Mapo Letrare

Shkrimtarët tanë më të mirë e kanë “stërvitur” gjuhën






               Publikuar në : 15:51 - 06/07/19 |
mapo.al

Me shkrimtarin dhe analistin e letërsisë Preç Zogaj


Përshëndetje Preç Duke qenë se ju jeni një nga analistët dhe opinionistët më në zë të librit të huaj ardhur në shqip, desha të dijë: Tek librat që vijnë nga gjuhë të tjera, patjetër që përkthyesi është njëfarë garanti apo dorzani mes autorit dhe lexuesit pritës. A mendoni se shkolla jonë e traditës së përkthimit, si dhe përkthyesit e sotëm kanë qenë garantët e mirë? Mund të na e ilustroni atë që do thoni?

Përgjigje: Për një kohë shumë të gjatë, qysh se kam filluar të lexoj, unë vetëm i kam adhuruar përkthyesit e librave në gjuhen shqipe. Kjo ka bërë që të rritem me kultin e tyre, duke ua lënë  botuesëve detyrën e gjykimit të tyre si garantë të mirë apo jo. Natyrisht që, me kalimin e kohës, më ka ndodhur edhe mua të përplasem me perkthyesin e keq. Por në përgjithësi me ka ndjekur dhe më ndjek mirënjohja dhe idhujtaria për ta. Ilustrime mund të sjell shumë. Do të kufizohem të poezia dhe do të doja të përmend katër poetë që kanë ardhur në shqip me gjithë origjinalitetin dhe kompleksitetin e tyre. Këta poetë janë Wollt Uitman, libri i tij “Fije bari” përkthyer nga Skendër Luarasi në vitin e largët 1957, Tomas Trastomer, libri i tij “Perandoria e barit”, përkthyer si një diktim magjik nga Natasha Lako dekadën e shkuar, Jorge Luie Borges, poezi të zgjedhura, përkthyer nga Anton Papleka dhe Çeszllav Milosh, përbledhja e tij “ Në bregun tjetër”, përkthyer nga Pandeli Çina dhe Ben Andoni.
 “Eshtë një “strabizëm” logjik, kur thuhet se gjuhën e bëjnë gjuhëtarët. Gjuhën e bëjnë shkrimtarët. Ata e harlisin në fond dhe forma, ata e pasurojnë, ata e zgjojnë shpesh nga gjumi i harresës dhe heshtjes. Ndërsa gjuhëtarët e kthejnë gjuhën në disiplinë, e magazimojnë, e skedojnë, i përcaktojnë rregullat. A mendoni ju që gjuha shqipe ka patur aq shkrimtarë të plotë, që e kanë pasuruar aq shumë leksikun, sa shqipja të përballojë përkthimin e letërsive nga gjuhët e mëdha e të kultivuara prej kohësh?

Pohimet tuaja i gjej të drejta. Mundësitë e gjuhës janë të pashterrshme, ndaj dalin vazhdimisht shkrimtarë të mëdhenj nga e njëjta gjuhë. Mendoj se shkrimtarët tanë më të mirë e kanë “ stërvitur” gjuhën në mënyrë që ajo të përballojë përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore. Letërsitë e mëdha të përkthyera në shqip kanë bërë të nëjtën gjë. Është një marrëdhenie e dyanshme. Vitaliteti dhe dinazmi i gjuhës shpjegon edhe zakonin e ripërkthimit të kryeveprave çdo pesëdhjetë vjet, siç thotë studiusi i njohur Alen Fienkielkraut.

Stofi juaj i formimit, në raport me publikun, është letërsia. Kur shkruani letërsi, qoftë dhe një herë të vetme, a e keni ndjerë tundimin e ndikimit nga fryma shkollash të letërsive të tjera, nga rryma e tendenca letrare? Gjithashtu në këtë kuadër, a mund të na flisni pak rreth letërsive më të pëlqyera sot nga bota e leximit? Autorë të preferuar?

Më pëlqen të citoj këtu shprehjen e famshme të Borhesit që duke iu përgjigjur një pyetjeje të ngjashme thoshte se jam ndikuar nga të gjithë autorët që kam lexuar dhe nga të gjithë ata që nuk i kam lexuar por që janë te unë. Ne kuptimin e krijimit, ne shkruajmë sepse kanë shkruar të tjerët para nesh. “Gjeografia” e preferencave, flas për letërsinë cilësore që nuk është kurdoherë sunduese në treg, lëviz nga koha në kohë, nga një kontinent apo krahinë e botës në tjerën. Lëviz ngadalë sigurisht. Shtetet e Bashkuara s’rreshtin së qeni një vend-zemër për letërsinë, po të huazojmë një percaktim për qytetet-zemra të botës  që kanë shënuar civilizimin. Fipil Roth vdiq s’ka shumë muaj, po është aq bashkohor dhe ndërkohor njëkohësisht sa do të duhet shumë vite të mësohemi me faktin e rendomtë se ka ndërruar jetë. Paul Auster është gjithashtu një shkrimtar që më përlqen shumë. Në Japoni është Murakami, gadishulli  iberik dhe sidomos Spanja ka sot disa romancierë shumë të mirë dhe do të doja të permendja Javier Maria dhe Javier Cerkës, sjellë në shqip nga Bashkim Shehu, në Francë dhe në Angli s’mungojnë shkrimtarët e mëdhenj, pavarësisht se shkëlqimi i tyre nuk e ka të lehtë në raport me traditën madhështore, Michel Holebek është një poet dhe prozator gjashtëdhjetëvjeçar të cilin e lexoj me kënaqësi të veçantë. Po permend autorë të gjallë, ndërkohë që lista e autorëve që nuk jetojnë më është shumë e gjatë.

Ju falenderoj

Bashkëbisedoi Mark SIMONI

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas