Aktualitet

Shoqata e bankave: Kostoja e grabitjeve bie mbi qytetarët





               Publikuar në : 19:14 - 10/04/19 |
mapo.al

Shoqata e bankave ka reaguar për grabitjen e bujshme dje në Rinas ku në avion u grabitën rreth 10 milionë euro. Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave thotë se ngjarja është përtej imagjinatës dhe nëse nuk do të zbardhet e plotë me përgjegjësitë që ka çdo hallkë institucionale dhe autor i saj, do të frymëzojë grabitje të tjera.


Grabitja ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për bankat, të cilat prej 30 vjetësh bënin lëvizjen e parave me kompaninë ajrore “Austrian Airlines”. Kompania ka deklaruar se nuk do të kryejë më lëvizje të parave fizike, për të mos rrezikuar jetën e udhëtarëve.



Bankat kërkojnë vëmendje të institucioneve të sigurisë në vend, jo vetëm për grabitjen e djeshme, por edhe për shtimin e krimit gjatë javëve të fundit.


Veç panikut, vjedhjet e përsëritura në Rinas kanë edhe kosto financiare, e cila bie direkt mbi qytetarët. Ndonëse paratë e vjedhura fillimisht kompensohen nga shoqëritë e sigurimeve, kostoja finale e tyre paguhet nga qytetarët. Për shkak të vjedhjeve të herëpashershme, shoqëritë ndërkombëtare të sigurimeve kanë rritur çmimin e siguracioneve për bankat shqiptare, të cilat këtë kosto shtesë ia përcjellin qytetarëve, duke rritur komisionet dhe interesat e kredive.

Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të krimit në Europë. Sipas BERZH-it, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5% të xhiros bruto, përmes vjedhjeve, gjobave apo kostove ekstra të sigurisë, para’ të cilat në fund paguhen gjithmonë nga qytetarët.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas