Analisti Armand Shkullaku komentoi situatën politike në vend në studion e Endri Xhafos në A2 CNN. Duke folur për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Shkullaku u shpreh se zgjidhja është në “dorën” e Ramës.
Shkullaku tha se nëse PS do të shkojë në zgjedhje, atëherë vendi rrezikon të shkojë në konfrontim civil.
“Koha është në varësi të reflektimit që do të ketë kryeministri, në varësi të kërkesave të opozitës. Opozita mund të jetë e “çmendur” dhe nuk do të hyjë në zgjedhje. Atëherë vendimi që duhet të marrë kryeministri duhet të jetë i tillë që meqenëse kam mbështetje, meqenëse jam i qetë, do hyj në zgjedhjet e 30 qershorit i vetëm apo jo. Nëse do të hyjë, atëherë duhet të llogarisë që një vendim i tillë mund të çojë dhe në konfrontim civil.
Ai ka ardhur në pushtet me shprehjen e famshme: ‘Jam i gatshëm të sakrifikoj pushtet për të bërë shtet’. Nëse është i gatshëm të sakrifikojë pushtet, le të emërojë një qeveri tranzitore dhe kryeministrin e ri ta zgjedhë PS”, u shpreh Shkullaku.