të dalësh duerthatë, ose do të mbledhish krande përtokë, të cilat siç dihet as bajnë dritë dhe as ngrohin kend.

1


Etiketa:

Pas