Nga Elda Canaj*
Sa ka ndikuar dhe ndikon dixhitalizimi sot në zhvillimin personal dhe psikosocial të njerëzimit? A ka sjellë ndryshim në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë, ndërtojnë dhe zhvillojnë idetë e tyre në lidhje me fusha, fenomene, dukuri, qasje të ndryshme? A kemi ndryshuari individë për t’ju përshtatur kësaj epoke?
Dikur e kisha të lehtë të zhytesha në një libër apo artikull të gjatë. Mendja më ngërthehej në rrëfim apo në kthesat e argumentit dhe mund të kaloja orë të tëra duke shëtitur në rruginat e prozës. Kjo nuk ndodh më. Tashmë përqendrimi shtegton pas dy tre-faqesh. Acarohem, humbas fillin, nis të shoh se ç’mund të bëj ndonjë gjë tjetër. Ndihem sikur gjithnjë po zvarris me zor mendjen time shtegtare për ta kthyer tek teksti. Leximi i thellë që dikur e bëja në mënyrë të natyrshme tashmë është kthyer në një mundim.
E mesa duket nuk jam e vetmja që dëshira tanimë për të lexuar dhe për të qenë e ngërthyer mes rreshtave të një libri apo artikulli është zhvendosur drejt leximit online. Sot përdoruesit e internetit nuk lexojnë online në sensin tradicional por ata kërkojnë horizontalisht me ngut nëpër tituj, faqe përmbajtje dhe përmbledhje duke kërkuar për gjetje të momentit. Pyetja qëndron se sa fajtorë duhet të ndihemi për këtë? Mendoj shumë, pasi duke lexuar online në masën që lexojmë ne i heqim vetes aftësinë për të lexuar offline.
Ndërsa jemi mbështetur tek kompjuterët për të përçuar perceptimin tonë për botën është vetë inteligjenca jonë që zbehet dhe kthehet në inteligjencën artificiale. Sot ne arrijmë të lexojmë mbi çdo informacion, ide, këshilla, opinione, sugjerime, analiza, teori vetëm me një klik online. Ne kërkojmë ndikimin e rrjeteve sociale në kulturë : në gjuhë (ku të shokëzohesh tashmë është një fjalë) në politikë( ku është e domosdoshme që kandidatët për president të rendisin virtytet e tyre në MySpace), dhe në universitete (ku mospërdorimi i Facebook kthehet në një të metë sociale.)
Por sapo kemi filluar të kuptojmë pasojat e përdorimit të këtyre faqeve: për miqësi dhe për nocionet tona të privatësisë, origjinalitetit, komunitetit dhe identitetit. Ashtu si me çdo përparim të ri të teknologjisë, duhet të kemi parasysh se çfarë lloj sjelljeje nxit rrjeti social online. Mos vallë kjo teknologji, me kërkesat e veta të vazhdueshme për të grumbulluar(miq dhe status) dhe për të vepruar (duke bërë një marketing të vetvetes) në një farë mënyre kërcënon mundësinë tonë për të arritur atë që ajo premton-një kuptim më të sigurt të asaj që ne jemi dhe të asaj ku bëjmë pjesë?
Mos ndoshta jemi duke humbur veten, unin duke u përpjekur t’i atashohemi maksimalisht kësaj epoke dixhitale? Shumë njerëz përfshirë edhe mua do të pohonin se po humbasim individualitetin, duke përqafuar këtë botë surreale tek e cila çdo gjë pasqyrohet si perfekte. Teksa jetojmë nën vazhdën e kësaj bote të digjitalizuar, kuptojmë se jemi duke u bërë një kopje e shëmtuar e njëri-tjetrit duke u përpjekur të jemi sa më perfekt, duke rritur kështu mundësitë e një konkurrence virtuale. Si pasojë e kësaj fshehim imperfeksionet tona, por edhe pamundësinë për të qenë vetvetja. Ne ndërtojmë imazhin që të tjerët dëshirojnë të shikojnë, duan, pëlqejnë dhe jo ajo se çfarë ne duam për veten tonë.
Për të ndërtuar këtë imazh ne ndrydhemi dhe shpesh ndihemi të demotivuar, pesimistë, pasi ajo që na shfaqet në botën virtuale na duket e vërtetë por edhe e paarritshme. Shikojmë se si njerëzit i përdorin rrjetet sociale në një interval të gjatë kohor duke u bërë më asocialë, por edhe afektues të depresionit dhe anktheve të tjera. Për hir të modeleve që shohin, krijojnë dhe marrëdhëniet me njerëzit që kanë në jetën reale. Duke iu referuar rasteve të krimit, të marrëdhënieve seksuale në moshë të hershme apo komunikimit me njerëzit; gjithçka vjen si pasojë e dyzimit të personaliteti që krijohet në rrjetet sociale. Nëpërmjet fotove krijohet një dyzim personaliteti, sepse edhe me pëlqimet që mund të jepet në një postim mund të krijohet një vetëvlerësim i lartë. Por në momentin që kthehen në realitet kthehen në kontradiktë. Kjo përplasje vë në dilemë personalitetin e tyre.
E dimë që tanimë jemi pjesë e një epoke digjitale e cila vazhdon të na afektojë dhe të ndihemi vartës të saj. Ndërsa më përpara teksa lexonim me kërshëri mes rreshtave të një libri e përjetonim narrativën, prozën, poezinë, romanin, sot nuk përpiqemi të lexojmë as titullin e një artikulli apo të një libri. Dhe nëse na duhet ti japim një përgjigje pyetjes, “A e kemi humbur ne veten e vërtetë duke u përpjekur të jetojmë atë virtualen?” Atëherë themi se po, e kemi humbur. Dëshira për të qenë vazhdimisht nën tutelën e ndikimit të mediave sociale po na ndryshon si individë dhe si shoqëri. Ne nuk jemi më të njëjtët dhe as nuk po jetojmë jetën që duam për veten tonë, por jetojmë atë se çfarë të tjerët dëshirojnë për ne. Ne po humbasin veten dhe të tjerët po na humbasin ne.
*Studente në Universitetin Europian të Tiranës